Shansi i humbur për një president normal

Nga Gjergj Erebara

Kushtetuta e Shqipërisë, në formën që u miratua në fillim në vitin 1998, parashikonte një president mbi palët, jo partiak, me një numër të kufizuar funksionesh, më i rëndësishmi i të cilave ishte kryesimi i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, emërimi, promovimi dhe shkarkimi i prokurorëve dhe gjyqtarëve. Për rrjedhojë, presidenti duhej të zgjidhej me tre të pestat e parlamentit, pra jo me më pak se 84 vota. Por një president i tillë, jopartiak, mbi palët dhe i zgjedhur me kompromis mes dy partive kryesore të vendit, u zgjodh për herë të parë dhe të fundit në vitin 2002 dhe ishte Alfred Moisiu, një gjeneral në pension. Moisiu demonstroi cilësitë e tij si president mbi palët në vitin 2007, kur të dy palët politike u detyruan të arrinin një marrëveshje, në kohën kur Rama bojkotoi zgjedhjet për pushtetin vendor.

Që nga ajo kohë e më pas, të dy palët politike i dhanë vendit presidentë gjithnjë e më të këqinj, figura të dala nga vullneti i njërës palë apo tjetrës. Pasoja e këtij lloj presidenti mund të vërehet te degradimi i mëtejshëm i sistemit të drejtësisë, deri në pikën kur, një reformë tjetër, nën këshillën e ndërkombëtarëve, i hoqi presidentit shumicën e funksioneve në sistemin e drejtësisë për ta zëvendësuar me institucione të tjera.

Në vitin 2008, Rama dhe Berisha ranë dakord që, jo vetëm të mos bënin ndonjë përpjekje për të gjetur president konsensual, por ta degradonin postin e presidentit duke e bërë atë të zgjedhshëm me gjysmën e votave të deputetëve, nga dy të tretat që duheshin më parë.

Edhe mënyra se si u zgjodhën presidentët është domethënëse në vetvete. Në vitin 2007, dukshëm nën frikën se deputetët e tij mund të shiteshin në votim të fshehtë për president, Rama bojkotoi parlamentin. Por në ditën vendimtare, disa deputetë të Partisë Socialiste vajtën në parlament, dukshëm të blerë nga qeveria “Berisha”, për të votuar Bamir Topin si president. Ndërsa në vitin 2012, Berisha zgjodhi një njeri më afër tij sa nuk bëhet për president. Në vitin 2017, socialistët e përdorën postin e presidentit dukshëm si një lloj internimi të artë për aleatin e vet të padëshirueshëm, Ilir Metën, ndërsa tani, presidenti i gjashtë pas rënies së komunizmit, pritet të dalë në formën e një surprize nga xhepi i kryeministrit aktual, pas një përpjekjeje aspak bindëse për “bisedime” me opozitën.

Presidenti i ardhshëm do të ketë akoma më pak funksione në politikën e pushtetit real se sa paraardhësit për shkak të reformës në drejtësi, gjë që sugjeron se palët politike mund të kishin ndonjë lloj interesi për t’u dukur normalë, të aftë për të bërë një politikë normale, e tillë që nuk është 100% në funksion të interesit të vet. Dhe për të identifikuar një president normal, dukshëm duhet t’i referohesh cilësive që kushtetuta ia ka përcaktuar figurës së presidentit, pra që të jetë figurë e kompromisit politik, të jetë mbi palët, të jetë jopartiak, të mos merret me “aktivitet privat”. Me pak fjalë, një figurë simbolike që nuk ka pushtet real, por që përfaqëson kombin dhe ka një autoritet moral. Maksimumi që mund të bëjë me këtë autoritet moral është që të kthejë ndonjë ligj edepsëz të qeverisë në parlament (mund ta bëjë vetëm një herë dhe rrëzohet me shumicë të thjeshtë).

Megjithatë, të hënën parlamenti pritet “ të djegë”, (kështu thuhet), procedurën e parë për zgjedhjen e presidentit të ardhshëm. Në procedurën e parë supozohet se palët politike mund të votojnë një ose disa kandidatura. Në rast se asnjë nga kandidaturat nuk merr tre të pestat e votave, atëhere një raund i dytë dhe një i tretë parashikohet të bëhet në dy javët në vijim, gjatë së cilave, palët politike do të kenë mundësi të bisedojnë në kërkim të kompromisit. Dhe vetëm nëse kjo nuk është e mundur, në raundin e katërt ose të pestë, shumica parlamentare ka të drejtë të zgjedhë presidentin me shumicë të thjeshtë. Ashtu si edhe në herët e kaluara, palët politike, jo vetëm që nuk janë në gjendje të gjejnë president konsensual, por dukshëm as nuk e marrin mundimin të kërkojnë. Në kushtet kur presidenti nuk ka pushtet real, nuk është drejtpërsëdrejti e kuptueshme se pse palët politike as nuk përpiqen t’i japin vendit një president normal. Por ka gjasa që kjo nuk është e mundur pikërisht për shkak se zgjedhja e një presidenti normal rrezikon t’ia rrisë pritshmëritë shqiptarëve nga politika dhe të kërkojnë edhe ndonjë kryeministër normal apo ndonjë kryetar opozite normal, deputetë apo kryebashkiakë normalë, cilësi këto në kontradiktë me aktualitetin. Në fund të fundit, një president normal mund të dalë vetëm nga një politikë normale. /BIRN/

Read Previous

Çfarë ndodhi në veprimtarinë e organizuar për 100-vjetorin e marrëdhënieve SHBA-Shqipëri

Read Next

Aksidenti/ Zbulohet ermi i kompanisë mirëmbajtëse të ashensorëve në QSUT