Rama bie në kurth me historinë e Alabbar në Zagreb

I akuzuar se po i fal taksat dhe truallin për investimin gjigand, por të paligjshëm në Durrës, Edi Rama ka tentuar ta devijojë debatin, duke i dalë në mbrojtje investitorit arab Mohammed Alabbar.

Ai publikoi në rrjetet sociale titullin e një shkrimi të BIRN që raporton se “Eagle Hills and Real Estate Development” e Alabbar ishte favorite në një garë në Kroaci për një investim gjigand, i quajtur ndryshe si “Manhatani i Zagrebit”.

Ngjan qesharake se si vetë Rama, ose këshilltarët që ia kanë sugjeruar titullin, nuk kanë marrë mundimin të thellohen dhe të lexojnë diçka më shumë në brendësi të shkrimit dhe të historisë së “Manhatanit të Zagrebit”.

Sepse ashtu do të kuptonin se paralelizmi nuk qëndron, sepse çfarë ndodhi në Zagreb dhe çfarë po ndodh në Durrës janë dy realitete shuma larg njëri-tjetrit. Le t’i marrim me radhë.

Devijimi i akuzave tek Alabbar

E para, duhet nënvizuar se Rama s’ka çfarë t’i mbrojë Mohammed Alabbarit. Sepse gishti nuk është drejtuar tek investitori i huaj, por tek kryeministri i Shqipërisë.

Nëse investitorit privat i ofrohet një kontratë plot privilegje dhe përfitime me shtetin shqiptar, përgjegjës janë zyrtarët shqiptarë dhe jo privati që e firmos.

Nëse kompania Eagle Hills Real Estate Development u zgjodh pa garë, nëse nuk dihet kush e hartoi projektin e Durrësit, nëse iu fal trualli pa transparencë, nëse iu falën taksat dhe nëse do të investojë vetëm 140 milion euro nga 2 bilion të premtuara, atëherë këtu përgjegjësia është e kryeministrit Edi Rama, që administron pasuritë publike.

Prandaj shkrimet e Google që tregojnë se Alabbar është investitor me reputacion të respektuar janë pa vlerë, kur i shpërndan një kryeministër që nuk respekton shtetasit e tij.

Alabbar u fut në garë në Zagreb

E dyta, shkrimi në brendësi shkon përtej titullit. Vërtet Alabbar është favorit për të ndërtuar “Manhatanin e Zagrebit”, por kryetari i Bashkisë atje, Milan Bandiç organizoi një garë për tenderin prej 500 milion eurosh.

“Të pyetur nga BIRN se cilat kompani kishin aplikuar, bashkia dhe zyra e bashkisë thanë se ishin marrë tre oferta, dy prej të cilave plotësojnë kushtet. Njëri ishte Bouygues Batiment International nga Franca. Tjetri ishte Eagle Hills, nga Emiratet e Bashkuara Arabe”thuhet në shkrim.

Pra, në Kroaci ka garë për investimin 500 milion euro. Në Shqipëri nuk pati garë për 2 bilion euro investim.

Jo vetëm kaq. Ne nuk dimë ku, si dhe pse u mor vendimi për të zhvendosur portin e Durrësit, për të falur 1.3 milion metër katrorë tokë dhe për të falur taksa.

Projekti në Zagreb u anulua pas protestave qytetare

E treta, historia vazhdon pas vitit 2019, kur u shkrua shkrimi. Rezultoi se kryetari i Bashkisë së Zagrebit, Milan Bandiç nuk i kishte pyetur qytetarët për investimin e Mohammed Alabbar. Atëherë qytetarët dolën në rrugë. Organizuan protesta, kërkuan anulimin e mega-projektit Bandiç-Alabbar dhe pas disa muajsh, vendimi u anulua në Tetor të vitit 2020.

Mungesa e konsultimit publik në Zagreb ishte thelbësore në tërheqjen e projektit. A i pyeti kush qytetarët e Durrësit për “Marina dhe Jahte” që zhvendos portin mijëravjeçar? A ka ndërmend të ngrihet njeri në protestë kundër marrjes së vendimeve të tilla të fshehta?

Deri tani jo. Edhe sikur, policia e Ramës e ka gati gazin lotsjellës./laspi.al

Read Previous

Lubonja: Rama si Putini

Read Next

Protesta masive në Malin e Zi: Kërkohet ndryshimi i Ligjit për Presidentin