Si u betonizua toka bujqësore në Shqipëri, institucionet nuk kanë të dhëna

Mijëra hektarë tokë bujqësore janë zaptuar në 30 vite nga ndërtimet, por institucionet shtetërore ende nuk e dinë se sa është sipërfaqja e humbur. Ministria e Bujqësisë flet për 10 mijë ha të humbura në rang vendi, në një kohë që 400 mijë ndërtime pa leje u futën në procedurë legalizimi pas ndryshimit të ligjit në vitin 2020. Ekspertët mendojnë se sipërfaqja e vërtetë, e humbur shkon në 34 mijë ha tokë bujqësore, me një mesatare humbjeje prej më shumë se 1000 ha në vit.

Fatmir Parmaku u zhvendos së bashku me familjen e tij nga Dibra në zonën e Kamzës në Tiranë, në vitin 2004. Kur ai erdhi në Kamëz, zona kishte shumë pak ndërtime dhe toka ishte djerrë.

60-vjeçari ishte ndër të parët që bleu një sipërfaqe toke bujqësore nga një përdorues, që e kishte përfituar atë me Ligjin 7501. Parcelën, për të cilën shitësi nuk kishte certifikatë pronësie, por vetëm aktin e përdorimit, Parmaku e bleu me 1500 lekë m2.

“Tokën e kam blerë me letra, por nuk e di, nëse ishte truall apo tokë bujqësore. Aplikova në vitin 2006 për legalizim dhe mora certifikatën 3 vite më parë. Kur kam ardhur unë këtu, ishin vetëm 3-4 shtëpi”, – rrëfen ai.

Si Fatmiri, mijëra banorë nga e gjithë Shqipëria iu sulën tokave bujqësore, duke i kthyer në qytete. Kamza është rasti tipik se si qindra hektarë tokë bujqësore me rendiment të lartë prodhimi u transformuan brenda dy dekadash në një zonë urbane.

Në vitin 1946 në Kamëz u krijua një nga ndërmarrjet më të mëdha bujqësore në Shqipëri, “Ylli i Kuq”. Kjo ndërmarrje shërbeu për 45 vite me radhë si furnizuesja kryesore e kryeqytetit me prodhime bujqësore dhe blegtorale.

Pas viteve `90 tokat prodhuese të Kamzës u kthyen në troje të lakmuara të ndërtimeve. Si pasojë, tokat bujqësore u zhdukën krejtësisht dhe u zëvendësuan me mijëra ndërtime informale. Nëse në vitin 1992 Kamza numëronte vetëm 6 mijë banorë, aktualisht kjo bashki numëron rreth 150 mijë banorë, të cilët kanë ndërtuar mbi tokat e dikurshme, bujqësore.

Ashtu si Kamza, zonat përreth Tiranës, dikur krejtësisht rurale, janë shndërruar në njësi banimi, duke fshirë nga harta tokat bujqësore.

Ndërsa tokat bujqësore janë zhdukur me ritëm të shpejtë, institucionet përgjegjëse, duke filluar nga Ministria e Bujqësisë, INSTAT-i apo edhe Kadastra, nuk kanë qenë në gjendje që t`i dokumentojnë sipërfaqet e humbura. Në realitet, tokat bujqësore nuk ekzistojnë më, por në regjistrat e Kadastrës ato ende figurojnë si të tilla.

Referuar të dhënave, qarku i Tiranës ka humbur zyrtarisht përgjatë tri dekadave të fundit 6 mijë ha tokë bujqësore. Kjo shifër duket shumë e vogël, po të kemi parasysh se vetëm ndërmarrja “Ylli i Kuq” në Kamëz në vitin 1985 kishte një sipërfaqe prej rreth 4500 ha. Kjo e dhënë bëhet edhe më e pabesueshme, po të marrim në konsideratë valën e ndërtimeve që ka përfshirë këtë qark, duke filluar që nga Kamza, Bathorja, Paskuqani, Farka, Dajti, Kashari, Golemi, Bërxulla (Domje), si edhe Bashkitë Vorë, Kavajë dhe Rrogozhinë.

Të dhënat e cunguara në këtë drejtim pranohen edhe nga vetë institucionet, që deklarojnë se sipërfaqja e humbur, reale është më e madhe sesa ajo që ata kanë në statistika.

