RCC prezanton gratë e suksesshme të Ballkanit

Tiranë – Dhurata Thanasi Daneri, Snjezana Köpruner, Elki Shehu, Mirjana Babic, Zagorka Blazevska, Marijana Gligoric janë shpallur Gratë Sipërmarrëse të vitit 2022, të Ballkanit Perëndimor, në ceremoninë e organizuar nga Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal (RCC) më 9 Mars, në Tiranë.

“Dua të uroj të gjithë fitueset e mrekullueshme këtë mbrëmje. Ky është momenti i tyre, dua t’u them faleminderit të gjitha grave të tjera të biznesit, të nominuara ose jo, që i kanë hyrë një rruge pa kthim, drejt krijimit të një shoqërie me mundësi të barabarta, të fuqizuara nga gratë. Është fakt se gratë në Ballkanin Perëndimor janë ende në pozita shumë më të pafavorshme sesa burrat. Vetëm 50% e tyre janë aktive në tregun e punës, krahasuar me 71% të burrave. 42% e grave në rajon janë të punësuara dhe nëse flasim për të rejat, kjo përqindje zbret në 15%.

Për më tepër, shumica e grave në rajonin tonë janë ende në karriera që tradicionalisht kanë paga më të ulëta – si shërbimet në industri, shitja me pakicë, ndërsa në shkencë, teknologji, inxhinieri dhe matematikë (STEM) ato zënë vetëm 14%. Prandaj, ne në RCC u siguruam që ta bëjmë fuqizimin e grave pjesë kryesore të agjendës sonë, të cilën po e realizojmë vazhdimisht. Puna e palodhur, mendimi inovativ dhe angazhimi i palëkundur që ndihmon ekonomitë tona të rriten dhe shoqëritë tona të lulëzojnë janë arsyeja për të fuqizuar sipërmarrjen e grave në rajon. Nëpërmjet kësaj njohjeje, synimi i RCC-së është që t’u japë një mundësi promovimi grave që guxuan të thyejnë tavanin klasor të sipërmarrjes,” tha Pranvera Kastrati, drejtuese e komanduar e Departamentit të Programeve.

Pas zonjës Kastrati, fjalën e rastit në ceremoni e morën Anuela Ristani, nënkryetare e Bashkisë së Tiranës dhe Hubert Perr, Shef i Bashkëpunimit, Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri.

RCC e nisi këtë iniciativë vitin e kaluar në kuadrin e Planit të Veprimit të Tregut të Përbashkët Rajonal 2021-2024 dhe Agjendës për Fuqizimin Ekonomik të Grave për të promovuar gratë që kanë filluar dhe zhvilluar biznesin e tyre dhe kanë kontribuar në krijimin e vendeve të reja të punës e të një tregu më të qëndrueshëm për gratë dhe burrat e tjerë në rajonin tonë.

Pikërisht katër vjet më parë në këtë datë, RCC nisi fushatën “NE”, që synon Fuqizimin e Grave në Sipërmarrje në Ballkanin Perëndimor. Filluam me promovimin, vazhduam me aktivitete të shumta konkrete, të prekshme, duke mbështetur bizneset e grave përmes granteve të vogla turistike, konkurseve si Balkathon, Regional Butterfly Innovation Award dhe Futurismo, inkurajimin e grave të reja për të zgjedhur karrierën STEM dhe në fund me krijimin e Rrjetit Rajonal të Grave në Sipërmarrje, për fuqizimin ekonomik të grave në rajon, zgjerimin e partneriteteve mes tyre dhe mbajtjen gjallë të debatit për krijimin e një mjedisi gjithëpërfshirës, adresimin e sfidave dhe nevojat të tyre në të gjithë rajonin tonë dhe tregun e përbashkët.

Read Previous

Këlliçi: Banorët paguajnë faturën e ujit dhe ujë nuk kanë

Read Next

Zgjedhjet e 14 majit/ Meta shkon në selinë blu