SHTËPIA E TË VERBËRVE

Tregim nga Sami Milloshi

Është një shtëpi atje tek ajo kodra me ullishte që ka dy të verbër. Dua ta tregoj atë histori, por sa herë filloj ta shkruaj ,fillon të bjerë shi litar. Dhe shiu ma zhgërryen dorëshkrimin. Më futet në mish dhe më duket se do të më hajë të gjallë edhe mua. Më kap tmerri sikur edhe unë do të verbohem.

I zoti i shtëpisë i kishte sytë pishë.Por ia morën sytë . Unë nuk isha aty ta shihja se si. Unë vetëm e pashë vonë ,fare vonë ,se si dy sy të mëdhenj burri u shndërruan në dy zgafella gri ku nuk shihej asnjë gjurmë jete.

Por jeta vazhdonte. Zonja e tij e merrte burrin për krahu dhe e nxirrte tek kafja. I rregullonte karriken të ulej. I bënte për të ngrënë . I lante teshat e trupit dhe e shetiste mbasditeve ndanë ullinjve që t’i çmpiheshin këmbët…

Zonja nuk di të ankohet. Zonja bën tre punë : punën për bukën në tryezë, rritjen e djalit dhe kujdesin për burrin e verbër . Kurrkush nuk ia degjoi një ankim. Kurrkush,as muret e shtëpisë…

Pastaj ndodhi që u verbua edhe djali. Ky ia nxorri sytë vetes. Se ashtu e detyroi sëmundja. Ndoshta edhe verbimi i babait …

Zonjës iu bënë katër sy të verbër në shtëpi.Dy të burrit dhe dy të djalit. Por, zonja nuk u ankua përsëri .I mori dy të verbërit për krahu dhe i çoi te kafja. U rregulloi karriket të uleshin.
Dhe përsëri e përsëri u gatoi për të ngrënë , i lau dhe u ndërroi teshat. Dhe me të dy për krahu i nxorri në shetitje të çmpinin këmbët në rrugën e ullinjve…

Kur kalon zonja me dy të verbërit në krah, rrugës së ullinjve i bie një pah i fuqishëm drite , a thua se vetë Dielli është ulur këmbëkryq. Njerëzit kthejnë kokën në shenjë nderimi. Askush nuk e thotë një gjysmë fjalë . Por, duket që ndalin çapin të shohin atë grua…

Nuk më le shiu ta çoj gjer në fund këtë histori .Sa herë nis ta shkruaj shiu ma zhgërryen dorëshkrimin .Më vjen një mjegull para syve, që ,larg qoftë o Zot,më bëhet sikur edhe mua do të ma marrë shikimin.

Po pastaj , pastaj,kush do të dëshmojë për shtëpinë e të verbërve?!©kumtari.al

Read Previous

Barcelona s’di më si fitohet

Read Next

Kentucky para dhe pas Tornados