Sakrificat e Ramës nga gjatë qëndrimit në ShBA për mbledhjen e OKB

Nga Klodian Tomorri

Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara ishte një eveniment mjaft i rëndësishem. Stafi i kryeministrit kishte kohe që e përgatiste me kujdes vizitën. Por për dreq diçka kishte shkuar ters.

Edhe pse kishin tentuar pa pushim të rezervonin një hotel me çmime të arsyeshme, nuk arritën dot. Si përfundim, u detyruan ta çonin kryeministrin në suitën Harcourt të hotelit Baçarat në Manhatan. Me këtë rast, përfunduan në të njëjtin hotel të gjithë anëtarët e delegacionit shqiptar.

Suita, e cila kushton 2700 dollarë në natë pa përfshirë taksat, ofron një pamje të mahnitshme të Manhatanit. Sigurisht një ambient i denjë për udhëheqesa.

Sapo hyri ne dhome, ne celularin e kryeministrit mbërriti një sms. Ishte zv-kryeministrja që i bënte forëard mesazhin e kryetarit të Entit Rregullator të Energjisë: “Shefe, çmimin e energjisë e bëmë aq sa na thatë, 42 lekë për çdo kilovat mbi fashën 800 kilovat/orë në muaj. Përshëndete shefin e madh nga ana ime dhe thuaj se ne jemi këtu për çdo gjë, që të na kërkoni.”

E lexoi mesazhin dhe ktheu një përgjigje të shpejtë: “Shumë mirë. Mos harroni, mëshojini mesazhit që preken vetëm 5 për qind e familjeve. Ndërkohë, herë pas here thoni edhe që në Zvicër të fusin në burg po harxhove shumë energji”- e porositi zëvendësen.

Në sportel, para se të hynte në dhomë, kishte marrë vesh që nuk ishte udhëheqësi i vetëm i akomoduar në atë hotel. Në të njëjtin kat po qëndronte edhe kryeministri i Marokut. Edhe ky me delegacionin e tij, bylyk.

Në fakt, në samitet ndërkombëtare vihet re një korrelacion statistikor shumë interesant mes GDP për frymë të një vendi dhe shpenzimeve të akomodimit të udhëheqësve. Sa më i varfër të jetë një vend, aq më i shtrenjtë është hoteli ku gjendet udhëheqësi i tij. Kjo lidhje është dokumentuar gjerësisht, megjithëse studiuesit ndahen mbi shkaqet e këtij fenomeni. Disa thonë se buron nga korrupsioni. Të tjerë nga mungesa e kulturës, ndërsa një grup e shpjegon me institucionet e dobëta. Por ky është debat studiuesish, që për popullin nuk ka shumë interes.

Për popullin kanë interes sakrificat. Dhe kjo është tamam kohë sakrificash. Për të gjithë.

Petrit Ahmeti bëri sakrificën e madhe duke e 5-fishuar çmimin e energjisë për familjet shqiptare. Me zemër të thyer. Qeveria po bënte sakrificën e madhe duke i treguar popullit gjysmë të vërtetën, që preken vetëm 5 për qind e familjeve. Tek llogaria kanë harruar të heqin nga pjesëtimi faturat me konsum zero, që janë mbi 120 mijë si dhe kane mesatarizuar konsumin vjetor si përfaqësues të konsumit në stinën e dimrit. Kryeministri po bënte sakrificën duke mbrojtur interesat e Shqipërisë në OKB.

Të gjithë po sakrifikonin nga pak. Secili sipas mundësive. Vetëm se disa sakrifica janë më të ëmbla se të tjerat. Por siç ka thënë dhe dikush. Gjysmë të vërtetat janë gënjeshtrat më të mëdha. Përveç gjysmë të vërtetave që thotë qeveria.

Read Previous

Cila është arma më e fuqishme e Putinit kundër Evropës ?

Read Next

Berisha uron Melonin: Do jetë kryeministrja reformatore e ardhshme e Italisë