Pas vendimit të SHBA/ Kurti: Ndërhyrja e policisë së Kosovës ditë më parë e drejtë

Kryeministri i Kosovës ka reaguar pas shpalljes së listës për sanksione ndaj grupeve kriminale që veprojnë në veri të Kosovës.

Kurti shprehet se ky vendim i SHBA-ve, tregon edhe njëherë se ndërhyrja e policisë së Kosovës ditë më parë në veri ka qenë e drejtë.

Më poshtë statusi i Kurtit:

“Shumë i mirëseardhur vendimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për identifikimin e emrave të përveçshëm dhe sanksionet ndaj Zvonko Veselinovic dhe grupit të organizuar kriminal që vepron në veri të Kosovës.

Përgjegjës për trafikimin e mallrave, parave, narkotikëve dhe armëve në mes Kosovës dhe Serbisë, ky grup është dëshmia më e mira se krimi në veriun e Kosovës është realitet i përditshëm që cenon ligjshmërinë e të drejtat, lirinë dhe të mirat e qytetarëve.

Vendimi i sotëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës vërteton legjitimitetin e veprimeve të Policisë së Kosovës javë më parë në komunën veriore të Mitrovicës kundër kontrabanduesve të mallrave ilegale. Lidhjet e bashkëpunimit ndëretnik të grupeve kriminale dhe fushëveprimit të tyre transnacional do t’i luftojmë nëpërmjet bashkëpunimit të zyrtarëve të institucioneve tona pa dallim etnie dhe bashkëpunimit ndërkombëtar me aleatët e partnerët tanë.

Krimi i organizuar është rrezik i sigurisë kombëtare. Republika e Kosovës është e të gjithë qytetarëve të saj. Qeveria e Republikës së Kosovë ka prioritet luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit,” thotë Albin Kurti.

Read Previous

Turqit shtrëngojnë rripin për Erdoganin, në radhë për të blerë bukë në dyqanet sociale

Read Next

Fuga: Nëse ‘foltorja’ merr PD, do të ishte lëvizja e parë nga poshtë (baza/populli), në 30 vjet, që i merr pushtetin establishmentit