‘Piranjat’ zbulojnë manipulimin elektoral të Veliajt/ Vasili: Drejtësia duhet të reagojë urgjent

Nënkryetari i Partisë së Lirisë, Petrit Vasili, doli në një konferencë për shtyp për të denoncuar sërish masakrën elektorale të 14 majit.

Gjatë deklaratës, Vasili u ndal edhe te investigimi i emisionit ‘Piranjat’ në SYRI TV, që zbuloi skemën e manipulimit të votave nga Erion Veliaj përmes ‘trafikimit’ të votuesve nga rrethet.

Vasili i bëri thirrje drejtësisë që të reagojë urgjentisht.

“Gjithashtu fakte tronditëse zbuluar nga media investigative kanë evidentuar trafikimin e votave dhe qytetarëve nga bashki të ndryshme të Shqipërisë për të votuar në Bashkinë e Tiranës, pavarësisht se nuk janë qytetarë të saj me qëllimin e vetëm manipulimin e procesit zgjedhor dhe kthimit të tij në votim monist.

Emisioni investigativ ‘Piranjat’ ka sjellë këto fakte tronditëse dhe është arritur deri aty sa dhe gazetarët të kërcënohen për të mos i publikuar ato.

Kasaphana elektorale është më e qartë se kurrë, faktet janë pa fund dhe dosjet janë plot.

Drejtësia shqiptare duhet të veprojë në mënyrë të menjëhershme pasi këto fakt dhe manipulime tani i njohin të gjithë shqiptarët, çdo vonesë e reagimit të drejtësisë e bën atë bashkëpërgjegjëse dhe bashkëfajtore ne procesin e kasaphanës më të rëndë që Shqipëria pluraliste ka parë ndonjëherë.

Në nuk do të ndalemi në misionin tonë për ta zbardhur deri në fund kasaphanën zgjedhore të 14 majit duke ja bërë të ditur të gjithë qytetarëve shqiptarë, drejtësisë shqiptare por dhe anembanë botës, të gjitha institucioneve europiane, amerikane por dhe miqve të Shqipërisë që janë të shumtë anembanë botës,” tha Vasili.

Read Previous

Pse ish-miku Basha është kapitull i mbyllur

Read Next

Skemat e zhvatjes së votave për Veliajn: Apartamente me qera për zgjedhje