“Sipërfaqja reale, e zënë nga ndërtimet në toka bujqësore, është më e madhe nga ajo e evidentuar. Nëse vitin 1991 sipërfaqja e tokës bujqësore në qarkun e Tiranës ishte 58 822 ha, aktualisht fondi i tokës është reduktuar në 52 806 ha, shifër kjo që është në përditësim”, – sqaron në një përgjigje me shkrim për INA MEDIA-n, Këshilli i Qarkut Tiranë.

Pas viteve `90, si Tirana, thuajse të gjitha qarqet e Shqipërisë u prekën nga një fluks marramendës ndërtimesh. Durrësi, zonat përreth Fierit, Lushnjës, Laçit, Lezhës apo nën-Shkodra, si dhe Korça janë rritur ndjeshëm në toka, që konsiderohen nga më produktivet.

Edhe për Durrësin, një prej qarqeve të goditura masivisht nga ndërtimet në tokat bujqësore, të dhënat janë të cunguara. Sipas Këshillit të Qarkut Durrës, rezulton se sipërfaqja e tokës bujqësore, e zënë nga ndërtesat private, bizneset dhe objekte të tjera, nga viti 1991 dhe në vazhdim është rreth 905.5 ha. Ish-këneta e Durrësit u shndërrua pas viteve `90 në lagjen më të madhe informale të qytetit bregdetar. Me një sipërfaqe prej 350 ha, aktualisht nuk ka mbetur më asnjë cep toke i lirë.

Ndonëse vetëm për qarkun e Tiranës deri në vitin 2015 pranë ALUIZNI-t janë vetë-deklaruar si ndërtime pa leje plot 79 025 objekte, Ministria e Bujqësisë zyrtarisht thotë se në rang vendi janë humbur rreth 10 mijë ha tokë bujqësore.

“Në vitin 1991 sipërfaqja e tokës bujqësore ishte 697 mijë ha. Aktualisht është 687 mijë ha, por ky fond është aktualisht objekt përditësimi dhe saktësimi në mënyrë të veçantë për të bërë pasqyrimin në regjistrat kadastralë të ndërtimeve informale”, – thotë në një përgjigje me shkrim Ministria e Bujqësisë.

Ndryshe nga ajo që thonë shifrat zyrtare, ekspertët mendojnë se sipërfaqja e tokës së humbur mund të jetë rreth 3.5 herë më e lartë. Sherif Lushaj, një nga ekspertët më të mirë të mbrojtjes dhe administrimit të tokës bujqësore, mendon se institucionet shtetërore e kanë trajtuar me papërgjegjshmëri këtë pasuri të madhe, kombëtare.

“Të dhënat e vitit 2021 tregojnë për një sipërfaqe prej 678,6 mijë ha nga 712 mijë ha që ishte në vitin 1990, pra afërsisht 34 mijë ha më pak. Këtu kanë ndikuar legalizimet, urbanizimi informal, që u shtri për një kohë të gjatë dhe transformimi shumë i shpejtë i zonave rreth-qytetëse, të cilat kanë qenë toka me kapacitet të lartë, prodhues”, – thotë eksperti Lushaj,

Edhe rektori i Universitetit Bujqësor, Fatbardh Sallaku, pranon se ka një diferencë të ndjeshme mes statistikave zyrtare, pasi në to nuk është reflektuar e gjithë sipërfaqja e humbur.

“Sipas meje, sipërfaqja, që ka humbur, është më shumë se kaq, por, edhe nëse e marrim të mirëqenë që kemi humbur, aq sa thonë statistikat zyrtare, nuk është pak. Kemi humbur 500 ha çdo vit”, – sqaron rektori, Sallaku.

Një tjetër ngërç, që mban peng inventarizimin e gjendjes reale të tokës në Shqipëri, është mungesa e një censusi mbi tokën. Ai do të ndihmonte, jo vetëm për të saktësuar situatën e pronësisë dhe statusit të saj, por do të orientonte edhe politikat për zhvillimin e tokës bujqësore. Aktualisht, Kadastra operon me të dhënat e vitit 1996, kur USAID ndërmori një nismë të tillë. Për shkak të mungesës së informacionit asokohe qytetarët nuk shfaqën interes, duke bërë që të dhënat të hidheshin me mbivendosje, duke sjellë probleme me kufijtë apo me pronësinë.

