Takimi misterioz i Ramës në Hotel Rosewood ku mori jetë ‘shtetësia me koncesion’

Vendimi i Edi Ramës për kalimin me koncension të dhënies së nënshtetësisë shqiptare lidhet me projektin “shtetësi për investim” i cili mori jetë 3 vjet më parë në Londër. Por program Shtetësi nëpërmjet investimit, është kundërshtuar me forcë nga Bashkimi Europian i cili ka kërkuar anullimin e tij.

Nga ana tjetër Parlamenti Europian në mes të majit 2022 në Rezolutën për ecurinë e Reformave në Shqipëri, kërkon qartë që të hiqet dorë nga kjo skemë e cila mund të përbëjë rrezik serioz për sigurinë, pastrimin e parave, korrupsionin dhe evazionin fiskal.

Vendimi i Kryeministrit Edi Rama për kalimin me koncension të shërbimit të dhënies së nënshtetësisë shqiptare i hap rrugën një projekti të vjetër të shefit të qeverisë për pajisjen me pasaporta të arta të miliarderëve të huaj.

Kjo ide mori jetë në nëntor të vitit 2019, në hotelin me 5 yje Rosewood në Londër, gjatë një konference në të cilën merrnin pjesë kryeministrat e Shqipërisë dhe Malit të Zi, një ministër maltez, një ambasador nga Antigua dhe Barbuda, dhe përfaqësues nga Qipro.

Prestigjozja britanike dhe Guardian shkruante se eventi që zgjati tri ditë, ku vetëm një biletë kushtoi 1500 paundë, u organizua nga Henley & Partners, një firmë me qendër në Londër që vepron si bashkëvepruese midis super të pasurve dhe vendeve që shesin nënshtetësinë e tyre. “Henley” ka bërë dhjetëra miliona dollarë në komision nga shitja e shtetësisë.

Gjatë kësaj konference kryeministri Rama mbështeti projektin e dhënies së shtetësisë dhe premtoi përjashtim nga taksat për një periudhë 10-vjeçare dhe mjaft lehtësi të tjera, fiskale.

“Unë besoj fuqimisht se kjo është mënyra e duhur dhe se kjo është ajo që ne duhet të bëjmë. Sigurisht, ka rreziqe, por ne nuk mund t`i mohojmë vendit tonë dhe së ardhmes sonë potencialin e jashtëzakonshëm të këtij programi”.

Por programi ‘Shtetësi nëpërmjet investimit’, alarmoi Bashkimin Europian i cili ka kërkuar anullimin e tij.

Nga ana tjetër, Parlamenti Europian në mes të majit 2022 në Rezolutën për Ecurinë e Reformave në Shqipëri, pika 32, kërkon qarte se: “Të hiqet dorë nga skema “Shtetësi për investim”, e cila mund të përbëjë rrezik serioz për sigurinë, pastrimin e parave, korrupsionin dhe evazionin fiskal”.

Dy javë pas publikimit të rezolutës, Komisionin Europian i drejtohet me shkresë ministrit të Brendshëm dhe i kërkon sërish ndërprerjen e menjëhershme të skemës “Shtetësi nëpërmjet investimit”.

“Dëshironim të përsëritnim shqetësimin tonë për perspektivat e krijimit nga Shqipëria të një programi të veçantë për fitimin e shtetësisë nëpërmjet investimeve dhe hapat e fundit, të ndërmarra nga qeveria juaj për të vazhduar me zbatimin e një skeme të tillë. Skema e shtetësisë nëpërmjet investimeve mund të paraqesë rreziqe sigurie për BE-në dhe shtetet e tij anëtare, të cilat nuk janë në përputhje me parimet dhe kushtet në bazë të përjashtimit të vizave”. Rreziqet për BE-në dhe shtetet anëtare janë veçanërisht shqetësuese në kuadër të skemave të shtetësisë nëpërmjet investimeve të zhvilluara nga shtetet kandidate dhe potencialisht kandidate, që në të ardhmen përfituesit nëpërmjet këtyre skemave mund të fitojnë shtetësinë e BE-së”.

Katër janë rreziqet që renditen në letër: Infiltrimi i krimit të organizuar; Pastrimi i parave; Evazioni fiskal dhe Korrupsioni.

“Komisioni paralajmëron se “do të ndërmarrë veprime të forta kundrejt skemave të shtetësisë nëpërmjet investimeve brenda dhe jashtë BE-së, të cilat i konsideron në shkelje me ligjet e BE-së”, duke lënë të kuptohet edhe rishikimin e levizjes se lire te shqiptareve ne hapesiren shengen.

Bashkimi Europian ka një precedent në këtë aspekt. Më 3 mars të këtij viti BE hoqi në mënyrë të pjesshme të drejtën e lëvizjes pa vizë në zonën Schengen të shtetasve të ishullit Vanuatu në Oqeanin Paqësor.

Të gjithë qytetarët e këtij shteti, që kishin pasaportë të lëshuar pas datës 25 maj 2015, që është edhe data kur ka nisur skema e shtetësisë mbi bazë investimin, nuk lejohen të hyjnë pa viza në vendet e BE-së.

Por pavarësisht këtyre paralajmërimeve, kryeministri Edi Rama tashmë ka vendosur dhënien me koncension të këtij shërbimi, i cili pritet t’i hapë rrugën pajisjes me pasaporta të miliarderëve nga rajone të ndryshme të botës. /Syri Tv/

Read Previous

Këtu asgja nuk asht tabu, përveç njohjes së vetvedit

Read Next

Plagosje me armë në Kuçovë

Leave a Reply

Your email address will not be published.