Rrëzohet avioni në Filipine. Raportohet për dhjetra të vdekur

Pesëdhjetë njerëz kanë humbur jetën dhe dhjetëra të tjerë janë plagosur pasi një aeroplan ushtarak u rrëzua në Filipine.

Sipas BBC, në bordin e avionit ndodheshin 96 persona, kryesisht ushtarakë. Ushtarët ishin dërguar si përforcime për të luftuar militantët islamikë siç ishte grupi Abu Sayyaf.

Ministria e Mbrojtjes deklaroi se të vdekurit janë kryesisht personel ushtarak, por tre civilë në tokë u vranë gjithashtu.

Fillimisht u renditën si të zhdukur pesë persona, por tani të gjithë udhëtarët në bord janë llogaritur.

Një zëdhënës nga Forcat e Armatosura të Filipineve i tha faqes së lajmeve ABS-CBN se ata po kërkonin regjistruesin e të dhënave të fluturimit për të zbuluar pse saktësisht aeroplani mund të ishte rrëzuar.

Gjeneralmajor Edgard Arevalo tha se nuk kishte asnjë shenjë të ndonjë sulmi në aeroplan.

Një deklaratë nga forcat ushtarake rajonale, Task Forca e Përbashkët Sulu, tha se “një numër ushtarësh u panë duke kërcyer nga avioni përpara se të rrëzohej në tokë, duke shpëtuar nga shpërthimi i shkaktuar nga rrëzimi”.

Asnjë detaj se si ata arritën të dilnin nga aeroplani apo gjendja e tyre nuk u dha. Shumë nga personat që ishin në bord kishin përfunduar vetëm së fundmi trajnimin bazë ushtarak.

Ky avion, më parë kishte qenë në shërbim me Forcën Ajrore të SHBA-ve dhe në janar i ishte dorëzuar Filipineve.

Read Previous

Varianti Delta/ Brataj, të pavaksinuarit grupi më i rriskuar

Read Next

Rama tregon të dhënat / Fermerët që kanë përfituar nga skema e mbështetjes së naftës pa akcizë