Sherr për një vend qëndrimi në lokal/ Policia zbardh arsyet e konfliktit midis dy arsimtareve dhe të afërmëve të tyre

Policia e Tiranës bën të ditur motivin e konfliktit midis dy të afërmëve të dy mësueseve të gjimnazit “Çajupi” në qytetin e Tiranës.

Sipas policisë, konflikti i ditës së djeshme nisi midis dy arsimtareve për një vend qëndrimi në lokal, më pas pjesë e sherrit janë bërë dy të afërm të arsimtareve. Këta të fundit kanë përdorur sende të forta. Policia bën të ditur se një prej këtyre shtetasve ka qëlluar me armë zjarri në ajër, e cila është sekuestruar në cilësinë e provës materiale.

Policia ka vënë në pranga një person dhe një tjetër e kanë shpallur në kërkim. Për gjashtë shtetasit e tjerë që u përfshinë në konflikt, policia ka nisur procedim penal.

 

 

Njoftimi nga Policia e Tiranës

Dokumentohet ngjarja e ndodhur mëngjesin e ditës së djeshme, në rrugën “Kongresi i Manastirit”.

Vihet në pranga 1 shtetas, procedohen penalisht 6 shtetas, shpallet në kërkim 1 tjetër shtetas.

Sekuestrohet një armë zjarri pistoletë.

Në vijim të punës për dokumentimin e plotë të ngjarjes së ndodhur mëngjesin e ditës së djeshme, në rrugën “Kongresi i Manastirit”, në përfundim të veprimeve hetimore, specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 4 bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit E. F., 39 vjeç dhe proceduan penalisht shtetasit E. K., 30 vjeç, E. Q., 41 vjeç, E. K., 32 vjeç., N. Q., 43 vjeç, L. D., 41 vjeç, si dhe shpallën në kërkim shtetasin A. T., 27 vjeç.

Nga veprimet hetimore ka rezultuar se në një lokal në afërsi të një shkolle në rrugën “Kongresi i Manastirit”, fillimisht janë konfliktuar verbalisht, për motive të dobëta (për vend qëndrimi në lokal) shtetasja E. Q., 46 vjeçe dhe D. T., 53 vjeçe. Më pas janë përfshirë në konflikt duke përdorur sende të forta, të afërmit përkatës të tyre, konkretisht shtetasit E. F., E. Q., 41 vjeç, N. Q., 43 vjeç dhe L. D., 41 vjeç (të afërmit e shtetases E. Q.) dhe shtetasit E. K., 32 vjeç, E. K., 30 vjeç dhe A. T., 27 vjeç (të afërmit e shtetases D. T). Si pasojë e konfliktit është dëmtuar me sende të forta shtetasi E. K., 32 vjeç, i cili ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën.

Gjithashtu, gjatë konfliktit dyshohet se shtetasi E. F. (i arrestuar) ka qëlluar në ajër me një armë zjarri pistoletë, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme.

 

kumtari.al

Read Previous

Fitime rekord, stadiumi “Air Albania” i tejmbushur ndaj Polonisë/ Shiten 22 mijë bileta, FSHF arkëton shumën stratosferike

Read Next

Lajm i Fundit / Pezullohen nga detyra dy mësueset e shkollës “Çajupi”