Si qartësohet çështja “McGonigal” në studio TV

Mirëmbrëma dhe mirë se erdhët në emisionin e radhës “….”

Ashtu si dje, edhe sonte kemi të ftuar sërish panelin tuaj të dashur të analistëve dhe komentatorëve të njohur. Me ndihmën e regjisë që na fokuson të gjithëve në një plan të madh, le ta nisim pa humbur kohë. Tema e momentit është skandali McGonigal, ku sipas aktakuzës amerikane, Kryeminsitri ka përdorur miqësinë e tij me ish-shefin e FBI-së për të dëmtuar partinë kryesore të opozitës.

Kemi nderin të riprezantojmë edhe për sot zotin Zh., i njohur si zhurmuesi, zotin J., justifikuesi; zoti F., fjalëshumti, ai që fillon dhe flet vetëm në fillim dhe asnjëherë nuk mbaron idenë; personi R., relativizuesi; zoti P., profesori i të gjitha fushave.

Le ta nisim me ju fort i nderuari Zh. Çfarë ju ka bërë përshtypje në këtë histori?

ZH: Faleminderit për ftesën! Le të jemi të qartë që në filllim se ajo që ne na mungon historikisht si individë dhe si popull është qartësia, sepse po të ishim të qartë nuk do të na kishe thirrur sonte këtu. Kjo e ashtuquajtur histori në dukje ka shqiptarë, por në thelb ka shumë pak lidhje, për të mos thënë aspak, me Shqipërinë e varfër. Kjo është një çështje që përtej interesit të madh që ka në media këtu, nuk ka lidhje me ne, por me amerikanët. Por unë do të sillja në vëmendjen tuaj një fakt të vetëm….

Moderatori: Konkretisht, të lutem….

ZH: Konkretisht po flas. A ju kujtohet çfarë tha Papa Françesku kur u pyet për çështjen e homoseksualëve?  E pra, ai tha: “kush jam unë që të gjykoj”… sepse po kaluam në gjykim nuk i shërbejmë asgjëje prej gjëje. Nëse ne sonte këtu bëhemi gjykatës i bëjmë shërbimin më të keq drejtësisë… amerikane. Se për drejtësinë këtu është e qartë se nuk ka çështje, por vetëm fjalë pa udhë.

Moderatori:  Le të dëgjojmë mendimin edhe të Personi J., jurist nga Partia Socialiste.

J: Faleminderit që na ftuat! E para, unë jam jurist dhe besën time ia kam dhënë ligjit dhe vetëm atij… E dyta, që duhet thënë, është se unë e lexova aktakuzën nga germa e parë tek e fundit. E detajuar, profesionale, e qepur mirë dhe nuk ke çfarë t’i thuash. Por më thoni ju lutem në 16 faqe aktakuzë ku u përmendka 14 herë kryeministri, a ka provë, evidencë, apo fakt që kryeministri të jetë implikuar? Asgjë, zero! Flas si jurist më ndjeni për këtë. Domethënë, për mua nuk ka çështje, a nëse do të flasësh për politikë, cili politikan që nga koha e Athinës së lashtë nuk ka bërë politikë? Por unë kam një pyetje jo për ju këtu, por për të gjithë publikun. Çfarë dëmi është bërë? Kush u vra? Kush u plagos? Kujt i morën lekët? Aty flitet për një borxh mes miqsh… të tjerat janë pallavra. Ja ku është ligji, ja cila është akuza. Pyetje për ju dhe panelin e nderuar: Më thoni dot se çfarë ligji ka thyer Kryeministri? Cilin nen? Cilën rregullore? Madje-madje, cilin kod etike?  A mos jemi këtu në rastin kur politikanët mund të shtyjnë pak kufirin e asaj që është normale në politikë, sepse në fund të fundit, kur t’i vijë fundi, nuk është se çfarë them unë apo çfarë thotë gazeta, por çfarë mund të provohet në gjykatë. Kupton?

Moderatori: Shumë interesante! E prisja prej jush si i pavarur që nuk do të kishte asgjë prej gjëje, por dua edhe një shpjegim: Kryeministri, shefi i FBI-së, miku i shefit të FBI-së dhe këshilltari pa pagesë, njëri ka idenë që të hapë një hetim për lobistin e opozitës, tjetri që është miku i shefit të FBI-së, bëhet dëshmitar i çështjes dhe këshilltari pa pagesë paguan shpenzimet e gjyqit?

Personi J: Kjo që sapo thatë i nderuar është si të them, një gjë që nuk e gjen në aktakuzë. Po flas si jurist, mund të ulen në një tavolinë 4, por edhe 14 persona. Çfarë lidhje ka kjo?

Moderatori: Po nga Partia Socialiste si ndihen? Si e gjykoni zhurmën që po bën shtypi perëndimor për këtë skandal ? Fjala për ju zoti R.

