Sir Noel Malcolm pranohet anëtar nderi i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.

Akademia e Shkencave të Shqipërisë njofton se ka pranuar studiuesin e mirënjohur, Noel Malcolm anëtar nderi të saj.

Ky vendim është marrë gjatë Kuvendit Ndërkombëtar të Stusimeve Albanologjik zhvilluar 15-27 nëntor 2021.

Njoftimi:

Albanologët e huaj në Kuvendin Ndërkombëtar të Studimeve Albanologjike

Sir Noel Malcolm është shpalluar anëtar nderi i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë në mbledhjen e asamblesë pas përfundimit të Kuvendit Ndërkombëtar të Studimeve Albanologjike që u mbjat nga data 15-27 nëntor.

Sir Noel Malcolm është profesor i shquar britanik në shkencën e historisë europiane të kohës së re, i specializuar në orientalistikë, veçmas për historinë e ish-perandorisë otomane dhe raportet e saj me Ballkanin dhe Europën. Veprat e tij më të rëndësishme që i kanë dhënë njohje ndërkombëtare lidhen me popujt e këtij rajoni dhe veçanërisht shqiptarët.

Sir Noel Malcolm prej më se dy dekadash i është kushtuar historisë së shqiptarëve në Kosovë e në Shqipëri gjatë shekujve XVI-XVII. Veprat themelore të tij në këtë fushë janë: 1. Kosovo. A short History (1998) – Kosova një histori e shkurtër; 2. Agents of Empire (2015) – Agjentë të Perandorisë; 3. Rebels, Believers, Survivors: Studies in the History of the Albanians (2020) – Rebelë, besimtarë, mbijetues: studime në historinë e shqiptarëve. Sir Noel Malcolm është autor i dhjetëra artikujve shkencorë të botuar në revista të mirënjohura dhe në përmbledhje studimesh kushtuar historisë së shqiptarëve, histories së popujve të Ballkanit dhe marrëdhënieve mes tyre.

Me veprat e tij, prof. Noel Malcolm ka dhënë një kontribut thelbësor për çmitizimin e historisë, për çmontimin e disa tezave të gabuara mbi të cilat është bazuar shpesh rrëfimi i historisë së vetes dhe tjetrit në historiografitë e vendeve të Ballkanit. Në veprën Agents of Empire (2015), Rebels, Believers, Survivors: Studies in the History of the Albanians, bazuar në një njohje sovrane të burimeve arkivore, të atyre tregimtare e të literaturës së specializuar, prof. Malcolm jep një kuadër impresionues të historisë së botës adriatiko-mesdhetare e të mbarë Europës së shek. XVI-XVII duke ndjekur fatet e anëtarëve të familjes shqiptare Bruni nga Ulqini, nga e cila dolën luftëtarë, intelektualë, klerikë e diplomatë të shquar e të vlerësuar sa në oborret Europës, aq edhe në perandorinë lindore të sulltanëve. Analizat e prof. Malcolm janë gjithëpërfshirëse, duke u dhënë vendin e duhur faktorëve politikë, ushtarakë, socialë, ideologjikë e kulturorë, të cilët, të gjithë së bashku, lëvizin përpara procesin historik.

Read Previous

Presidenti Ukrainës Zelensky: Rusia po planifikon një grusht shteti

Read Next

Fauci për variantin e ri të COVID: Do të përhapet kudo