Rezolutë e zonjës Grida Duma: Kemi vulë, kemi seli, SPAK-u të na kthejë anëtarësinë!

Ish nënkryetarja e PD-së, e shumënjohura, zonja Grida Duma, ka bërë sot një propozim të rrallë në trajtë rezolute.

Unë, Grida Duma, siç kuptohet, që të gjithë më njihni dhe ju njoh, siç dihet botërisht dhe planetarisht, me kontribute pafundësisht të çmuara, në politikëbërje dhe në partinë ku kam fatin të militoj, ju njoftoj se, çfarëdo që të bëjë kolegu Sali Berisha, këmbës t’i bjerë, vulën dhe selinë, nuk ka për ta parë kurrë me sy, sepse këto dy elemente themelore, janë të lidhura pazgjidhshmërisht me Lulin tonë.

Ato pra, vula dhe selia jonë e bukur, janë të shenjta dhe na përkasin vetëm ne, domethënë Lulit, mua, Gazit, Joridës, Alibeut dhe mbi të gjitha zonjës Yuri Kim!  

I pari që duhet ta kryejë këtë punë është SPAK-u, i cili duhet të thërrasë në mënyrë urgjente dhe emergjente, të gjithë anëtarësinë e PD-së, ta ngarkojë penalisht atë dhe të urdhërojë gjykatën, që brenda 24 orëve, të bëjë kthimin e menjëhershëm të tyre, aty ku e kanë vendin, pra në partinë e Lulit tonë.

I kujtojmë SPAK-ut tonë modern, se tetë vjet më parë, vetë kolegu Berisha ia dorëzoi Lulit tonë, një për një në dorë, të gjithë anëtarësinë e çmuar dhe sot pa pikë turpi, vjen dhe e rrëmben, një gjë të dhuruar tetë vjet më parë! 

Së fundi, në përfundim të mendimeve të mia si gjithmonë konstruktive dhe në dobi të partisë dhe komunitetit tonë, mendoj që pasi SPAK dhe gjykata, të veprojnë në mënyrë pro-amerikane, duke kthyer anëtarësinë tonë, në duart legjitime të Lulit, vetë ambasadorja jonë e dashur, Yuri Kim, është e ftuar të vijë në oborrin e selisë tonë të nderuar në PD, me një gjel të madh në dorë dhe ashtu siç bëri në Tropojë, t’ja presë kokën aty, në sy të demokratëve, në mënyrë demokratikisht amerikane, njëlloj sikur pret figurativisht dhe metaforikisht, kokën e kolegut tonë Sali!

Pas leximit të kësaj deklarate, Salianji i shkretë, për ta ruajtur disi, i kërkoi Gridës që materiali të zbutej pak, por më kot! Grida i hodhi një vështrim të egër, sikur do t’i priste kokën figurativisht dhe metaforikisht edhe vetë Salianjit dhe këtu diskutimi dhe mbledhja bashkë, u mbyllën. Kaqë./TPZ/

Read Previous

Sa anëtarë të KK ka patur Basha sot?

Read Next

Europa ime: Duhet një fillim i ri në Ballkan