Shkëmbimi i energjisë, KLSH: KESH shiti lirë dhe përdori “depozitën” me Kosovën

Dy operatorët e gjenerimit të energjisë në Shqipëri dhe Kosovë kanë mes tyre një marrëveshje depozitimi që i shërben optimizimit të portofoleve mes njëra-tjetrës.

Për hir të natyrës së ndryshme të prodhimit të energjisë ku njëra ka në bazë hidron dhe tjera termocentralet marrëveshja është parë si një opsion i mirë për të rritur përfitimet dhe sigurinë energjetike mes vendeve.

Por Kontrolli i Lartë i Shtetit vlerëson se në disa raste nuk është përmbushur siç duhet marrëveshja e shkëmbimit që dy vendet kanë mes njëri-tjetrit.

Konkretisht KLSH nënvizon se nga auditimi rezulton se, Korporata Elekteoenergjetike Shqiptare ( KESH SHA) ka shitur energji elektrike si pasojë e prurjeve të mëdha në muajt shkurt-maj 2018, nëntor-dhjetor 2019 dhe tetor-dhjetor 2020.

Në këto periudha, sipas dokumentit, në vend që të rezervohet energji në KEK, pasi çmimi i shitjes në bursa është shumë i ulët, është marrë nga KEK dhe është shitur me çmime të pa favorshme, siç është shitja në kushtet e prurjeve të mëdha, duke dëmtuar interesat e KESH SHA(përjashtim bën periudha tetor-dhjetor 2021, ku është marrë dhe është rezervuar energji në KEK).

“Nga ana e KESH SHA, janë vënë në dispozicion vetëm dy e-mail, sipas të cilëve i ësht bërë kërkesë KEK për depozitim energjie, konkretisht me shkresën date 16.03.2018, është bërë kërkesë për depozitim energjie për periudhë 72 orësh për sasinë 12252 MWh, me kapacitet deri 200 MW në bandë dhe me shkresën datë 24.03.2018 i është bërë kërkesë KEK për rezervim energjie për periudhë 6 ditore, për sasinë 10509 MWh, kërkesë së cilës i është kthyer përgjigje për pamundësinë e marrjes së kësaj sasie për arsye të përballjes me teprica të mëdha.

Megjithëse kërkesa për depozitim në KEK mund të mos jetë e pranuar është i pa justifikueshëm fakti se nga ana e KESH SHA të pranohet marrja e energjisë nga KEK në kushtet kur ka prurje të mëdha.

Veprimet e mësipërme janë në mospërmbushje me marrëveshjen e shkëmbimit të energjisë elektrike neni 1” thuhet në dokumentin e auditimit.

I njëjti ka bërë edhe rekomandim për korporatën duke nënvizuar se nga shoqëria KESH SHA, duhet të bëhen përpjekjet e duhura për zbatimin e marrëveshjes së shkëmbimit të energjisë elektrike, duke marrë në konsideratë përfitimet e të dy palëve, duke kërkuar të njëjtën gjë edhe nga pala tjetër, me synim përballimin e problematikave dhe optimizimi e shkëmbimit të energjisë elektrike, për të dy kompanitë./Monitor

Read Previous

6 milionë dollarë për monitorim me satelitë, shpallet fituese kompania amerikane

Read Next

Kultivonte lëndë narkotike, arrestohet 50-vjeçari në Tepelenë