Prapaskenat e takimit Rama-Scholtz: Konstruktiv, ja pikat që nuk ishin dakord

Në një konferencë shtypi, pas takimit të parë me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, Scholz tha se Gjermania angazhohet me këmbëngulje për fillimin sa më shpejt që të jetë e mundur të negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

“Agresioni vrastar dhe i pakuptimtë i Rusisë kundër Ukrainës na e dëshmoi qartë dhe dhimbshëm se arritjet e Evropës në dekadat e fundit nuk janë më të vetëkuptueshme. Ne duhet të angazhohemi çdo ditë nga e para për një jetë të hapur, ku sundon ligji dhe ka mirëqenia. Nisur nga kjo Gjermania angazhohet me këmbëngulje për fillimin sa më shpejt që të jetë e mundur të negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Ai theksoi se kjo është në interesin tonë të përbashkët dhe ka rëndësi vendimtare për stabilitetin në rajon dhe për të gjithë Evropën.

Shqipëria rol konstruktiv në politikën e jashtme

Kancelari gjerman më tej falënderoi Shqipërinë për rolin konstruktiv që luan në organizatat ndërkombëtare, “si anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurisë në OKB, si aleate në kuadër të NATO-s, si anëtare e OSBE-së dhe në shumë forume të tjera ndërkombëtare.”

Gjithashtu kancelari socialdemokrat gjerman vuri në dukje se Shqipëria ka një politikë të jashtme në përputhje të plotë me politikën e jashtme të BE-së, duke kujtuar, se Shqipëria ka dënuar agresionin rus në Ukrainë dhe “njësoj si ne, ajo dënon në mënyrë të qartë dhe të dallueshme krimet e kryera ndaj popullatës civile. Scholz përgëzoi Shqipërinë për hapat e mëdha në sundimin e shtetit ligjor dhe fusha të tjera.

Edi Rama, Ministerpräsident von Albanien in Berlin

Impulse të reja në Procesin e Berlinit 

Kancelari gjerman u shpreh për një ringjallje të Procesit të Berlinit, të filluar në vitin 2014 nga paraardhësja e tij, Angela Merkel. Politikani gjerman inkurajoi vendet e Ballkanit Perëndimor për bashkëpunim rajonal: Ai përmirëson ekonominë, marrëdhëniet e mira fqinjësore dhe përshpejton afrimin me Bashkimin Evropian. Në këtë kuadër, ai u shpreh për ngritjen e Tregut të Përbashkët Rajonal. Kryeministri shqiptar Edi Rama, nga ana e tij, premtoi se Shqipëria do të vazhdojë me reformat, edhe nëse negociatat, nuk do të çelen. “Këtë nuk ia detyrojmë as Parisit, as Brukselit, por vetëm fëmijëve tanë”.

Rama ishte në një mendje me Scholzin në qëndrimin ndaj Rusisë dhe luftës në Ukrainë, si edhe tha se e mirëpriti paralajmërimin e kancelarit gjerman për t’i dhënë një impuls të ri Procesit të Berlinit dhe sërish mori në mbrojtje nismën e Ballkanit të Hapur që ai e quajti “një përpjekje për ta jetësuar Procesin e Berlinit duke e zotëruar si proces në mënyrë të përditshme”. Por ai shtoi: se “patjetër që revitalizimi i Procesit të Berlinit është më se i mirëpritur dhe përfshirja e të gjitha vendeve për të jetësuar në Ballkan të katër liritë, lirinë e lëvizjes së mallrave, të njerëzve, të kapitalit dhe të fuqisë punëtore”.

Kjo ishte ndoshta një nga pikat e vetme, kur dy burrështetasit nuk ishin në unison. Scholz vetë, edhe në pyetjet e bëra nga gazetarët nga Shqipëria, e shmangu përdorimin e termit Ballkani i Hapur. Po ashtu ai nuk foli as pro e as kundër shkëputjes së Shqipërisë nga Maqedonia e Veriut në procesin e integrimit. Rama, tha se në se deri në qershor Bullgaria do të vijojë të bllokojë Maqedoninë e Veriut për negociatat, ai do të kërkojë shkëputjen nga Maqedonia.

Edi Rama, Ministerpräsident von Albanien in BerlinKryeministri i Shqipërisë Edi Rama dhe presidenti i Gjermanisë, Frank Walter Steinmeier

Një nga pyetjet e gazetarëve kishte të bënte me ndikimin e vendeve fuqive konkurruese me BE-në dhe Perëndimin në rajon. “Sigurisht që Rusia në rajonin tonë përbën një problem, për më tepër në kushtet e sotme, çka e bën shumë më të nevojshme, aktivizimin më intensiv të BE-së, dhe përpjekjen nga ana e BE-së, për t’i afruar shumë më pranë të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor.” Sa për Kinën, ai tha se Shqipëria nuk ka ndonjë marrëdhënie të posaçme, as me Rusinë e as Kinën. Kurse Turqia nuk është aktor i tretë, por një partner strategjik i Shqipërisë, dhe në këndvështrimin tim, Turqia është një valvulë shumë e rëndësishme sigurie për të gjithë Evropën. Me vendet e Gjirit kemi marrëdhënie shumë të mirë prej vitesh dhe sigurisht që janë të mirëpritur të vijnë të bëjnë investimet e tyre, por prezenca e tyre në vendin tonë është shumë më e ulët se sa nganjëherë zmadhohet nëpër artikuj e vëzhgime sensacionale të medias.”

Rama shfrytëzoi rastin të kërkonte edhe liberalizimin e vizave për shtetasit e Kosovës. “Është një proces i bllokuar dhe shpresojmë që të çlirohet, në mënyrë që të gjitha vendet e Ballkanit të marrin atë që i duhet për t’iu afruar Bashkimit Evropian”.

Rama ishte i pari kryeministër i vendeve të Ballkanit Perëndimor që vizitoi Scholzin në Berlin. Pas konferencës, kancelari shtroi një darkë për mysafirin nga Tirana. Paradite Rama ishte takuar edhe me presidentin Frank Walter Steinmeier dhe kryebashkiaken e Berlinit, Franziska Giffey. Rama e ftoi Scholzin të ndiqte shembullin e paraardhëses së tij, dhe t’i përgjigjej ftesës së tij për të vizituar rajonin, e sigurisht, Shqipërinë. /DW

Read Previous

Gazetari paraguajan kërkojn hetim për Enkelejd Alibeajn

Read Next

8 fakte të shpejta rreth Ramazanit