‘Shpenzimet e gjyqit’/ PD: Shteti shqiptar i detyrohet Francesco Becchetit edhe 145 mijë euro të tjera

Zëdhënësja e Partisë Demokratike Floriana Garo ka sqaruar opinionin publik se shteti shqiptar i detyrohet Francesco Becchetit edhe 145 mijë euro të tjera që do t’i shtohen 110 milionëve të eurove, pas mbylljes së televizionit nga kryeministri Edi Rama.

Në deklaratën e bërë nga selia blu, Garo theksoi se ‘një gjykatë ndërkombëtare nuk e ka pranuar kërkesën e qeverisë për anulimin e vendimit të arbitrazhit duke ia ngarkuar shtetit shqiptar edhe shpenzimet e gjyqit dhe kjo e rrëzon përfundimisht pretendimin e Ramës se Beccheti nuk e ka fituar gjyqin, dhe se shteti shqiptar nuk i detyrohet biznesmenit italian’.

DEKLARATË PËR MEDIA ZËDHËNËSJA E PD, FLORIANA GARO

Edhe 145 mijë euro të tjera do t’i shtohen 110 milionëve që shteti shqiptar i detyrohet Francesco Becchetit pas vendimit arbitrar të Edi Ramës për mbylljen e televizionit në pronësi të tij.

Një gjykatë ndërkombëtare nuk e ka pranuar kërkesën e qeverisë për anulimin e vendimit të arbitrazhit duke ia ngarkuar shtetit shqiptar edhe shpenzimet e gjyqit.

Kjo e rrëzon përfundimisht pretendimin e Ramës se Beccheti nuk e ka fituar gjyqin, dhe se shteti shqiptar nuk i detyrohet biznesmenit italian.

Ajo që mbetet është fakti se nga arka e shtetit do të dalin 110 milionë euro për një marrëzi qeveritare.

E gjitha me oreksin e Ramës për të mbyllur gojët që nuk këndojnë refrenin që ai dëshiron të dëgjojë.

Vendimi mund të ketë qenë i Ramës por kostot i merr përsipër taksapaguesi shqiptar.

Të jemi të qartë: Rama nuk paguan asnjë kacidhe për vendimin që ai vetë e ka marrë. Shuma do të dalë nga arka e shtetit, thënë ndryshe nga xhepat e qytetarëve shqiptarë.

Kështu ndodh kur qeveria merr vendime që dëmtojnë, jo vetëm lirinë e shprehjes, por edhe kursimet publike.

Janë me qindra milionët që shteti shqiptar humbet në gjykatat ndërkombëtare për arsye të vendimeve të pamenduara, arbitrare të qeverisë. Përveç Becchetit me 110 milionë, Edi Rama ka beteja të hapura edhe me dy pronarë të tjerë mediash, të cilët i kanë dërguar në arbitrazh abuzimet e qeverisë ndaj tyre.

Qeveria është në të drejtën e vet të bëjë betejat e saj, por vetëm për të mirën publike, jo inate personale, dhe jo me paratë e taksapaguesve.

Partia Demokratike po përgatit dosjen për “rastin Beccheti” dhe raste të tjera të arrogancës dhe abuzimeve trashanike të Ramës, për të cilat kanë paguar e po paguajnë qytetarët shqiptarë.

Read Previous

Analiza e BIRN: Shqipëria nuk do të ketë mundësi të rrisë as paga dhe as pensione, për shkak të cilësisë së qeverisjes

Read Next

Blushi: Vetëm me Këlliçin bizneset do të marrin frymë lirisht, duke paguar më pak taksa dhe tarifa