Presidenca i përgjigjet reagimit të Ambasadës Greke / “Presidenti nuk jep llogari para asnjë ambasade të akredituar në Tiranë”

Reagimit të ashpër të Ambasadës Greke për heqjen e menjëhershmetë ekspozitës për Çamërinë, e cila qëndron prej disa ditësh në kangjëllat e presidencës, Presidenca i është përgjigjur duke thënë se nuk jep llogari para ambasadave, por para Kuvendit.
Reagimi i Plotë i Presidencës
“Presidenti i Republikës, Sh.T.Z Ilir Meta ka qenë i ftuar në datën 15 nëntor 2021, për të vizituar këtë ekspozitë, të organizuar nga shoqëria civile, me fotografi dhe harta të vjetra, mijëra vjeçare, të gjetura në Enciklopeditë dhe Muzetë e vendeve të ndryshme të botës, si Mbretërisë së Bashkuar, Gjermanisë, Francës, Italisë, Turqisë dhe Greqisë.
Presidenti Meta e pranoi ftesën për të parë nga afër këtë ekspozitë, të organizuar jashtë ambienteve të Institucionit, pa marrë përsipër të vërtetojë saktësinë apo të bëjë interpretimin e materialeve të ekspozuara.
Çdo shtet serioz, duhet ta ketë të qartë, se Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Sh.T.Z Ilir Meta nuk jep llogari për vendimet dhe qëndrimet e Tij para asnjë ambasade të akredituar në Tiranë, por vetëm para Kuvendit të Republikës së Shqipërisë dhe popullit shqiptar.
Çdo përfaqësi e huaj në Tiranë, e çdo shteti që aderon në Konventën e Vjenës, për çdo pretendim apo sqarim lidhur me aktivitetin apo qëndrimet e Presidentit të Republikës, duhet të ndjekë vetëm rrugën zyrtare, përmes Ministrisë së Punëve të Jashtme.
Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Sh.T.Z Ilir Meta, siç dihet botërisht, ka qenë, është dhe do të mbetet një kundërshtar i vendosur i ndryshimit të kufijve në Ballkan.”
© Kumtari.al

Read Previous

Energjia, OSSH kërkon rritje të tarifave të shpërndarjes deri në 74%, aplikim për rritje edhe OST

Read Next

Lajm i Fundit / Zjarr në spitalin e Vlorës