Taulant Balla tregon se kur do të shkojë emri i Presidentit në Kuvend

Kreu i grupit parlamentar të PS-së Taulant Balla ka deklaruar nga Fieri se PS do të shkojë nesër maksimumi në orë 12:00 me një emër te depozituar bashkë me firmat mbështetëse për Presidentin e ri të Republikës.

Balla nuk ka preferuar të flasë për emra konkretë, por theksoi se PS ka një listë përfundimtare.

“Mos hyni për diskutimin e emrave edhe për pak orë. PS do të mbledh kryesinë në orën 17 dhe do të zhvillohen disa diskutime që i kemi zhvilluar në disa mbledhje të njëpasnjëshme dhe në fund të këtij procesi do të shkojmë edhe në mbledhjen e grupit parlamentar të PS prej ku buron edhe mbështetja që përcakton kushtetuta. Duhen 20 firma deputetësh që të hysh në garë.

Ne kemi një short listë përfundimtare e cila do të marrë edhe shqyrtimin nga kryesia dhe vendimin përfundimtar të grupit parlamentar. Mua nuk më lejohet të hyj në asnjë diskutim emrash në këto momente sepse askush prej nesh nuk ka të drejtën të kalojë mbi kompetencën e kryesisë e të grupit parlamentar”, deklaroi Balla.

A është Fatos Nano një ndër emrat?

Një koleg me pyeti për Gramoz Ruçin ju më pyesni për Fatos Nanon. Natyrshëm që këta dy emra për mua janë gjithmonë emra që e meritojnë të jenë president të Republikës, por duhet të jemi shumë korrekt në atë që transmetoni ju si lajm.

Kryesia e Partisë Socialiste dhe grupi parlamentar janë dy institucionet që mblidhen për të diskutuar për emrin që do të propozojmë zyrtarisht, dhe ai do të jetë presidenti i ri për sa kohë që opozita për asnjë moment nuk e mori përgjegjësinë e një procesi që duhet të ishte i përbashkët.

Ata të vinin me propozime, ne i garantuam që propozimet e tyre do t’i marrim seriozisht. Nuk donin të bëheshin pjesë e këtij procesi. Tani raundin e katërt e kemi ne dhe kam bindjen e plotë së nesër në orën 18:00 do të zgjidhet presidenti i ri i cili merr detyrën në 24 korrik.

A mund të jetë Majlinda Bregu propozimi juaj duke qenë se opozita nuk e propozoi?

Unë përsëri do të vazhdoj të insistoj që emri që ju përmendni apo emra të tjerë janë shumë të vlerësuar ndaj nuk kemi dashur që të bëjmë një debat publik për emrat.

Mund të kishim bërë një negociatë të mbyllur sepse duhet të tregojmë respekt për njerëzit që janë pjesë e kësaj gare.

Hedhja me pa të drejtë e shumë emrave nuk i bën mirë kredibilitetit të procesit. Ne do të shkojmë nesër maksimumi në orë 12:00 me një emër te depozituar bashkë me firmat mbështetëse.

Read Previous

Familja Mbretërore mospërfill Kim Kardashian, nuk pranon ftesën e saj për të marrë pjesë në festimet e Jubileut

Read Next

Zhduket një 17-vjeçare në Sarandë