“Duhet të merret iniciativa që të bëhet inventari i tokës bujqësore, edhe pse ky proces kërkon fonde. Mungesa e të dhënave të sakta ndikon direkt te hartimi dhe implementimi i politikave për bujqësinë”, – shpjegon rektori i UBT, Sallaku, i cili shton se në kaosin e krijuar me të dhënat që rezultojnë në Kadastër për tokat ka ndikuar ndjeshëm edhe fragmentarizimi i tapive.

Përveç ndërtimeve informale në amullinë me të dhënat ka ndikuar edhe fakti se ligjet dhe vendimet për legalizimin e ndërtimeve pa leje nuk e kanë parashikuar deklarimin nga aplikuesit të llojit të tokës, mbi të cilën kanë ndërtuar.

“Nuk i kemi të ndara ndërtimet pa leje, nëse janë mbi toka bujqësore apo në troje. Ligji nuk e ka parashikuar këtë ndarje”, – sqaron ish-drejtori i Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, Artan Lame.

Prej miratimit të Ligjit të fundit për Legalizimet janë dorëzuar rreth 400 mijë aplikime në shkallë vendi pranë zyrave të Kadastrës, nga të cilat janë legalizuar rreth 230 mijë objekte. Sipas vlerësimit të ish-kreut të Kadastrës Artan Lame, 2/3 e ndërtimeve të legalizuara ose në pritje janë në zonat rurale dhe 1/3 e tyre, në zonat urbane.

“Nga totali i objekteve të legalizuara gjatë kësaj periudhe, 140 mijë objekte janë në zonat rurale dhe rreth 40 mijë prej tyre janë ndërtime në tokë bujqësore, të cilat me një llogaritje të përafërt kanë zënë rreth 1200 ha tokë bujqësore. Kur flasim për ndërtimet pa leje në tokë bujqësore, përjashtojmë zonat e urbanizuara tashmë, si Kamza, Paskuqani apo zona të tjera dikur informale në Shkodër dhe në Durrës”, – thotë ai.

Ky vakum ligjor ka bërë që të ketë edhe mungesë në informacion, çka konfirmohet edhe nga INSTAT-i, i cili thotë se nuk ka të dhëna, as për sipërfaqen e tokës bujqësore në vitin 1992 dhe as për sipërfaqen e zënë nga ndërtimet pa leje.

“Për sipërfaqen e tokës bujqësore, të zënë nga ndërtimet e paligjshme, numrin e tyre mbi tokat bujqësore apo sipërfaqen e tokës bujqësore të kthyer në truall gjatë 30 viteve të fundit, ju bëjmë me dije se INSTAT nuk i disponon këto të dhëna”, – pohon zyrtarisht ky institucion.

Planet vendore, masakër me tokën bujqësore

Në humbjen e tokës bujqësore ndikoi dhe zgjerimi i vijës së verdhë sipas planeve vendore të ish- komunave dhe bashkive.

Këshillat bashkiakë dhe komunalë, përmes qindra vendimeve në shkelje të ligjit, pa studime rajonale dhe masterplane, kanë miratuar zgjerimin e vijave kufizuese të ndërtimit, duke i shtrirë në hapësirat e tokës bujqësore.

Eksperti Sherif Lushaj bën me përgjegjësi ish-komunat dhe bashkitë për vendimet e marra për planifikimin dhe kontrollin e dobët mbi territorin që administronin.

“Ndarja e territorit në mbi 300 komuna dhe bashki ka ndikuar për keq, sepse, duke planifikuar çdo komunë vetë në territorin e saj të vogël, nuk merrte parasysh se çfarë ndodhte në komunën tjetër. Vendimet që merreshin nga këshilli i komunës lidhur me ndërtimet apo lejet konsideroj se kanë qenë një arsye për zënien e tokës”, – thotë ai.

Lezha është një ndër zonat që është vënë në presion, jo vetëm nga ndërtimet, por edhe nga fenomenet natyrore. Këshilli i Qarkut Lezhë pohon se në vitin 1991 sipërfaqja e tokës bujqësore ka qenë 34.718 ha, prej të cilave 168 ha kanë humbur si pasojë e fenomeneve natyrore, ndërsa nuk ka statistikë për sipërfaqen e zënë nga ndërtimet.

