PER MASKARAIN E KORRUPTUAR

Nga Meri Lika

O “I shtrenjti” politikan i korruptuar:

Po të shkruaj këtë letër duke e ditur se nuk do të marr përgjigje, sepse nëse do të më përgjigjeshe, do të tradhëtoje veten. Do të heshtësh. Je një ekspert i heshtjes, i të hedhurit të shikimit në anën tjetër dhe i mbrojtur me heshtjen… të vjedhësh. Por edhe pse kurrë nuk do të më përgjigjesh, unë kam disa gjëra për të të thënë dhe po ti them.

Si të gjithë politikanët ti ke administruar paranë tonë. Ajo që të bënë ty ndryshe nga të tjerët është se ti je politikan i korruptuar, një pjesë të parave tona e ke futur në xhepin tënd. Për ta bërë këtë ke përdorur metoda të ndryshme: je paguar për të lejuar që të bëhen gjëra të cilat nuk mund dhe nuk duhet të bëhen, kontrata apo shërbime për cmime shumë më të larta se sa i ka tregu – sigurisht që me firmat e miqve apo familjarëve të tu, në emër të miqve apo familjarëve të tu ke blerë prona publike e troje me cmime qesharake i rivlerëson e ti përfiton diferencën, voton ligje që favorizojnë korporata të mëdha me cmime që të sigurojnë jetën… Ajo që je duke bërë është se kalon paratë e të gjithëve në xhepat e disave me anë të gënjeshtrave e mashtrimeve.

Bëj c’të duash o politikan i korruptuar, por po të lajmëroj: ajo që po bën është shumë e rëndë. Do të mendosh se ti “vjedh” sepse “nëse nuk e bën ti do ta bëj dikush tjetër” ose do gjesh ndonjë justifikim tjetër. Por kujdes o maskara. Je shumë më keq se një hajdut: je përgjegjës për vdekje fëmijësh, për aksidente nëpër rrugë dhe për vuajtje pa fund të mijëra njerëzve. Po ta shpjegoj.
Paraja që ti vjedh, paratë që ti dhe miqtë e tu keni futur në xhepat tuaj ndërkohë që mbyllnit pazaret e pistë nëpër restorante të shtrenjta të veshur me kostume dhe kravata po të shtrenjta, është paraja që shërbente për të bërë sado pak më të mirë dhe të thjeshtë, jetën e të gjithëve. Ishte paraja të cilën ne mijëra që punojmë, e paguajmë si taksë në të mirë të shoqërisë që të na ofrojë disa shërbime, që të mund të jetojmë në një shoqëri ku asnjë fëmijë të mos shkojë në shkollë pa ngrënë mëngjes nga pamundësia sic tani ndodh. Ajo para o politikan i korruptuar, do shërbente për të ndërtuar spitale të reja, do bënte të mundur që mjekët dhe infermierët të marrin pagë të denjë për punën e tyre, për të rregulluar rrugët, për të lyer herë pas herë vijat e bardha në to, për të paguar mësuesit, ngrohjet në shkolla, ndihmat sociale, policinë, transportin publik, pensionet…paraja që ke vjedhur ti o maskara është ajo që duhet për të paguar gjithë këto që të thashë.

Por duke qenë se deri tani mund të themi se ka pasur ca para në arkën e popullit, vjedhjet e tua nuk dukeshin dhe aq shumë. Por arriti “kriza” o politikan i korruptuar dhe tani s’ka aq shumë para. Tani duket më mirë dimensioni i krimit tënd. Sepse është mirë që ti thërrasim gjërat me emrat që kanë. Ajo që ti ke bërë dhe po bën është një krim kundër shoqërisë.

