Prodhuesit e verës në Francë ndezin mijëra qirinj për të shpëtuar vreshtat pas ngricave të pranverës

Prodhuesit e verës në Francë ndezën me mijëra qirinj në fushat e tyre për të ngrohur vreshtat dhe për t’i mbrojtur ato nga temperaturat e ulëta.

Vreshtat në të gjithë vendin u goditën nga ngricat. Moti në këtë periudhë të vitit po merr disa forma shqetësuese për prodhuesit.

Vreshtat Chablis në verilindje të Burgundisë janë goditur nga ngrica e tretë më e madhe në gjashtë vjet. Prodhuesit e verës janë të shqetësuar se si mund të ndikohet sasia e prodhimit të tyre.

Jeff Pachoud/AFP

Thomas Ventoura, 34 vjeç, i cili është një nga prodhuesit e shumtë të verës që nxituan për të ngrohur vreshtat me qirinj, tha se ndryshimi i motit kërcënon jo vetëm prodhimin, por po rrit detyrimet e tij për të mbuluar sigurimin për humbjen e të korrave.

Chablis është një verë e bardhë shumë e thatë që prodhohet vetëm në rajonin Yonne të Burgundy, për shkak të klimës specifike të zonës.

Por, moti i butë në fillim të vitit, i cili më pas u ndoq nga një ngricë pranverore, një ndodhi e pazakontë, tani po e bën të pasigurt të ardhmen e të korrave.

Guillaume Souvant/AFP

Ventoura tha: “Që nga viti 2016, ka pasur tre ngrica të mëdha. Tani po fillojmë të shqetësohemi për të ardhmen e biznesit tonë në këtë periudhë të vitit”.

Në Yonne, në veri të Francës, dy të tretat e të korrave u shkatërruan si rezultat i ngricave të vitit të kaluar.

“Ka shumë punë për të bërë në ndryshimin e praktikave të vreshtarisë, në kontekstin e ndryshimeve klimatike” – tha Mathilde Civet, 25 vjeç, këshilltare për vreshtarinë në Chambre d’Agriculture në Yonne, organi lokal përgjegjës për sektorin e bujqësisë.

Prodhuesit e verës kishin filluar të bashkonin forcat për të investuar në mjete të reja, si për shembull kabllot e ngrohjes, për të ndihmuar në zbutjen e efekteve të ngricave të tilla, tha ajo.

Megjithatë, shumë sipërmarrës të kësaj industrie vazhdojnë të hezitojnë të përballen me faktin se ndikimi i ndryshimeve klimatike mund të jetë afatgjatë, tha Civet.

“Episodet e fundit të thatësirës dhe të ngricave kanë qenë një thirrje për shumë prodhues që të ndryshojnë metodat e tyre, por në vitet e mëparshme ka pasur një lloj mohimi të këtij fakti”.

Kjo për shkak se ngricat gjatë natës prekën pjesën më të madhe të Francës, duke shkatërruar veçanërisht zonën e Champagne në veri, e cila arriti temperaturën -9 gradë Celsius.

Edhe në zonat në jug të vendit, temperaturat shkuan deri në -5 gradë Celsius. Prodhuesit e verës, fermerët dhe kultivuesit e frutave u ndikuan nga këto kushte të motit, raporton The Local.fr.

Presidenti i sindikatës së parë franceze të bujqësisë, FNSEA, paralajmëroi se ngrica ka të ngjarë të ketë pasoja shumë të rënda.

Christiane Lambert tha për Le Parisien: “Mbrëmë, ngrica qe shumë e ashpër, nata ishte pikërisht ashtu si kishte njoftuar Météo France, pasi temperatura ra në minus pesë gradë.”

“Ka shumë rajone të prekura, ku mund të përmenden Dordogne, Burgundy, Alsas, Center-Val de Loire, Lot-et-Garonne, Maine-et-Loire.”

Ajo shtoi se mbështetja e shtetit do të jetë e nevojshme sapo të bëhet e qartë shkalla e dëmtimit të të korrave./Monitor

Read Previous

Britania e Madhe paralajmëron se Rusia se mund të përdorë municione me fosfor në Mariupol

Read Next

Aksidenti në Itali i merr jetën biznesmenit shqiptar, po shkonte të takonte të fejuarën, “yllin” e televizionit italian