Prokurori përgënjeshtron ministrin Çuçi: Arsen Muskurti u dorëzua vetë

Prokurori Dritan Nushi, i cili po heton çështjen e Arsen Muskurtit, i cili vrau vëllain dhe kunatën dy ditë më parë në kryeqytet, tha se i pandehuri është vetëdorëzuar.

Në këtë mënyrë ai hodhi poshtë deklaratën e ministrit Bledi Çuçi, i cili përgëzoi policinë për kapjen e autorit të vrasjes së dyfishtë.

Gjykata e Tiranës vendosi masën e sigurisë “arrest me burg” për Muskurtin.

Avokati i tij, Suad Idrizi foli për klientin pasi vetë Muskurti, i pyetur nga gjyqtari, kishte zgjedhur të mos përgjigjej.

Edhe avokati tha se klienti i tij u vetëdorëzua në polici, një deklaratë që bie në kontradiktë me ministrin Çuçi, i cili pas ngjarjes deklaronte se autori i krimit u arrestua në kohë rekord.

“Është dorëzuar vetë, kam parë shumë trillime nga mediat, më ka dërguar mua personalisht që ta dorëzoj, kemi shkuar vetë në ambientet e komisariatit që ta bëjmë dorëzimin. Ka qenë në gjendje shumë të rënduar psikologjike. Merrte dhe mjekime. Ai ka kryer 7 kallëzime penale ndaj të ndjerit dhe ndjerës, ndërsa Policia e Shtetit nuk ka marrë asnjë masë. Kallëzimet janë sekret hetimor, nuk mund t’i nxjerrim. Por nuk është arratisur, ua bëj me dije. Që në vitin 2018, ka pasur probleme e merrte mjekime. Armën e ka pasur me leje dhe kemi paraqitur çdo lloj dokumentacioni të nevojshëm”.

Mësohet se avokati ka kërkuar të kryhet akt ekspertimi mendor për klientin e tij, pasi në vitin 2018 Arsen Muskurti ka marrë mjekime për shkak të gjendje së tij mendore. Konflikti i vazhdueshëm për pronën, por edhe ardhja e një fletë-thirrjeje nga gjykata, sipas prokurorisë duket se janë bërë shkak për ngjarjen e rëndë në zonën e “Myslym Shyrit”, ku Arsen Muskurti vrau vëllanë dhe kunatën, Alban dhe Nora Muskurti.

Read Previous

Ambasadori amerikan në Serbi: Ideja për Ballkanin e Hapur erdhi nga vetë vendet, s’u imponua nga qeveri të huaja

Read Next

Lavrov kërcenon Moldavinë: Popullsia rusishtfolëse do të mbrohet me çmim