Shqiptarët radhiten ndër popujt më jo-bujarë të Europës

Ndonëse bujaria konsiderohet si një nga elementët identifikues të shqiptarëve ndër shekuj, të dhënat e Indeksit Global të Bujarisë tregojnë të kundërtën. Raporti i Fondacionit të Ndihmës dhe Bamirësisë për vitin 2023 e rendit Shqipërinë ndër vendet e fundit në Europë dhe në botë sa i përket bujarisë.

Sociologia Entela Binjaku thotë se kjo rënie tregon se bamirësia dhe ndihma për të tjerët kanë filluar të humbasin si vlerë në familjet shqiptare.

“Sot ju edukohen më pak disa vlera që lidhen me bujarinë. Në kulturën popullore ka ekzistuar përherë shprehja ‘bukë e kripë e zemër’, kjo shprehje duket se po mbetet pak në harresë, sepse njerëzit parapëlqejnë të jenë të mbledhur, dhe më indiferent ndaj nevojave të të tjerëve”, tha Binjaku për Tv Klan.

Sipas studimit, 52% e shqiptarëve për vitin 2023 kanë ndihmuar një të panjohur, 25% kanë dhuruar para, ndërsa vetëm 8% janë angazhuar në punë vullnetare. Ky raport sipas sociologes, reflekton edhe një tablo të ekonomisë shqiptare.

“Sepse njerëzit shikojnë te e përditshmja shumë më tepër vështirësi që i bëjnë ata të mendojnë për të nesërmen më shumë, shprehim më shumë pasiguri.”

Shqipëria, bashkë me Malin e Zi dhe Greqinë rezultojnë vendet më dorështrënguara të rajonit, ndërsa më dorëlëshuar janë shqiptarët e Kosovës. Në botë, shteti më bamirës rezulton Indonezia, ndërsa polakët janë të fundit në renditje.

Read Previous

“Kujdes fëmijët”/Mjeku pediatër shpjegon simptomat e rënda të virozave

Read Next

Parashikimi/ Mot i qëndrueshëm, por me temperatura nën zero