Pse nisën hetimet për Ilir Metën

Prokuroria e Posaçme, SPAK ka nisur hetimet për ish-presidentin Ilir Meta.

Përmes një njoftimi për mediat, SPAK sqaron se kërkesa e drejtuar KQZ për një kopje të formularit të vetëdeklarimit për Ilir Metën është pjesë e hetimeve që po kryen Prokuroria e Posaçme në kuadër të procedimit penal regjistruar mbi bazën e kallëzimit të shtetasit Halit Valteri.

“Nisur nga interesimi i shumë gazetarëve pranë SPAK, lidhur me një kërkesë që spak i ka drejtuar KQZ, sqarojmë se ajo kërkesë është pjesë e hetimeve që po kryen Prokuroria e Posaçme në kuadër të procedimit penal regjistruar mbi bazën e kallëzimit të shtetasit Halit Valteri. Nuk kemi ndonjë informacion tjetër për të dhënë. Hetimet vazhdojnë”, thuhet në njoftimin e SPAK.

Në qershor të këtij viti, Vlateri paditi ish-presidentin me akuzën se gjatë kohës që ka qenë në pushtet ka përfituar para nëpërmjet korrupsionit dhe këto i ka përdorur për lobim.

“Kam kallëzuar në SPAK Ilir Metën, Monika Kryemadhin, Vangjel Tavon, dhe administratorin e Dorelita Invest që është një kompani që operon në Qipro dhe është lavatriçja kryesore e pastrimit të parave të LSI-së. Në këtë dosje ka fakte dhe pretendime, që thuhet janë paguar qindra mijëra euro për ngritjen e figurës së Ilir Metës. Sot që flasim gazetat austriake kanë bërë publike fatura me vlerë qindra mijëra euro që janë derdhur në shërbim të LSI-së. Këta persona akuzohen për pastrim parash dhe korrupsion. Meta, Kryemadhi e të tjerë do të përballen me fakte konkrete, paratë e fituara nga korrupsioni qeverisjes së LSI-së. Institucionet shtetërore flenë gjumë përpara fakteve që bërtasin  me të madhe. Paratë  janë derdhur nëpërmjet bankave, por janë përdorur kompanitë offshore në Qipro, pasi lehtësisht e kanë me ligj që mund të mos i deklarojnë paratë”, tha ish-deputeti në qershor pasi depozitoi padinë në SPAK.

Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar i kërkoi Komisionit Qendror të Zgjedhjeve një kopje të formularit të vetëdeklarimit për Ilir Metën.

“Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe dhe Krimit të Organizuar po kryen hetime në funksion të procedimit penal Nr.122, të vitit 2022. Për nevoja të hetimit të këtij procedimi penal, kërkojmë kopje të formularit të vetëdeklarimit në zbatim të ligjit nr. 138/2015 ‘Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike’, të dorëzuar nga ish Deputeti i Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, 11ir Metaj (Meta)”, thuhet në shkresën e SPAK.

Read Previous

“Tmerr” në kanalin e La Manshit, prishet treni nënujor: Dhjetëra pasagjerë mbeten të bllokuar

Read Next

Miliona vezë nga Serbia e Turqia/ Ministria e Bujqësisë dhe AKU rrezikojnë shëndetin e shqiptarëve, dalin kundër rregullave të BE-së