Siti përballë “Reds”-ave për herë të 3-të, Pep Guardiola: Me Liverpulin u bë basketboll, më kujton Barcelona-Real kur…

Mançester Siti dhe Liverpuli do të përballen edhe një herë sot për të siguruar biletën e parë në finalen e “Wembley”-t në Kupën FA. Dy kandidatet për titullin e Premier Ligës këtë sezon të cilat të dielën barazuan 2-2 në “Etihad”, duke e ruajtur të pandryshuar diferencën prej 1 pike që i ndan në klasifikim, do të luajnë për herë të tretë ndaj njëra-tjetrës këtë sezon sot në “Wembley”, por ekziston mundësia që të takohen edhe në finalen e Ligës së Kampioneve në Paris më 28 maj.

Dy skuadrat në ndeshjen e fazës së parë në “Anfield” në tetor u ndanë gjithashtu në paqe (2-2). Dhe nëse sot do të kemi një tjetër barazim, Kupa FA parashikon 30 minuta shtesë dhe më pas goditjen e penalltive. Me Sitin që mund të fitojë 3 trofe këtë sezon, ndërsa “Reds”-at 4, dueli i dy ekipeve më të forta të Anglisë ka nisur t’i kujtojë basketbollin trajnerit Pep Guardiola. I pyetur në konferencën e djeshme për krahasimin e këtij rivaliteti, 51-vjeçari kujtoi kohët e duelit të Barcelonës së tij me Realin e Madridit. “Ashtu si te Barça, ne luajtëm kundër Realit katër herë në harkun e 10 ditëve.

Është hera e dytë që ne po luftojmë kundër së njëjtës skuadër”, tha tekniku i Sitit. “Ti mëson gjithnjë kur luan kundër Liverpulit. Dhe kur luan brenda një kohe të shkurtër mëson më shumë. Është si basketboll”. “Qytetarët” mbërrijnë në gjysmëfinalet e Kupës FA për herë të katërt radhazi dhe pavarësisht se në dy vitet e fundit rrugëtimi i tyre ka përfunduar në këtë fazë, Guardiola nuk ka asnjë peng në lidhje me formën e skuadrës së tij në këtë kompeticion:

“Do të kisha dashur të arrinim në finale. Kjo do të kishte qenë ëndrra ime. Por nuk kam pengje. Fitoj apo humbas unë jam pranë tyre. Tani jemi një muaj larg fundit të sezonit. Jemi në dy gjysmëfinale dhe në Premier Ligë kryesojmë. Jemi shumë të kënaqur me ecurinë tonë, por nuk është e mjaftueshme./Panoramasport

Read Previous

Atentat me armë zjarri/ Qëllohet drejt djalit të një efektivi policie

Read Next

Gjesti fisnik i Meghan Markle do t’ju rrisë vlerësimin për të, pse ishte pa pallto kur mbërriti në Holandë