Planifikimi urban, që nuk mori në konsideratë mbrojtjen e tokës bujqësore, mungesa e planeve vendore në disa raste dhe dështimi i institucioneve në zbatimin e ligjit në qarkun e Lezhës, ashtu si në të gjithë vendin, shihen nga ekspertët si të tjerë faktorë që kanë sjellë reduktim të sipërfaqes së disponueshme të tokës për qëllime bujqësore.

“Në shumë zona zhvillimi është bërë i paplanifikuar dhe kjo gjë ka dëmtuar hapësirën bujqësore. Nëse do të ishin ndërmarrë politika dhe masa planifikuese më herët dhe të ishin vënë në zbatim që në vitet ’90, ndoshta nuk do të ishim në këtë situatë që jemi sot”, – shprehet eksperti i bujqësisë, profesor në UBT, Albert Kopali.

Qarku i Shkodrës është ndër më të prekurit nga fenomeni i ndërtimeve pa leje në toka bujqësore, ku nga 50 663 ha sipërfaqe tokë bujqësore, që ka pasur në vitin 1993, 30-35% e saj rezulton të jetë humbur.

Në fshatin Muriqan, ku dikur mbillej duhan, grurë dhe misër, janë ndërtuar dhjetëra objekte pa leje, duke zaptuar sipërfaqe të tokës së bukës. Besim Lini, një prej banorëve të këtij fshati, tregon se 23 vite më parë u zhvendos nga një zonë e thellë dhe ndërtoi shtëpinë pa leje.

“Këtu më parë ka qenë tokë bujqësore. E kam ndërtuar shtëpinë në vitin 2000 dhe në atë kohë nuk na tha askush që nuk duhet të ndërtojmë”, – tregon ai, teksa shton se është ende në pritje të legalizimit.

Edhe për qarkun e Shkodrës ndërtimet pa leje dhe zgjerimi i vijës së verdhë kanë pasur impakt të drejtpërdrejtë në tkurrjen e sipërfaqes së tokës bujqësore. Drejtori i Mbrojtjes dhe Administrimit të Tokës në Këshillin e Qarkut Shkodër, Gafurr Ternova, thotë se nga shifrat zyrtare duket sikur Shkodra ka humbur pak tokë, por sipërfaqja e dëmtuar nga ndërtimet është shumë më e madhe.

Shpërdorimi i tokës bujqësore është shtrirë, jo vetëm në prona private, por edhe te pronat shtetërore, siç është rasti i Qendrës së Transferimit të Teknologjive Bujqësore, Shkodër, sipërfaqja e së cilës është mbushur me objekte pa leje.

“Dikur Instituti i Misrit dhe Orizit kishte 700 ha tokë. Aktualisht në këtë sipërfaqe është vështirë të gjesh qoftë edhe 2 ha që nuk kanë ndërtim në parcelë”, – thotë eksperti i bujqësisë, Kosa Hajkola.

Pavarësisht frenimit të fenomenit të ndërtimeve pa leje, Këshilli i Qarkut Shkodër e konsideron përdorimin e tokës bujqësore për qëllime ndërtimi ende shqetësim.

“Ndërtimet e paligjshme në toka bujqësore janë ulur ndjeshëm, megjithatë është ende shqetësim ndërtimi, qoftë edhe me leje, sepse po dëmtohet resursi kryesor, jetik, që nuk mund të rikuperohet më në tokë bujqësore”, – thuhet në përgjigjen e kërkesës për informacion të këtij institucioni.

Si pasojë e politikave të gabuara Shqipëria renditet ndër vendet me sipërfaqe më të vogël të tokës bujqësore për banor. Sipas të dhënave të FAO, Shqipëria është deficitare në këtë drejtim, me vetëm 0,2 ha për frymë.

Si u betonizua toka bujqësore në Shqipëri, institucionet nuk

Grafiku i humbjes së sipërfaqes së tokës bujqësore sipas qarqeve

Zvogëlimi i sipërfaqes nga ndërtimet pa leje, po ashtu fenomenet natyrore, si dhe ndërtimi i veprave publike kanë cenuar edhe më tepër perspektivën bujqësore të vendit dhe ekonominë.

