SHËNIM: Takimi në Vatikan, një angazhim diplomatik i nevojshëm i krerëve fetarë për njohjen e Kosovës

Nga Shaban Murati

Shënim nga blloku diplomatik

Komuniteti Mysliman i Shqipërisë njofton në një komunikatë se në 7 maj me ftesë të Papa Françeskut, Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Bujar Spahiu, vizitoi shtetin e Vatikanit, nga ku u prit në një audiencë të veçantë nga Papa, gjatë së cilës kryetari Spahiu i kërkoi Papa Françeskut mbështetjen e shtetit të Vatikanit për pavarësinë e Kosovës.

Është një hap pozitiv, që duhet përshëndetur nga të gjithë, sepse është hera e parë, që një nga krerët e komuniteteve fetare të Shqipërisë i kërkon publikisht kryetarit të një shteti, që nuk e ka njohur Kosovën, konkretisht Vatikanit, që të njohë Kosovën.

Ka rëndësi të veçantë ky hap i ri diplomatik, sepse kërkesa merr peshë diplomatike nga që i drejtohet kryetarit të shtetit të Vatikanit nga kryetari i komunitetit të shumicës myslimane të popullsisë së Shqipërisë, që si shumicë është shtylla dhe garantuesja kryesore e harmonisë fetare shembullore të shoqërisë dhe të shtetit shqiptar.

Kemi një akt të drejtë, i cili nxjerr në plan të parë domosdoshmërinë dhe nevojën e angazhimit diplomatik të krerëve të komuniteteve fetare në Shqipëri në shërbim të interesave kombëtare dhe konkretisht për njohjen e Kosovës si subjekt i pavarur i së drejtës ndërkombëtare. Kemi një shembull pozitiv, që duhet  ndjekur.

Ka qarkulluar nëpër komunitetet fetare të Shqipërisë një qendrim i pakuptueshëm dhe i gabuar, i injektuar nga qendra antishqiptare jashtë vendit, sikur komunitetet fetare shqiptare nuk duhet të përziejnë fenë me çeshtjet kombëtare dhe të rrinë neutralë ndaj marrëdhënieve të Shqipërisë me shtetet e tjere.

Është vendi të theksohet se një qendrim i tillë antidiplomatik dhe antikombëtar ka zënë vend dhe dëgjohet vetëm në Shqipëri. Sepse mjafton të lexosh dhe të shohësh çdo ditë modelin e angazhimit dhe të veprimtarisë diplomatike të krerëve të komuniteteve fetare në gjitha shtetet e Ballkanit dhe do të bindesh se krerët fetarë në gjitha shtetet e rajonit janë në unison me diplomacitë e tyre dhe madje në pararojë në mbrojtjen interesave kombëtare të shtetit të tyre në arenën ndërkombëtare.

Në këtë realitet fetaro-diplomatik të rajonit bëhet e domosdoshme që krerët e komuniteteve fetare të Shqipërisë të dalin nga kuvlitë e të ashtuquajturit neutralitet fetar ndaj interesave kombëtare dhe të angazhohen fuqimisht dhe konkretisht në një veprimtari diplomatike për njohjen e Kosovës.

Kreu i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë duhet ta vazhdojë këtë lëvizje të duhur në drejtim të shteteve me të njejtën shenjë fetare, që nuk e kanë njohur ende Kosovën. Këtë duhet të bëjë edhe kreu i Kishës Autoqefale të Shqipërisë, duke u kërkuar shteteve me të njejtën shenjë fetare, që nuk e kanë njohur ende Kosovën, që të ndërmarrin aktin e njohjes së saj.

Këtë duhet të bëjë dhe Primati i Kishës Katolike në Shqipëri në drejtim të shteteve me të njejtën shenjë fetare, që nuk e kanë njohur ende Kosovën, që të ndërmarrin hapin e njohjes së saj.

Natyrisht kjo kërkon bashkëpunimin dhe koordinimin e  ngushtë me diplomacinë e Shqipërisë për të punuar sëbashku në fushatën e njohjeve të mëtejshme të Kosovës në arenën ndërkombëtare dhe për promovimin dhe mbrojtjen e vazhdueshme të interesave të shenjta të kombit./Gazeta Dita

Read Previous

Putin gati për luftë përtej Donbasit, thotë shefia e inteligjencës amerikane

Read Next

Rama – Manja thërrasin mediat nesër në orën 10 për konferencë tek selia e PS