Përrallat, struktura bazë kulturore që ushqejnë fantazinë e fëmijës

Nga Lira Gjika

Përrallat, mitet apo gojëdhënat dhe këngët popullore transmetojnë traditën nga brezi në brez. Pse ka vlerë kjo trashëgimi? Sepse ndikon direkt në formimin e personalitetin individual dhe kolektiv të një vendi pra ka ndikim direkt në ndërtimin e vetes, mënyrës së të menduarit dhe të qenit. Është ajo që e bën francezin francez apo anglezin anglez. Përrallat tona janë shumë të vjetra e tregon vetë struktura e tyre por ne i mënjanojmë sepse duam përrallat e të tjerëve duam “përralla me mbret”. Për fat ne jemi shqiptarë dhe në pavetëdijen tonë kolektive “përrallat me mbret” janë gënjeshtra. E megjithatë përrallat me princ e princeshë po pushtojnë tregun e po bombardojnë psihën e fëmijëve tanë.

Përrallat e popujve patjetër duhen njohur, e kjo quhet kulturë por jo të zëvendësojnë përrallën, mitet e gojëdhënat e vendit. Duke mënjanuar përrallen e vendit, ne vrasim fantazinë, imagjinatën e fëmijës si të ndërtojë veten. Kujtoni vargjet e këngës “I ëmbël zëri i gjyshes”, gjyshja tregon përrallën dhe fëmija e shikon me sy atë që gjyshja i tregon dhe kjo është shumë e vërtet. Fëmija çfarëdo që i tregon përpiqet që ta shikojë me sytë e fantazisë së tij dhe kërkon të bëhet si ato që dëgjon dhe i tregon i rrituri. Do të uroja që të kishte akoma gjyshër që i tregojnë përralla nipërve të tyre. Duke mbizotëruar përralla e huaj, ne ushqejmë tek fëmija një lloj ëndërrimi fals që ndikon negativisht në ndërtimin e personalitetit.

Tek mendoja për këtë dukuri që po zhvillohet, që ëndërrojmë “ëndrrat e të tjerëve”, fillova të kujtoj përrallat e fëmijërisë time. Në atë kohë përralla më e preferuar ishte ajo e “gjysmagjelit”. Gjysmagjeli që bërtiste “gjysma gjel gjysma kapua do të marr çupën e mbretit grua” dhe u alarmua një mbretëri e tërë për të kapur gjysmagjelin. Na e tregonin në shtëpi, në kopsht në teatrin e kukullave po edhe në radio në emisionin e mbrëmjes “përralla para se të flinim’. Po ashtu përralla e Rozafës, e gruas që shkoi drejt vdekjes pa mallkuar edhe pse e tradhtuar nga i shoqi dhe që i lanë fëmijën pa nënë. Apo miti i vajzës guximtare, që babai i tha se kishte frikë dhe se nuk e mbronte dot nga bajlozi që kish dalë nga deti. Vajza mori fatin e vet në dorë dhe u përball e i preu kokën bajlozit, një burrë që deshi ta fyente e përdorte. Në mitet tona gratë janë të thjeshta, inatçore e trime, madje më trime se burrat.

Në mitet tona nuk ka mbretër, por njerëz të thjeshtë që mbretër të ndryshëm nuk i përfillin dhe ata të vetëm e bëjnë “mbretin e keq” ti marrë më seriozisht. Njerëz të thjeshtë që shohin punën e tyre nuk i bien njeriu në qafë, por në çaste ekstreme mjerë kush u del përpara. Kur duam të zhvleftësojmë një ide e quajmë “përrallë me mbret”, e jo më të besojmë e kërkojmë një ëndërr me princ apo princeshë, pra në pavetëdijen tonë nuk janë regjistruar përralla me mbret për të krijuar ëndrra të bukura.

Prindër, mësues, edukatorë dhe ju stacione TV që bëni përralla për fëmijë tregojini dhe përrallat e vjetra popullore që janë themeli jonë i të qenit, që na dominon pa e kuptuar ne. Ka shumë vajza e djem shqiptarë që shkëlqejnë në skena teatrore e katedra shkencore nga më prestigjozet e globit. Po të mos u kishin treguar përrallat me gjysmagjel e kreshnikë nuk do të kishin “çarë detet” e të imponoheshin ti merrnin në konsideratë. U mbështetën në rrënjët e vendit ku morën fuqi dhe ja dolën. Këta nuk panë ëndrra me princa e mbretër prandaj u bënë ata që janë sot.

Read Previous

Finalja mes Romës dhe Fejnordit në Tiranë/ Edi Rama zbulon bisedën me një nga të dërguarit e UEFA-s

Read Next

OKB: Çmimet botërore të ushqimit shënojnë rënie të lehtë