PROVA E RADHËS E DËSHTIMIT TË KUVENDIT PËR TË GARANTUAR AKSESIN E MEDIAS

Nga Esiona Konomi

Të premten, kryetarja e Kuvendit, znj. Lindita Nikolla thirri gazetarët në një bashkëbisedim të parë.
Edhe pse ishte një ditë me aktivitete të ngjeshura dhe Kuvendi nuk kishte në përpunim ndonjë çështje me rëndësi specifike për të cilën do të vlente të pyesja znj. Nikolla, bashkë me shumë kolegë, e respektuam ftesën e saj.
Shkuam, e dëgjuam, e pyetëm.
Praktika ishte sipas rregullores së re për masmedian. Kamerat mund të filmonin panoramën e përgjithshme dhe të bënin plane vetëm 5 minutat e para, ndërsa sinjali i plotë, bashkëbisedimi, do të transmetohej nga Kuvendi përmes sistemit të tij tashmë të shumëdiskutuar prej nesh se çfarë ofron.

Teksa aktiviteti filloi, redaksitë po na shkruanin me shqetësim se sinjali i prodhuar nga Kuvendi, ishte i patransmetueshëm. Dhe kjo nuk kishte të bënte vetëm me cilësinë gati të 10 viteve të mëparshme të videos kur sot ekranet tona transmetojnë HD apo FULL HD, por edhe me kompozimin e videos.
Ju lutem shihni si dukej në Klan News transmetimi i sinjalit të prodhuar nga Kuvendi. (Fotoja nr.1)

Prapë kompozimi i planit në vijim (Fotoja nr.2) linte shumë për të dëshiruar.

Ju lutem të shikoni edhe të krahasoni dy të parat, me sekuencën nga videoja e xhiruar vetë nga kolegët e A2 CNN (Fotoja nr. 3).

Kjo është cilësia që na nevojitet. Ne nuk mund t’i servirim audiencës sonë imazhe aq të dobëta, dhe Kuvendi nuk mund të na cënojë punën tonë, teksa nuk e garanton cilësinë as për titullaren e institucionit, e jo më për deputetët e thjeshtë me apo pa grup parlamentar.

Desha shumë që atë ditë, të transmetoja një kronikë modeste me atë çfarë tha zonja Nikolla. Por nuk munda. Nuk mund të bëja kompromis me atë cilësi figure, për të cilën drejtuesit mediatikë në Kuvend, thanë se është më e mira që mund të bëjnë.

Më vjen keq, sepse znj. Nikolla vjen në atë detyrë si ish-ministre, një pjesë e stafit të saj vjen nga ministri të ndryshme. Ata e dinë më mirë se askush, se me çfarë teknologjie punon qeveria për ato aktivitete në të cilat e prodhon vetë videon.

/Marrë nga Facebook-u i autores/kumtari.al/

Read Previous

Foto/Lajm “Elita” e fshatit tonë

Read Next

Epoka e bollëkut ka mbaruar…