R: Tani mos ta kthejmë këtë studio të nderuar në gjykatë. Nuk duhet të nxitojmë të japim vendimin si në kohën e qoftëlargut. Ta lëmë drejtësinë amerikane të bëjë punën e vet pasi iku koha kur pushteti të vidhte natën dhe të qante ditën. Jetojmë në kohën kur arkitektura e drejtësisë së re gjendet aty përherë e më e fortë për ta mbajtur peshoren e drejtësisë sonë të paanshme edhe kur bëhet fjalë për shefin e qeverisë. Kjo është Partia Socialiste e Shqipërisë!

Moderatori: Pra, ti mendon se kryeministri po hetohet?

R: Jo jo, mos më vendosni në gojë fjalë që unë nuk po i them. Drejtësia është e lirë për ta hetuar thashë. Vetë kryeministri s’ka asnjë minutë kohë për t’u marrë me këtë pseudongjarje, se as skandal nuk i them dot. Ai është fokusuar çdo ditë, çdo orë, çdo minutë për reformat në vend dhe nuk ka jo McGonigal. Edhe vetë Zoti nuk mund t’i mohojë dhe errësojë arritjet që janë në dritë të diellit. Pastaj është krejt e qartë për të gjithë që kjo gjë bëhet për të zhvendosur vëmendjen nga skandali i vitit 2001 që më në fund drejtësia jonë e re po merret dhe shyqyr zotit që po merret. A nuk keni parë që histori të tilla ndodhin kudo, por askund nuk ndodh si te ne… Harruat çfarë i ndodhi së fundmi Zelandës së Re? Po krizën e Gjilbraltarit? E kuptoni se në Britani të Madhe tani duan të nisin një fushatë për t’u rikthyer në BE….

Moderatori: Po çfarë lidhje ka kjo?

Personi R: Mos më ndërprit të lutem se ju dëgjova të gjithëve me vëmendje! Ta mbaroj mendimin tim, ta them atë që kam për të thënë, kush të dojë le të dëgjojë, kush të dojë mos të më dëgjojë, se nuk detyrojmë njeri këtu. Na ke thirrur për të folur. Ju lutem mos na ndërprit se humbasim fillin e bisedës..

Moderatori: Po ju zoti F., çfarë mendimi keni për këtë aferë sepse jeni i vetmi që nuk keni folur ende?

Personi F: Kjo është një çështje e komplikuar ose më saktë komplekse. Gjykoj se duhet të shohim kontekstin social dhe politik. Ne duhet të pyesim veten në radhë të parë: Çfarë është e drejtë dhe çfarë është e gabuar në këtë çështje? Që nga zyra e Kryeministrit kanë kaluar informacione për partinë e opozitës te FBI-ja? Kjo është meseleja? Po, sigurisht që është e drejtë. E kundërta do të ishte e gabuar. Këtu po, këtu jemi te situata bardh e zi, pra ka qartësi. Por nëse e shohim këtë çështje në kompleksitet, këtu nuk është beteja mes së mirës dhe djallit sepse sikundër e dimë ne ajo që për një moment mendojmë se është e mira mund të jetë saktësisht e kundërta e saj dhe anasjelltas atë që shohim si djall, mund të jetë engjëlli që kërkojmë dhe për të cilin, dëshpërimisht aq shumë nevojë… pra politikën duhet ta shohim si një lojë, ku palët jane për të fituar dhe nuk ka barazim, ndryshe nga futbolli…

Moderatori: Po ju zoti P., që keni përcjellë 30 vjet zhvillime në vend dhe keni qenë zëri më i ethshëm në studio, çfarë opinioni keni për këtë ngjarje?

P: Fort i nderuari moderator dhe zotërinj të ftuar! Ju dëgjova me vëmendje dhe katërcipërisht ndaj opinione të diferencuara nga ju. Fjala e drejtë mbetet obligimi ynë në këtë qorrsokak politik të njerëzve, të cilët symbyllurazi flasin përçart duke harruar se ishte kjo parti që para disa vjetësh vodhi shqiptarët dhe i la rrugëve. Nuk mundet t’i kërkohet llogari Edi Ramës përderisa në të shkuarën nuk është dhënë llogari. Krimi i së tashmes amnistohet nga krimi i së shkuarës do të thoshte një filozof i një vendi të madh. Andaj në këtë tymnajë të mosasgjësë, duhet të bëhemi bashkë kundër këtij komploti që po tentohet t’i bëhet Edi Ramës nga ata që kanë halë në sy raportet e tij bilaterale dhe personale me liderët perëndimorë të cilët i priti si zot shtëpie në Shqipërinë që është e mikut dhe e zotit.

Moderatori: Më duhet t’ju ndërpres sepse do të kalojmë në reklama, por besoj të gjithë jemi qartësuar pak më shumë për çështjen. Publicitet dhe rikthehemi prapë për të hedhur akoma dritë!

Read Previous

Sondazhi/ Këlliçi fitues përballë Veliajt

Read Next

OKB: Rreth 9 milionë njerëz në Siri janë prekur nga tërmetet shkatërruese

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *