Rritja e çmimeve shqetëson konsumatorët, besimi në ekonomi bie për të tretin muaj radhazi

Treguesi i ndjesisë ekonomike (TNE) ra në muajin tetor për të tretin muaj radhazi.

Sipas vrojtimit periodik të Bankës së Shqipërisë, ky treguesi regjistroi një një rënie prej 0.4 pikësh krahasuar me një muaj më parë. Megjithatë, pozicioni aktual i TNE-së mbetet 7.2 pikë mbi mesataren afatgjatë. Rënia e indeksit në muajin tetor përcaktua kryesisht nga rënia e besimit konsumator dhe, në një shkallë më të vogël, nga rënia e besimit në sektorin e tregtisë, ndërsa besimi në sektorët e ndërtimit, shërbimeve dhe në atë të industrisë u përmirësuan në muajin tetor.

Treguesi i besimit konsumator shënoi rënie me 7.4 pikë përqindje në muajin tetor. Treguesi i përgjithshëm pasqyroi përkeqësimin e të gjithë komponentëve përbërës të tij. Keqësimi i ndjeshëm i besimit konsumator duket se reflekton kryesisht valën në rritje të çmimeve dhe pritjet për rritjen e tyre të mëtejshme në vazhdim. Vlerësimet e konsumatorëve për treguesit e çmimeve aktuale dhe pritjet janë rritur ndjeshëm krahasuar me ato të muajit shtator.

Edhe treguesi i besimit në tregti ra me 0.7 pikë përqindje në muajin tetor, për të tretin muaj radhazi, i ndikuar kryesisht nga vlerësimet më të dobëta të bizneseve të tregtisë për ecurinë aktuale të biznesit të tyre. Megjithë rënien në tre muajt e fundit, niveli i tij qëndron më lart se sa ai para pandemisë. Ndërkohë, pritjet për ecurinë e biznesit në muajt e ardhshëm, për porositë dhe punësimin janë të përmirësuara në krahasim me ato të muajit të kaluar.

Treguesi i besimit të industrisë shënoi rritje me 5.6 pikë përqindje krahasuar me muajin e kaluar, i ndikuar nga rritja e balancës së prodhimit dhe nga ecuria e përmirësuar në komponentët e kontratave porositëse në total dhe veçanërisht të atyre nga eksportet. Paralelisht me to, gjendja e inventarëve në muajin tetor është pakësuar. Pritjet e bizneseve të industrisë për prodhimin dhe punësimin në të ardhmen janë ngadalësuar lehtësisht në muajin tetor. Bizneset e industrisë presin rritje të mëtejshme të çmimeve të prodhimeve të tyre.

Treguesi i besimit në ndërtim iu rikthye trajektores rritëse në muajin tetor, duke shënuar një vlerë 2.3 pikë përqindje më të lartë se sa një muaj më parë. Ky zhvillim u ndikua më së shumti nga përmirësimi i balancës për kontratat porositëse kundrejt vlerësimit të bizneseve për aktivitet ndërtues lehtësisht më të ulët se sa një muaj më parë.

Edhe treguesi i besimit në shërbime iu rikthye gjithashtu drejtimit në rritje, duke arritur nivelin më të lartë të tre viteve të fundit. Rritja e tij me 4.6 pikë përqindje në muajin tetor u ndikua nga performanca pozitive e komponentëve të lidhur me ecurinë e biznesit dhe me rritjen e kërkesës për shërbime. Në linjë me këta tregues, bizneset vlerësojnë situatën aktuale të punësim në rritje. Bizneset e sektorit të shërbimeve vlerësojnë rritje relativisht të ndjeshme të çmimeve në këtë sektor./Monitor.al

Read Previous

“Elvana Gjata është aktorja më e paguar e filmave shqiptarë

Read Next

Kryeministri që mbledh plehrat