Policia e Kosovës, thirrje qytetarëve: Kujdes! Po qarkullojnë grupe kriminale me armë
Fjalimi i Belind Këlliçit në Parlament:
Kur hyra për herë të parë në këtë sallë, në shtatorin e vitit 2021, pata një emocion të fortë. E kisha ngarkuar veten me pritshmëri të mëdha, pasi nuk besoj të ketë privilegj më të madh për një njeri, për një të ri, se sa të marrë besimin e njerëzve, t’i përfaqësojë ata, dhe të betohet si deputet i Republikës.
I thoja vetes se po futem në aulën ku janë bërë ndryshime të mëdha, e ku janë marrë vendime historike.
Do kem karrige aty ku dikur ka qënë Azem Hajdari, ku ka qene Pjetër Arbnori, Gramoz Pashko, ku është Sali Berisha, apo ku ka qënë Rexhep Mejdani, Limoz Dizdari, ku është dhe sot Pandeli Majko, kryeministri i luftës së Kosovës.
Me këtë trysni emocionale, me këto ide se po bëhem pjesë e një trupe të rëndësishme, që udhëheq vendin, kjo edhe sipas hirearkisë që njeh Kushtetuta, hyra në Kuvendin e Shqipërisë.
Shpejt vura re se shenjtëri jo që nuk gjeta, por më keq, profanja, spekullimi, genjeshtra, sulmi, urrejtja, vulgu, qenë tiparet e Parlamentit.
Asgjë këtu nuk dallova që ka të bëjë me jetën e qytetarëve, me shqetësimet e tyre. Një rendje e çmendur për interesin personal, një makutëri për pushtet, një lakmi për privilegje.
Nuk hasa në asnjë moment, e nuk e pashë këtë në dy vite, atë që njihet si boja, përmasa e njeriut. Të atij e asaj që ju ka votuar, që na ka votuar, që na ka sjellë këtu të jemi besnikët e tyre, që t’u mbrojmë interesat, endrrat dhe aspiratat.
Keni shitur shpirtin, më vjen keq ta them këtë.
Sepse nuk ka konkluzion tjetër, nuk ka cilësim e emërtim tjetër, kur bën pabesinë e tradhtinë më të madhe, që është t’i kthesh kurrizin atij që të dha gjithë këtë privilegj e bekim, që të solli në këtë sallë. Pra t’i kthesh kurrizin qytetarit.
Shumë rrallë, pashë këtu një debat, një ngritje të fuqishme zëri, një qendrim pa kompromis për diçka që ka të bëjë me mirëqënien, me jetën e përditshme të njerëzve.
Kacafytje për mirëqënien dhe interesat e rilindjes, të grupit kryesor të saj që qendron këtu pas meje, sepse këtë më duhet ta them, se lakmia e babëzia, errësimi i arsyes e llogjikes së shëndoshë para pasurimit, nuk vlen për të gjithë kolegët socialistë.
Me shumë kolegë të PD-së, jemi munduar të qëndrojmë për interesin publik, të ngremë kauzë, të luftojmë korrupsionin. Me denoncimet që kemi bërë, apo me raste si ai i Komisionit Hetimor për aferën e inceneratorëve.
Por, nuk mund të them se ja kemi dalë sa duhet. Nuk kemi shkëlqyer as ne, pasi edhe në mesin tonë, në një moment nxori krye një rivaliteti i brendshëm për karrigen, që na mori shumë kohë e shumë energji.
Dhe, edhe pse kemi qendruar mbi disa parime e vlera, nuk mund të them se i kemi shërbyer qytetarëve me sherrnajën tonë, dhe as i kemi përfaqësuar ata në këtë përplasje, as kemi mbrojtur më së miri interesin e tyre.
Unë sot do të dorëzoj mandatin, sepse i kam hyrë një projekti të madh politik. Me besimin që më ka dhënë anëtarësia në të parin proces të primareve, jam zgjedhur si kandidat i Opozitës për Bashkinë e Tiranës.
Mendoj se kisha dhe kam ende për të dhënë në këtë sallë.
Po nuk mund ta fsheh, që largohem i pezmatuar, kur mendoj se si kryeministri i vendit ka lëshuar këtu fyerjet dhe etiketimet më monstruoze ndaj opozitës, në mënyrë të përsëritur, dhe ku asnjë ditë nuk ushtroi atë që njihet si themeli i vlerave europiane, që është mbajtja e përgjegjësisë.
Kurrë nuk mbajti ai përgjegjësi për punët që kanë shkuar gjithnjë e më keq në vend, për braktisjen masive sidomos nga të rinjtë, për rastet flagrante të korrupsionit e abuzimit të detyrës nga njerëzit më të afërt e më të pushtetshëm në këto 9 vite qeverisje, për thellimin e keqqeverisjes, për cënimin e votës, për varfërimin e skajshëm, për ngushtimin e hapësirave të lirisë, për kapjen e drejtësisë dhe të medias.
Kurrë nuk mbajti asjë gram përgjegjësi. Dhe kurrë, nuk tha një herë të vetme, se po ky është faji im.
Por vetëm sulmoi e përdori edhe instrumenta ekstraligjore, siç tregon skandali mcgonigal, kundër kundërshtarit, në përpjekjet primitive, parapolitike, për asgjesimin e Opozitës.
Une kam ende shumë për të mësuar, se jam i ri. Por një gjë e di mirë. Modeli politik që keni ofruar ju, kjo sallë, ky kryeministër, nuk do të jetë kurrë modeli që unë do të ndjek. Por do te jetë modeli që do ta luftoj me sa fuqi do të kem.
Po hyj në një garë për Bashkinë e qytetit ku linda e u rrita, qytetit që e dua shumë.