Sa i takon sipërfaqes së humbur si pasojë e fenomeneve natyrore, Ministria e Bujqësisë sqaron se janë 115 mijë ha që konsiderohen në rrezik të lartë për rrëshqitje për shkak të terrenit të thyer apo dëmtimeve të ndodhura në ekosistem.

Shumë inspektorate, pa mbrojtje

Ligji 9244, datë 17.6.2004 “Për Mbrojtjen e Tokës Bujqësore”, i përditësuar me ligjin nr. 69/2013 “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin 9244, dhe ligjin nr. 131/2014 “Për një ndryshim dhe shtesë në ligjin 9244”, ndalon në mënyrë kategorike veprimtarinë ndërtimore në tokat bujqësore, me përjashtim të rasteve kur ato janë në funksion të bujqësisë dhe blegtorisë.

Hallka më e rëndësishme për mbrojtjen e tokës bujqësore kanë qenë inspektoratet, por ato kanë mbyllur sytë para akteve flagrante të shkatërrimit të tokës bujqësore nga betonizimi.

Si u betonizua toka bujqësore në Shqipëri, institucionet nuk

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural

“Në Elbasan numri më i madh i ndërtimeve të paligjshme është konstatuar gjatë periudhës 2000-2010. Një nga shkaqet e shtimit të numrit të këtyre ndërtimeve ka qenë moszbatimi i ligjit nga ana e inspektorëve të monitorimit të territorit”, – pohon Këshilli i Qarkut Elbasan.

Ndërtimet pa leje mbi tokën bujqësore nuk u frenuan, edhe pse kjo ishte përgjegjësi e ndarë në disa inspektorate, të cilat funksionuan në një hark kohor 10-vjeçar. Me ndarjen e re administrative kompetencat për mbrojtjen e tokës bujqësore iu hoqën këshillave të qarqeve dhe iu kaluan bashkive.

“Çdo institucion, që varej nga Ministria e Bujqësisë, këshillat e qarqeve dhe këshillat bashkiakë apo komunalë, ka pjesën takuese të përgjegjësisë në këtë situatë. Për vite me radhë ndërtimet pa leje në tokat e bukës morën përmasa të mëdha, zhvillim të egër dhe shkatërrues për tokat e bukës”, – thotë drejtori i Administrimit dhe Mbrojtjes së Tokës Bujqësore në Këshillin e Qarkut Shkodër, Gafurr Ternova.

Të njëjtin argument mbështet edhe ish-kryetari i Këshillit të Qarkut Korçë, Landi Gushi, sipas të cilit inspektoratet e ngritura për këtë qëllim ishin formale dhe pa fuqi vepruese për shkak të natyrës së ligjit.

“Zgjidhja e kësaj problematike do të kishte qenë ngritja e një Inspektorati të posaçëm Kombëtar për mbrojtjen e tokës dhe jo të copëtohej përgjegjësia në disa inspektorate, të cilat kanë ekzistuar formalisht”, – sqaron Gushi.

Pavarësisht punës së dobët dhe joeficiente në mbrojtje të tokës bujqësore, sipas drejtuesve lokalë, shkrirja e inspektorateve dhe strukturave të tjera të mbrojtjes së tokës në këshillat e qarqeve prej vitit 2016 ka ulur vëmendjen shtetërore në drejtim të mbrojtjes që duhet të ketë toka bujqësore.

Mbrojtja e tokës ka qenë pjesë e strategjive për zhvillimin e bujqësisë, por ajo ka mbetur në letër dhe pak prej tyre kanë gjetur zbatim, ashtu siç ka mbetur i pazbatueshëm edhe kuadri ligjor që parashikon penalitete për shkelësit.

Si u betonizua toka bujqësore në Shqipëri, institucionet nuk

Banesë e përmbytur në Shkodër

“Strategjia për bujqësinë ka qenë pjesë e Strategjisë Kombëtare të Zhvillimit të Bujqësisë, si edhe pjesë e strategjisë ndërinstitucionale. Nuk kishte mangësi në politika, por ka pasur probleme në zbatim, përderisa nuk u arrit të mbrohej toka”, – thotë eksperti, Sherif Lushaj./ Investigative Network Albania

Read Previous

Berisha: Më 14 maj, ju me Igli Carën, do rivendosni në Durrës pluralizmin

Read Next

Kalaja rendit arsyet pse duhet të votohet Këlliçi