“Sjellje e rrezikshme e Veliajt”, shoqata e gazetarëve reagon për identifikimin e Lolitës dhe JOQ!

Sulmi publik që Erjon Veliaj u bëri dy personave, që sipas tij qëndrojnë pas profileve të Lolitës dhe JOQ në Facebook është konsideruar një “sjellje e rrezikshme” nga Sekretari i Përgjithshëm i Federatës së Gazetarëve Europianë, një nga shoqatat më të mëdha të gazetarëve në Europë.

Ricardo Gutierres shprehet i indinjuar për përmendjen që u bëri Veliaj disa personave që administrojnë këto profile, duke i kërcënuar me arrestime nga policia për shkak të kritikave që ka marrë përmes meme-dhe mesazheve në rrjetet sociale.

“I kujtoj zotit Veliaj se pak ditë më parë një person u vra në ambientet e Top Channel në Shqipëri dhe se ai nuk duhet të kontribuojë në një përkeqësim të mëtejshëm të sigurisë së komentuesve publikë. Kjo është një shkelje e rëndë e të drejtës së lirisë së shprehjes dhe të së drejtës së anonimitetit. Shpresoj që kryeministri Edi Rama të sigurojë që kjo sjellje e rrezikshme të ndalet menjëherë. Zyrtarët publikë pritet të mbrojnë demokracinë dhe lirinë e shprehjes. Jo të kërcënojnë dhe frikësojnë zërat kundërshtues” shkruan Gutierres në reagimin e tij.

Kryebashkiaku Veliaj i quajti gjobëvënës dy administratorët e profileve në rrjetet sociale dhe i kërcënoi me kallëzime penale në prokurori, ndërsa prezantoi projektin për linjën e shpejtë të autobusëve.

“Më erdhi dje dikush tjetër për atë aksidentin e fundit, më tha: ‘Anisa e Vithkuqit e “Lolitës” më ka vënë gjobë’. I thashë: “Jo, jo, Anisa e Vithkuqit le t’i rrisë dy fëmijët e saj siç i rrisin të gjithë, jo me gjoba”. Nuk do paguaj asnjë gjobë dhe këtë radhë do provoj që ti mund të bësh një fushatë me vendime të rëndësishme, me vendime të drejta, me vendime të ndershme pa paguar asnjë gjobë dhe të fitosh. Po ju garantoj, ne do t’i fitojmë këto beteja, jo vetëm politike, por edhe betejat për transportin publik, pa paguar asnjë gjobë, as Anisa Vithkuqit, as Erland Dalliut, dhe as ndonjë gjobaxhiu tjetër që fshihet pas emrave që duket sikur janë gallatë dhe në fakt janë makineritë më të mëdhaja të gjobave. Se i bie që duhet të fusni në bilancin tuaj edhe këto kosto. Pra, mirë kostoja e naftës, mirë kostoja e stresit, mirë kostoja e dikujt që mund të jetë i sëmurë ose e dikujt që është me agjërim apo edhe e një aksidenti ku s’ke faj fare, por të fusësh edhe koston e Anisa Vithkuqit dhe Erland Dalliut, për të përballuar transportin publik…”, deklaroi kryebashkiaku.

REAGIMI I PLOTË I GUTIERRES

Jam i indinjuar nga sjellja e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, që zbuloi identitetin e administratorëve të faqeve satirike shqiptare në Facebook, Lolita dhe JOQ. Këto faqe, ndonëse jo gazetareske, ndihmojnë për t’i mbajtur përgjegjës ata që janë në pushtet me anë të humorit (ju pëlqen apo jo).

Z. Veliaj publikoi emra dhe informacione shumë private familjare të këtyre personave, duke pretenduar se i kishte “identifikuar” duke i vënë në rrezik të drejtpërdrejtë fizik. Vetëm pak orë më pare, ai i përmendi sërish dhe tha se policia po shkonte drejt tyre, duke lënë të kuptohet se mund të arrestoheshin.

I kujtoj zotit Veliaj se pak ditë më parë një person u vra në ambientet e Top Channel në Shqipëri dhe se ai nuk duhet të kontribuojë në një përkeqësim të mëtejshëm të sigurisë së komentuesve publikë.

Kjo është një shkelje e rëndë e të drejtës së lirisë së shprehjes dhe të së drejtës së anonimitetit. Shpresoj që kryeministri Edi Rama të sigurojë që kjo sjellje e rrezikshme të ndalet menjëherë. Zyrtarët publikë pritet të mbrojnë demokracinë dhe lirinë e shprehjes. Jo të kërcënojnë dhe frikësojnë zërat kundërshtues.

Read Previous

Vasili për sistemin shëndetësor: Paratë po shpërdorohen me koncesione, demotivim për mjekët dhe infermierët

Read Next

‘Radhët e gjata për abone’/ Këlliçi tregon sa shumë rëndon transporti publik xhepat e qytetarëve