Partia Demokratike ka reaguar zyrtarisht në lidhje me situatën e krijuar në veri të Kosovës.

Anëtari i kryesisë, Aldo Bumçi tha nga selia blu se PD dënon përpjekjet e Serbisë që nxisin konflikt.

Sipas tij është e pajustifikueshme heshtja e autoriteteve më të larta shtetërore shqiptare.

DEKLARATA E PLOTE

Partia Demokratike po e ndjek me kujdes rigoroz dhe shqetësim të thellë situatën në Kosovë.

Ne i japim mbështetje të plotë qeverisë së Kosovës dhe institucioneve të saj ligjzbatuese, të cilët janë në të drejtën e tyre legjitime dhe sovrane, për të garantuar sundimin e ligjit në të gjithë territorin e Republikës.

Ne e inkurajojmë si të drejtë vendimin e qeverisë së Kosovës për të vendosur reciprocitet në marrëdhëniet me Republikën fqinje të Serbisë.

Qeverisë së Serbisë, i bëjmë thirrje t’u përmbahet të gjitha marrëveshjeve të nënshkruara në kuadër të dialogut, dhe t’i zbatojnë ato pa vonesë.

Ne dënojmë përpjekjet e Serbisë, përmes deklaratave dhe veprimeve që nxisin konfliktin, synojnë destabilizimin e Kosovës, dhe janë me pasoja për të gjithë rajonin.

Në të njëjtën kohë, përshëndesim maturinë dhe vendosmërinë e autoriteteve të Republikës së Kosovës dhe vetëpërmbajtjen e qytetarëve të saj në menaxhimin e kujdesshëm të këtij provokimi të përsëritur.

Gjithashtu, përshëndesim angazhimin e KFOR, të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, dhe Bashkimit Europian për shtensionimin e situatës dhe garantimin e paprekshmërisë së sovranitetit të Kosovës dhe pacenueshmërinë e kufijve dhe sigurisë së saj.

E konsiderojmë të papranueshme dhe të pajustifikueshme heshtjen e Autoriteteve më të larta shtetërore shqiptare, duke cenuar rëndë interesin kombëtar dhe kornizën e sigurisë rajonale.

I bëjmë thirrje qeverisë shqiptare, të ndërmarrë pa vonesë të gjithë hapat e nevojshëm për të mbështetur qeverinë e Kosovës, në përpjekjet legjitime për të ushtruar në mënyrë të plotë sovranitetin e saj, dhe të dënojë çdo akt të autoriteteve serbe që nxit konflikte për llogari të aktorëve të tretë.

Qeveria shqiptare duhet t’i përmbahet detyrimit kushtetues për të mbrojtur interesat kombëtare kudo dhe kurdo ato kërcënohen.

Në fund, duam të theksojmë përmes këtij rasti flagrant hipokrizinë e nismës së Ballkanit të Hapur dhe protagonistëve të saj Rama dhe Vuçiç.

Nëse hapja do të ishte synimi i tyre, nëse Kosova do të konsiderohej, siç thonë, e mirëpritur në këtë projekt, aktet absurde të nacionalizmit të shekullit 19 dhe paradat e serbomadhnisë në kufirin mes dy vendeve, nuk do të përsëriteshin edhe njëherë, në ato toka ku vetëm para pak vitesh luhej teatri i përgjakur i luftës.

Read Previous

Konflikti në Veri të Kosovës/ Kremlini zyrtar: Serbi jemi me ju

Read Next

Tensionet në Kosovë, reagon Begaj: Kosova tashmë është një realitet i pakthyeshëm politik