“S’ka gazep më të madh se kur kujton kohën e bardhë në mjerësi”

Nga Ndoc Bushgjoka

“S’ka gazep më të madh se kur kujton kohën e bardhë në mjerësi”
Dante Alighieri

BURRI I SHTETIT.

“Tharmi i nacionalizmit shqiptar âsht Gurakuqi.”
“Të ishte Luigji gjallë, pa dyshim kishte me kênë mâ i rrebti anmik i politikës koloniale anglo-italiane në Shqipni.”
Át Bernardin Palaj

Në shtator të vitit 1923, në Parlamentin e Shqipërisë mbërritën kontratat e para të koncesioneve. Fillimisht ishte koncesioni i vajgurit me kompaninë angleze Anglo-Persian, më pas ai i kripës, lëkurëve të bagëtive e kështu me radhë, pyjeve, duhanit, thuajse në të gjithë sektorët dominantë të ekonomisë së atëhershme shqiptare.
Një shtet i sapoformuar nuk kishte ekspertizën për të negociuar marrëveshje komplekse, të cilat kishin pasoja shumëvjeçare për ekonominë. Ndaj shumica e koncesioneve praktikisht ishin lëshime për kompanitë e huaja dhe me përfitime të cunguara për shtetin shqiptar.
Por në Parlamentin e atëhershëm të Shqipërisë ndodhej një burrë, i cili për nga njohuritë dhe vizioni në këtë fushë ishte të paktën 100 vjet përpara kohës së tij.
Ky ishte Luigj Gurakuqi, njeriu i cili shtjelloi i pari publikisht në Shqipëri të ashtuquajturën doktrinën e dyerve te hapura, pra tregut të lirë dhe konkurrencës së barabartë për të gjithë.
Përmes disa fjalimeve të fuqishme, Gurakuqi do të shtronte para Parlamentit, ato që duhet të ishin parimet e kontratave koncesionare:

E para: – Koncesionet nuk duhet të jenë ekskluzive dhe në asnjë mënyrë monopol për të penguar futjen e kompanive të tjera.

E dyta: – Afati i tyre duhet sa më i shkurtër për të mos e lënë vendin peng në afatgjatë.

E treta : – Shteti shqiptar duhet të ruajë maxhorancën, me të paktën 51 për qind të aksioneve, në çdo shoqëri koncesionare të pasurive publike.

E katërta : – Shoqëritë që fitojnë kontrata koncesionare nuk duhet lejuar të transferojnë koncesionin.

E pesta : – Kontratat koncesionare, veç kriterit ekonomik duhet të kenë parasysh edhe atë gjeopolitik duke preferuar kompanitë që vinin nga vendet aleate.

Shume nga koncesionet e viteve 20 dështuan për shkak të destabilitetit politik të vendit.
Por ndërsa një shekull më parë, Shqipërinë e shpëtoi rastësia – siç thoshte Konica – 100 vjet më vonë rastësia ishtë me armiqtë e Shqipërisë.
Sot pasuritë kombëtare të vendit janë shndërruar në një mallkim.
Parimet që Gurakuqi shtroi 100 vjet më parë janë përmbysur me kokë poshtë.
Historia e përsëriti veten padrejtësisht me Shqipërinë.
Nga RILINDJA jonë e ndritur, ajo e vërteta e GURAKUQIT, tek “rilindja” e fatkeqësive kombëtare.

Read Previous

Rama bën ndryshime në qeveri. Largohet Arben Ahmetaj

Read Next

Meta kthehet në LSI: Populli i 2 marsit të mobilizohet