Nuk ka dyshim se Tirana e ndjen nevojën për ndryshim ashtu si kudo tjetër, e ndjen këtë nevojë vendi.
Por unë jam i bindur se Tirana do t’i prijë ndryshimit, dhe e ka në shpirtin e saj, në vlerat që përfaqëson forcën për të mos qendruar nën zgjedhë, nën tutelë.
Unë jam për një model tjetër, të një marrdhënie të hapur, të ndershme deri në fund me qytetarin. Një kontratë që bazohet mbi të vërtetën. Një kurs i ri që e përjashton nje herë e mirë genjeshtren, shtirjen, mashtrimin elektoral. Një model e alternativë që krijon një qeverisje që shihet çdo ditë në dritë të diellit, e kontrollohet prej qytetarëve. Ku vendimet merren me konsensusin e tyre.
Ku nuk bie më një tullë e vetme në këtë qytet, me shkatërrime të pabesa në errësire, dhe nuk vihet më një tullë e vetme në këtë qytet, për interesat e kryetarit, të kryeministrit, apo të miqve e klientëve të tyre.
Interesi publik, interesi i qytetarëve, i të rinjve e të rejave, i familjeve, e ardhmja e fëmijeve të këtij qyteti, do të jenë e vetmja busull, i vetmi orientim i imi. Dhe fuqi në botë që më ndalon nga kjo nuk ka. Sepse asgjë nuk kam më të shenjtë se fjalën e dhënë, besimin e marrë, premtimin, fytyrën dhe emrin tim.
Nuk do ta shes kurrë shpirtin, për një privilegj. Nuk do të bëj kurrë atë që kundërshtari im bën prej 8 vitesh, e për fat të keq, shumë prej jush në këtë sallë.
Do të shihemi sërish. Me bindjen e plotë se do të shihemi me 15 maj, në një qytet të dalë nga vargonjtë e korrupsionit e tutelës së kullave e betonit të bosëve, e gjobave e taksave të shtuara të kryetarit.
Një qytet që do të jetë më miqësor, dhe më i jetueshëm, edhe për ju të dashur kolegë socialistë. Kështu që, jam i bindur se edhe ju, për veten tuaj e familjet tuaja, kërkoni ndryshim. Dhe shumë prej jush që e ka këtë mundësi, që e ka të drejtën e votës në Tiranë, jam i sigurtë se do ta ushtroni në fshehtësi këtë tagër, do ta kapni këtë shans, këtë orë, që po i vjen kryeqytetit.
Mos qendroni mprapa qytetarëve, në shije, në zgjedhje. Eshtë rasti të vini në mendjen e tyre, në përmasat, në bojën, në lëkurën, në këpucën e atyre që ju kanë sjellë këtu. E keni 14 majin mundësi të artë në mënyrë që të bëjmë atë ndryshim që presin qytetarët tanë prej shumë e shumë kohësh.
Se sa kohë presin ndryshimin, mjafton t’u lexoj këtë bashkëbisedim të ndodhur në sallën e Kuvendit të Shqipërisë në tetor të vitit 1921.
Po citoj nga arkivat e shtetit, deputeti i drejtohet Ministrit të Financave: “Prandaj dua të pyes Ministrin e Financave përse veç rrogave i ka pague ma se 11 mijë franga ar këtyre nëpunësve? Në këtë mënyrë kanë veprue dhe ministrat e tjerë kshuqë për shpërblime janë harxhue ma se 10 mijë napolona. Këto pare janë harxhue kot, në vend që t’u përdorshin për ndonji shkollë, për spitale, për rrugë e tjera…”
Këto fjalë të thëna në sallën e Kuvendit të Shqipërisë në tetor 1921 janë fjalët e deputetit të Tiranës në Parlamentin e parë Masar Këlliçit, stërgjyshit tim. Dhe është e pafalshme për klasën tonë politike, për të gjithë ata që kanë hyrë e kanë dalë nga kjo sallë, që këto fjalë sot të tingëllojnë më aktuale se kurrë.
Para se ta mbyll fjalën time do t’i bëja një apel të gjithë kolegëve majtas dhe djathtas, me bindje apo pa bindje politike që të paktë në këtë sallë të mos i gënjejmë qytetarët. Këto fjalë të mos tingëllojnë kaq aktuale edhe sot 102 vite pasi qytetarët dhe deputetët e Kuvendit të Shqipërisë kërkonin spitake, rrugë, shkolla, ujë dhe drita.
Ajo që ndodhi pak më parë nga një kolege e nderuar edhe pse është në kampin tjetër politik, është e pafalshme. Po e citoj ekzaktësisht. Një kolege socialiste për të cilën kam shumë respekt, pak minuta më parë, na tha se në Tiranë ka mesatarisht 17 orë ujë në ditë dhe ku 65% e territorit ka 24 orë ujë në ditë.
Unë nuk e di se si ndjehen qytetarët kur e dëgjojnë këtë gjë, por ata mijëra që unë kam takuar në këto tre muaj që jam në terren çdo ditë në takime, që thonë se çdo ditë nuk kanë më shumë se një orë apo dy orë maksimalisht ujë në ditë, sigurisht këtë e marrin për një fyerje.
Por për shkak se kjo është fjala ime e fundit dua ta mbyll me nota pozitive duke bërë një urim për të gjithë vëllezërit dhe motrat tanë të besimit islam.
Nga sot nis muaji i madhërishëm i Ramazanit, kjo është një mundësi e madhe reflektimi dhe shprese në të gjitha dimensionet e jetës e po ashtu një mundësi e madhe e shtimit të veprave të mira.
Nga zemra ju uroj të gjithëve një Ramazan të mbarë, Zoti jua pranoftë agjërimin në këtë muaj të bekuar.
Ju faleminderit!