Takimi Rama – Aljev: sot, dy, dhe 9 vjet më parë

Nga Lutfi Dervishi

Fjalë, imzot fjalë!

Një takim që ka nisur në Baku më 17 dhjetor 2013, ka vijuar në 14 shtator 2020 në Turqi dhe ka përfunduar sot ne Azerbajxhan!
Rezultati?
Më mirë t’i referohemi se çfarë është thënë plot 9 vite më parë!
Nëse fjalët do të ishin mbajtur dhe zotimet do të ishin kthyer në vepra, sot jo vetëm që do të ishte gazifikuar Shqipëria dhe vënë në punë dhe Rafineria e Ballshit, por do të kishim ndihmuar me gaz edhe Kosovën dhe Kroacinë!

17 dhjetor 2013
Presidenti Ilham Aliyev ka pritur në takim kryeministrin e Republikës së Shqipërisë Edi Rama.

Në takim, palët shkëmbyen mendime për çështje që kanë të bëjnë me zhvillimin e marrëdhënieve dypalëshe midis Azerbajxhanit dhe Shqipërisë në sfera të ndryshme, duke përfshirë investimet, energjinë dhe sfera të tjera.
Burimi: Presidenca Azerbajxhanit

14 shtator 2020

Me Presidentin e Azerbajxhanit, mikun e mirë Ilham Aljev, vendosëm sot në Turqi disa piketa mbi bashkëpunimin në sektorët e energjisë dhe turizmit

(Prekëm konkretisht edhe çështjen e Rafinerisë së Ballshit, ku së fundmi është përfshirë një kompani azere, duke kërkuar dhe marrë angazhimin e Presidentit për të ndihmuar në zgjidhjen afatgjatë të problemit të krijuar nga privatizimi famëkeq i viteve më parë)
Burimi: Rrjeti social i kryeministrit

15 prill 2022

Sipas raportimeve (gjithmone entuziaste) te medias, Kryeministri ka patur nje takim të frutshëm
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama është takuar me Presidentin e Azerbajxhanit, Ilham Aliyev gjatë vizitës 1-ditore në këtë vend, ku kanë diskutuar për bashkëpunim në sektorin e energjisë dhe turizmit.
Aliyev tha se mes dy vendeve ka bashkëpunim të mirë në nivel politik, ndërsa në fushën e shkëmbimeve ekonomike ka shumë potencial për t’u shfrytëzuar.Ky është një sektor shumë i mirë i bashkëpunimit tonë që ka potencial të madh për t’u rritur. Përfaqësuesit tanë po zhvillojnë takime mbi portofolin më të gjerë të bashkëpunimit tonë në fushën e energjetikes, që përfshin gazin natyror, furnizimet tranzite dhe energjinë elektrike”, tha Aliyev.
Kryeministri Rama foli për në lidhje të ngushtë mes dy vendeve ku Turqia qëndron një urë bashkëpunimi.
Kryeministri tha se është ‘xheloz për Malin e Zi’ duke iu referuar investimeve që Azerbajxhani ka kryer në fqinjin e Shqipërisë.
“Ashtu siç jua kam thënë disa herë, ne kemi disi të drejtën tonë për të qenë xhelozë për Malin e Zi, sepse aty, ju keni bërë një investim masiv, jo thjeshtë në kuptimin financiar, por edhe modelin që është dhe shpresoj që ju do të bëni të njëjtën gjë”, tha Rama.
Burimi: media entizusate

Por nëse do t’i besojmë një komunikate zyrtare të ministrit të Energjisë, 9 vjet më parë më 20 shtator 2013, ne jo vetëm që kemi zgjidhur problemin e gazifikimit të vendit, por kemi ndihmuar edhe Kosovën dhe Kroacinë!

Zyra për shtyp e Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë bën me dije se ministri Gjiknuri mori garanci nga drejtuesit e projektit TAP se shumë shpejt do të fillojë investimi në Shqipëri për infrastrukturën ndihmëse dhe se drejtuesit e projektit janë të gatshëm për të financuar përgatitjen e master planit për gazin në vendin tonë.
Gjithashtu drejtuesit e projektit TAP i shprehën Ministrit Gjiknuri kënaqësinë për gatishmërinë e shfaqur nga qeveria e re dhe Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama për mbështetjen e veçantë të projektit TAP. Ata pohuan se e mirëpresin angazhimin e ekzekutivit të ri për ngritjen e një Task Force me qëllim çuarjen përpara të projektit.

Në takime është diskutuar edhe për mundësinë e shtrirjes së projektit edhe me degëzimin drejt Kroacisë ashtu sikurse përfshirja e mundshme e Kosovës në lidhjen me rrjetin.
Burimi: media entuziaste.
Kanë kaluar 9 vjet nga këto fjalë dhe e vetmja gjë që vlen është modifikimi i proverbit të vjetër: nga e thëna në të bërë është në mes një Gaz i tërë
Problemi nuk është i zotimeve të qeveritarëve, problemi më i madh janë gazetarët dhe media që mendojnë se çdo gjë që fluturon hahet, madje me shije të madhe!

Read Previous

Koha për një President në Shqipëri si Gauck, Herzog ose Weizäcker!

Read Next

Pioli flet pas fitores me Genoan