Reforma në drejtësi shënon një tjetër sukses, prokurorin që gënjeu publikisht, e ngren në detyrë

Këshilli i Lartë i Prokurorisë emëroi në SPAK Alfred Shehun, ish-prokurorin e Elbasanit që u bë i famshëm pak ditë para zgjedhjeve të 25 Prillit, pasi gënjeu publikisht kur tha se në vendin e vrasjes së Pjerin Xhuvanit nuk u gjetën materiale zgjedhore. Gjatë konferencës për mediat, prokurori u pyet nëse ishin gjetur apo jo materiale zgjedhore në makinën e patronazhistit të Partisë Socialiste dhe ai e mohoi këtë (VIDEO ME POSHTE)

Por manipulimit të prokurorit i doli boja disa ditë më pas, kur në sallën e gjyqit, u detyrua të pranojë se në makinën e Kelmend Xhaferrit (Kel Çamit një nga protagonistët e ngjarjes) ishin gjetur karta identiteti, lista dhe formularë patronazhistësh dhe një sasi eurosh. (VIDEO ME POSHTE)


Menjëherë në media u krahasua deklarata që dha prokurori i Elbasanit, Alfred Shehu në konferencë me gazetarët, me atë në sallën e gjyqit, pasi zgjedhjet kishin përfunduar. Në media u botuan edhe pjesë nga dosja hetimore që paraqiti në sallë prokurori për vrasjen e Xhuvanit, ku ishin përmendur materialet që kishin të bënin me shitblerjen e votës.

Vrasja e Xhuvanit ngërtheu në vetvete përplasjen më të fortë mes grupimeve politike para zgjedhjeve të 25 Prillit. Për ta përdorur në interes të fushatës u vu në punë e gjithë makineria e manipulimit të pushtetit.

Ngjarja implikoi jo vetëm blerësit e votave për Partinë Socialiste, jo vetëm kriminelë të përfshirë në fushatën e PS-së së Elbasanit, por edhe një ndërhyrje manipulative nga policia dhe prokuroria e qytetit.

Protagonist i padiskutueshëm ishte prokurori Alfred Shehu, i cili duke mohuar gjetjen e materialeve zgjedhore apo materialeve që kishin të bënin me shitblerjen e votës në vendngjarje,  i shërbeu socialistëve në pushtet për të fshehur shkakun e krimit, që ishte shitblerja e votave.

Menjëherë pasi kreu shërbimin ndaj socialistëve, karriera e Alfred Shehut njohu vetëm ngjitje.

Nuk kaloi as një muaj nga zgjedhjet dhe prokurori kaloi me sukses vetingun. Disa muaj më pas u ngrit në detyrë dhe u emërua në krye të prokurorisë së Sarandës. Pak muaj më pas, emri i tij u propozua për në SPAK.

Në përfundim të procedurës së vlerësimit, këtë të hënë, Këshilli i Lartë të Prokurorisë vendosi renditjen e tij në vendin e dytë me 211 pikë, duke pranuar propozimin për SPAK.

Promovimi është finalizuar me emërimin në Strukturën e Posaçme AntiKorrupsion, e njohur ndryshe si SPAK, që duhej të ishte ekipi elitë i organit të akuzës në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, por që gjithnjë e më shumë po i ngjan një seksioni të prokurorisë në shërbim të mazhorancës në pushtet./lapsi.al/

Read Previous

Prokuroria belge letër Bashës për “letrat” e Toyota Yaris

Read Next

Nënkryetari PD: Nuk ka krizë në parti! Fevziu: Na fal, paskemi bërë emision kot