Royal Haskoning DHV: Kosto e ndërtimit të Porto Romanos, 2 miliardë euro

Konsulenca inxhinierike “Royal Haskoning DHV” ka zbuluar planet e saj për dy porte të reja në Europën Lindore.

Planet përfshijnë portin konvencional të Porto Romanos në Shqipëri dhe një “Port të thatë” në Prishtinë, njoftoi Consultancy.eu (një portal i kompanive për konsulentë kryesisht në projektet e infrastrukturës).

Royal HaskoningDHV i hartoi propozimet e saj për projektet për qeveritë e Shqipërisë dhe Kosovës në bashkëpunim me partnerin vendas Abkons. Projektet synojnë një transformim ambicioz të infrastrukturës detare dhe transportit multi-modal në Rajon, një propozim që ka kënaqur autoritetet në të dy vendet.

“Consultancy.eu” njoftoi se detajet e projektit do të shtjellohen më tej në periudhën e ardhshme, pas së cilës do të fillojë ndërtimi i Portit. Porto Romano është planifikuar të vihet në punë në vitin 2025 dhe vlerësohet se projekti do të kushtojë rreth 2 miliardë euro, ndërkohë nuk ka ende një vlerë finale për “Portin e thatë” që do të ndërtohet në Prishtinë.

Konsulentët kanë sqaruar se Porti i ri detar i Porto Romanos do të përdorë teknologjitë më të fundit të automatizimit dhe do të ndërlidhet me rrjetin hekurudhor si dhe me infrastrukturën rrugore. Kjo do të mundësojë që porti detar të lidhet tërësisht me një “port të thatë” që po zhvillohet aktualisht në Prishtinë, Kosovë.

“Port i Thatë” është një terminal në brendësi që mund të arrihet nga një port detar me kamion, tren. Në veçanti, një port i thatë funksionon si një qendër dërgese për mallrat detare me destinacion të brendshme.

Investimet në Porto Romano dhe Prishtinë, dhe potenciali i tyre për bashkëpunim, shpresohet t’u mundësojë të dyja vendeve të luajnë një rol të rëndësishëm në sektorin e transportit në Ballkan, sqaron portali i konsulentëve.

Erik Oostwegel, i cili është CEO në Royal HaskoningDHV që nga viti 2013, vuri në dukje se “planet do të sigurojnë që bregdeti i bukur i Shqipërisë të restaurohet, duke i bërë zonat më tërheqëse për aktivitetet turistike”.

Kur qeveria shqiptare njoftoi synimin e saj për të përmirësuar portin detar të Durrësit hyri në një diskutim me ekspertë të Royal HaskoningDHV.

Porti i ri në Porto Romanos lindi nga nevoja për zhvendosjen e aktiviteteve industriale në nga Porti i Durrësit në një lokacion të ri. Sipas ekspertëve në Royal HaskoningDHV, këto projekte ka gjasë të rrisin efikasitetin e zinxhirëve logjistik dhe ta bëjnë ekonominë shqiptare me konkurruese.

Zhvendosja e Portit të Durrësit

Projekti Durrës Yacht & Marina, për të cilin është deklaruar se do të ketë një vlerë totale investimi prej 2 miliardë euro nga kompania EMAAR nga Emiratet e bashkuara Arabe pritet që të zhvillohet në hapësirën ku sot ndodhet Porti i Durrësit, teksa ky i fundit do të zhevndoset në Porto Romano. Kompania zhvilluese ka marrë nga shteti 80 hektarë tokë shtetërore të cilën do ta zhvillojë me faza dhe ndërkohë do të fillojë shumë shpejt dhe shitjen e apartamenteve.

Zhvendosja e portit të Durrësit në Porto Romano do të jetë graduale, pasi edhe zhvillimi i projektit në portin ekzistues do të jetë i tillë dhe pritet të zgjasë rreth 10 vjet.

Ekspertët kanë pohuar se zhvendosja e Portit të Durrësit në çdo skenar do të ishte e nevojshme, pasi porti aktual ka nevojë për përmirësime rrënjësore që lidhen me rritjen e volumeve të përpunimit, por edhe me sigurinë portuale, nevojën për më shumë autonomi dhe hapësirë për forcat detare dhe nevojën për ndërlidhje më të mirë me logjistikën rrugore dhe hekurudhore.

Por, ende nuk janë bërë publike se sa është investimi final për portin e ri në Porto Romano, cilët do të jenë financuesit, që do të varen nga projekti i detajuar inxhinierik dhe formula që do të zgjidhet për operimin.

Një nga alternativat është dhe marrëveshja koncesionare për operimin e terminaleve të mallrave dhe atyre logjistike në tokë. Sipas ekspertëve, përpunimi i zonave logjistike në Porto Romano paraqet interes të veçantë në këtë drejtim.

Shuma prej 2 miliardë eurosh është sa 40% e buxhetit total vjetor të shtetit, duke e bërë Portin praktikisht të papërballueshëm nga fondet buxhetore./monitor

Read Previous

PD çon në kushtetuese Bordin e Naftës, zbardhet padia

Read Next

Kriza energjitike/ Gjermania do të mbajë në punë gjatë dimrit dy centrale bërthamore