Zbulohet e vërteta e takimit të Naim Murselit me kryeministrin Rama
Fillimisht, në një status të varfër në Twitter, Rama shpalli se kishte vendosur të mos merrej me budallenjtë që i hidhnin këto gurë në lumë, duke paralajmëruar se nuk do prononcohej më për këtë temë. Të njëjtën gjë bënë edhe kamikazët e tij mediatikë duke u zhdukur si me komandë nga debatet e mbrëmjes që trajtonin çështjen e Charles McGonigal. Por, kjo strategji, nuk zgjati dot as 24 orë. Miza që i digjte e bëri kryeministrin të japë shpjegime të tjera, për mikun e tij të arrestuar në Amerikë. Ai pretendoi se as vetë personalisht, as qeveria e Shqipërisë nuk kishte lidhje me akuzat që rëndonin mbi zyrtarin e arrestuar. Se, McGonigali, 225 mijë dollarët i kishte marrë si borxhe private. Se ai vetë, i njihte dy ndërmjetësit që kishin “financuar” zyrtarin e FBI-së, por ama, ata nuk kishin punuar për llogari të tij.
Lapsi.al i është drejtuar me një email zyrtar pyetjesh edhe ambasadës amerikane në Tiranë, edhe Departamentin të Drejtësisë në SHBA, për të mësuar mbi axhendën e ish-zyrtarit të lartë të FBI-së në Tiranë, nëse ai është shoqëruar nga diplomatë në këto biseda me kryeministrin apo ato kanë qenë takime private me qëllime të tjera. Pasi pyetja më e rëndësishme është se për ç’arsye kryeministri i Shqipërisë duhet ta takonte një zyrtar të lartë të FBI-së në praninë e personave privatë, që i kishin dhënë para apo paguar udhëtimet këtij të fundit?
Por edhe me kaq informacione sa mund të lexohen në përshkrimin e detajuar të aktakuzës kundër Charles McGonigal, del e qartë, se ndryshe nga ç’pretendon kryeministri shqiptar, ai është i dyshuari kryesor për korruptimin e këtij zyrtari.
Pika më e fortë për këtë gjendet në atë paragraf të aktakuzës kundër Charles McGonigal ku dëshmohet se ai u angazhua për të investiguar në dëm të një partie të opozitës. Nuk ka asnjë dyshim se bëhet fjalë për hetimin e çështjes se pagesave që Lulzim Basha i bëri lobistit Nik Muzin. Edhe datat edhe interesi për çështjen përkojnë me periudhën kur shpërtheu ky skandal.
Pra, ka një pyetje që qartëson gjithçka: çfarë leverdie do kishte një person privat si Agron Neza t’i jepte 225 mijë USD Charles McGonigal-it, për të hetuar kundër PD-së? Vetëm kaq mjafton për të kuptuar se njeriu i interesuar të dëmtonte rivalin e tij politik, qe një dhe vetëm një: Edi Rama. Partia e tij e përdori më pas këtë çështje për të anatemuar partë ruse të Bashës dhe për të denoncuar deputetët e rublave. Pra nuk ka dyshim se Charles McGonigal është korruptuar nga regjimi i Tiranës, për ti shërbyer luftës së brendshme politike në Shqipëri. Ky version përforcohet edhe më tej në aktakuzë ku theksohet fjalë për fjalë, se në 22 janar 2018, Agron Neza, i dha zyrtarit të FBI-së informacione që i kishte marrë drejtpërdrejt nga zyra e kryeministrit. Pra njeriu që e kishte paguar me dollarë cash McGonigalin, po e furnizonte atë edhe me me informacionet që kabineti i Edi Ramës prodhonte kundër PD-së.
A mund të ketë më dyshime pas kësaj? Natyrisht që jo. Ish zyrtari tashmë i arrestuar i FBI-së, nuk ka marrë para, as për biznes, as për interesa personale, ai është paguar si lobist politik i pushtetit.
Këtë e dëshmojnë edhe fakte të tjera në aktakuzë. Kështu, ai që në dokument rezulton si dëshmitari B, por që tashmë është njohur si këshilltari informal i kryeministrit, Dorian Duçka, i ka paguar shpenzimet dhe udhëtimet zyrtarit të FBI-së. Po pse një njeri i afërt me Ramën, të cilin ai e ka pajisur me pasaportë diplomatike, të cilit i ka lënë të drejtën e përdorimit të një adrese emaili të kryeministrisë, u dashkërka të financoka Charles McGonigal? Natyrisht për realizimin e objektivave që i ka caktuar për të realizuar shefi.
Për të gjitha këto, jo më kot, kryeministri i Shqipërisë përmendet plot 14 herë në aktakuzë. Jo më kot ai ka bërë plot 4 takime me McGonigal, jo me tagrin e postit që ai mban në FBI, por për ta përdorur këtë pozicion për interesa okulte lobimi.
E gjithë vija logjike e kësaj marrëdhënieje të çon në një pikë: se Edi Rama është në origjinë të korruptimit të zyrtarit më të lartë të FBI-së të akuzuar ndonjëherë për këtë krim. Me anë të njerëzve të tij ai dyshohet se e pagoi atë për ta përdorur në luftën e brendshme politike të Tiranës, për të goditur opozitën dhe përforcuar pozitat e pushtetit të vet./LAPSI