Reagon për herë të parë Yuri kim për peticionin online

Pas qëndrimeve të mbajtura për politikën shqiptare, në rrjet qarkulloi një peticion online kundër ambasadores amerikanë në Shqipëri, ku thuhej se kjo e fundit ka tejkaluar kompetencat dhe kërkohej që ajo t’i përmbahej vetëm statusit të saj diplomatik.

Për këtë peticion ka reaguar sot për herë të parë vetë ambasadorja, e cila tha se njerëzit kanë të drejtën të shprehin pikëpamjet e tyre.

Kim tha në emisionin “Open” se roli i saj është keqkuptuar dhe se nuk është me pushime në Shqipëri, por si përfaqësuese e SHBA.

“Mendoj që njerëzit në një demokraci kanë të drejtën të shprehin pikëpamjet e tyre. Ndonjëherë bazohen në fakte, ndonjëherë jo, por pavarësisht kësaj, kanë të drejtën absolute ta shprehin. Kështu që respektoj pikëpamjet që shprehen. Do të them këtë – mendoj se ndonjëherë ka një keqkuptim se cili është roli i ambasadores amerikane, apo veprimet e ndërmarra nga ambasadorja amerikane. Unë nuk veproj mbi baza personale. E dini, nuk jam me pushime këtu. Unë përfaqësoj Presidentin e Shteteve të Bashkuara dhe flas në emër të Shteteve të Bashkuara.

Mendoj që Sekretari i Shtetit, Presidenti kanë qenë shumë të qartë për rëndësinë që ka lufta kundër korrupsionit dhe, në fakt, qershorin e kaluar, Presidenti Biden nxori një deklaratë që shprehej se lufta kundër korrupsionit është interes i sigurisë kombëtare të Shteteve të Bashkuara, është një interes thelbësor i sigurisë kombëtare të Shteteve të Bashkuara. Ndaj, mos gabojë kush, do të vazhdojmë t’iu kërkojmë llogari atyre që janë përfshirë në korrupsion. Çështja tjetër është kjo, nëse është pjesë e kufirit tim diplomatik këtu. Patjetër që është. Unë nuk e sajoj vetë përshkrimin e punës time. Unë kam një numër objektivash specifike që më kërkohet të arrij, si përfaqësuese e Shteteve të Bashkuara dhe unë jam një nëpunëse publike e përkushtuar. Do të vazhdoj ta bëj punën time sipas udhëzimeve të Presidentit të Shteteve të Bashkuara”, theksoi Yuri Kim.

Read Previous

Nga Sali Berisha: Si veshka midis padronit supergrata dhe vëllait nongrata!

Read Next

Kush është peshku i madh në rrjetën e SPAK?/ Flet Yuri Kim