Mungesa e parave që ke vjedhur ti ka bërë që bordurat mbrojtëse të një rrugë të mos përfundojnë e kështu një familje në një ditë të bukur të mbesë e vdekur në të… dhe është faji yt o kriminel. Nuk ka para për ambulancat dhe babai im do të vdiste se në ambulancat e amortizuara nuk ka asnjë mjet apo medikament të nevojshëm për ndihmën e shpejtë, një nënë nuk do vdiste bashkë me foshnjën e saj. Dhe ky është faji yt. Ti o maskara e di që do na thuash se kemi shpënzuar shumë se i “kemi shtrirë këmbët më shumë se sa kemi jorganin” e nuk na ngelën për mjekësinë.
Mos mendo se mbaruam kriminel. Duke qenë se ti i ke vjedhur paratë e të gjithëve, nuk ka para për të ndihmuar një grua që burri e rreh në mes të rrugës dhe një ditë do ta gjejmë të vdekur sepse gjykatësi është korruptuar duke qenë se e ka pagën të ulët se ia ke vjedhur paratë ti paratë që do t’i rrisnin pagën, fajtor për vdekjen e saj do të jesh ti edhe pse do dalësh në televizor të dënosh dhunuesin.

Ndonjë ditë të bukur një fëmijë që do kalojë rrugën pasi ka blerë bukë për darkë për nënën e sëmurë, do ta përplas një makinë e cila ecën me shpejtësi. Asnjë nuk do ta ndihmojë dot sepse nuk ka drita në atë zonë periferike se paratë për to i vodhe ti o kriminel. Ndonjë natë ndonjë polic do të vritet nga ndonjë kriminel hajdut kur do të dojë t’i ndalojë në këtë rrugën pa drita, se paratë i vodhe ti. Ti atje në vilën tënde në zonën pa smog do të mendosh “sa të këqinjë janë hajdutët” dhe do të mbushësh facebook se “duhet të ketë trajtim të vecantë siguria e qytetarit”… kur fajtori je ti.

Për ca euro më shumë ti shite vendin tënd, të gjithëve ne, na bëre kosh plehrash dhe madje rrekesh të na bindësh se paratë tona janë në dorë të sigurt me plehrat, ato do riciklohen dhe edhe nëse janë para trafiku do pastrohen me këtë industri të bardhë ricikluese.

Mund të vazhdoja gjithë ditën duke të kujtuar: shkollat , kopshtet e cerdhet pa ngrohje, shërbime sociale pa shërbim, pensione që nuk dalin as për të marrë frymë….

Sonte, kur të shkosh për të fjetur, në shtëpinë tënde luksoze në një zonë që nuk do mund ta paguaje po të mos ishe hajdut, shiko brenda vetes. A ia vlen të mbash mbi kurriz gjithë këto vdekje dhe këto padrejtësi në shkëmbim të disa carcafëve mëndafshi, restorantesh të shtrenjtë, të një makine jashtë serie dhe të një llogarie të majme bankare? Unë mendoj se jo, por duke qenë se ti nuk je unë por je thjesht një kriminel e di që ti mendon se ia vlen, nga ty mund të presësh gjithcka.

E vetmja gjë që të them është se ti meriton gjithë përcmimin tim, se ti je më i keqi i gjithë llojeve të hajdutëve të cilët mbushin burgjet dhe se je turpi i qenies njerëzore.

Nuk të pëlqen kjo që të thashë? Nuk të pëlqen kjo që je duke i lexuar gruas me zë të lartë? Epo ke dy rrugë: të kthesh paratë që ke vjedhur ose të më denonsosh për shpifje… por për të bërë secilën prej tyre duhet të nxjerrësh surratin. Dhe unë ashtu si dhe gjithë ne të tjerët e dimë që ti nuk ke aq vlera sa ta bësh, sepse përvecse je një i mjerë, një vrasës, një mashtrues, një tradhëtar dhe një hajdut, je dhe një frikacak.

O maskara, refrenin e dimë të gjithë: “Cdo berr varet në këmbët e veta”. Fli i qetë për sa kohë do të mundesh. Shumë afër vilës tënde luksoze ka njerëz që po e presin me tmerr dimrin se nuk kanë ngrohje dhe do bëjnë zjarr me cdo gjë që digjet… ndoshta dhe me ty.

Spunto nga Albano Dante Fachin

Read Previous

Nga Genc Pollo: Kur kokëbostanët mbyllin gjylistanin

Read Next

Reagimi i kopshtit “Zybejde Hanëm”