Sulmi në e-Albania, Rama: Dyshojmë te dy shtete, u përfshi edhe NATO

Kryeministri Edi Rama tha se pas sulmit kibernetik ndaj sistemit të e-Albania-s fshihet një shtet dhe jo një grup hakerash të zakonshëm. Edhe pse nuk i përmendi me emër, Rama tha se sulmi ishte i sofistikuar dhe për të mbrojtur sistemin u përfshi edhe NATO.

“Sulmi është i organizuar nga një shtet, është një shtet mbrapa këtij sulmi. Nuk jemi ne në gjendje të identifikojmë ne shtetin. Dy janë shtetet që dyshojmë. E them këtë, për të thënë që sulmi është jashtëzakonisht kompleks dhe agresiv. Dhe sistemet nuk kanë çeduar në aspektin e shkatërrimit të tyre, nuk janë zhdukur të dhënat e shtetit, aq më tepër që ato nuk rrinë ashtu siç e imagjinojnë njerëzit. Sepse AKSHI nuk mban të dhëna. Jemi në kushtet e një sulmi kibernetik tepër të sofistikuar që ka përfshirë në pjesën e kundërsulmit NATO-n. Po punohet me një skuadër përtej skuadrës sonë”, tha Rama gjatë një takimi me drejtuesit e rinj të Partisë Socialiste pas përmbylljes të garave për përzgjedhjen e tyre në të 61 bashkitë e vendit.

Pak orë para kësaj deklarate të Kryeministrit, zyra e tij e shtypit njoftoi rikthimin e pjesës më të madhe të shërbimeve që ofrohen në portalin e-Albania, të cilat ishin mbyllur prej katër ditësh për shkak të sulmit në fjalë.

Referuar të dhënave nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit, rënia e e-Albania i kushton shqiptarëve 17 milionë transaksione të munguara çdo ditë. Të shumtë janë ata që pyesin se kur do të rikthehen shërbimet.

Read Previous

Top Channel ndryshon urgjent artikullin për sulmin kibernetik, pas reagimit të KM

Read Next

Berisha: Nuk kishte fatkeqësi më të madhe për BE-në, se sa Rama të mbante në dorë flamurin europian