Putin paralajmëron pushtimin Ukrainës

Presidenti rus, Vladimir Putin tha se konflikti në lindje të Ukrainës, në krahinën e Donbasit, “duket si gjenocid”, një përkufizim që rrit shqetësimet për përshkallëzimin e konfliktit në një luftë të plotë. Putin mblodhi këshillin e tij për të drejtat e njeriut në të njëjtën ditë kur presidenti amerikan, Joe Biden, nisi samitin për demokracinë.

Ai tha se “rusofobia” ishte hapi i parë drejt “gjenocidit”, teksa komentoi edhe telefonatën mes Biden dhe presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelenskiy, ku sipas tij u diskutua futja e shtetit në NATO.

“Dua të them se rusofobia është hapi i parë drejt gjenocidit. Ajo që po ndodh tani në Donbas, mund ta shohim fare qartë, e dimë, e duket si gjenocidi që ju sapo përmendët”, u tha Putin të pranishmëve. “Duhet të veprojmë me shumë kujdes”.

Ukraina akuzon Rusinë se ka mbledhur dhjetëra mijëra trupa në kufi dhe po përgatit një sulm të plotë ushtarak, duke bërë që të shtohet frika për një luftë të mirëfilltë që mund të përfshijë jo vetëm dy shtetet fqinje.

Rusia mohon se po planifikon të sulmojë, por akuzon Ukrainën dhe Shtetet e Bashkuara se po përpiqen të destabilizojnë rajonin. Putin ka kërkuar garanci që NATO nuk do të zgjerohet në lindje, por Ukraina thotë që asnjë vendim nuk mund të miratohet pa pjesëmarrjen e saj.

Në terren, situata vijon të jetë e tensionuar. Forcat e armatosura separatiste në Donbas, vijojnë të qëndrojnë në llogore dhe thonë se kanë humbur shpresën për një zgjidhje paqësore të konfliktit. “Pala tjetër kërkon vetëm hapësira për të shkelur marrëveshjen e Minskut, nuk dëshiron paqe. Putin është njeri realist, ai e bën mjaft mirë punën e tij. Ndërsa fjalët boshe të amerikanëve nuk të çojnë gjëkundi”, thotë një ushtar separatist për Reuters. “Kudo ku shfaqen amerikanët ka luftë, kështu do të shkojë puna edhe në Ukrainë, madje ka filluar tashmë”.

Lidhjet miqësore mes Ukrainës dhe Rusisë u shpërbënë plotësisht pasi Putin aneksoi Krimenë në vitin 2014, ndërsa në territoret kufitare u ngritën lëvizje separatiste të mbështetura nga rusët. Sipas autoriteteve në Kiev, nga ky konflikt kanë humbur jetën 14 mijë persona./a2

Read Previous

Briken Calja, djaloshi i artë shqiptarë

Read Next

Nëna shet njërin nga binjakët për $104, për mbijetesë