Parti të reja?/ Lubonja: Shqipëria kaloi nga një pluralizëm oligarkik në monopol

Shkrimtari dhe publicisti Fatos Lubonja ka bërë një analizë për sfidat e partive të reja në Shqipëri. Ai thotë se Shqipëria ka pasur më shumë alternativa më parë, por tani ato janë dobësuar për shkak të atij që ai e quan “pluralizmit oligarkik”. Për Lubonjën, Shqipëria është kthyer në një monopol që u mban njerëzve bukën e gojës të lidhur dhe se “investitorët e huaj janë larguar dhe janë zëvendësuar me shqiptarë”.

“Rëndësi ka të vëmë theksin tek ato që janë shkaqet kryesore dhe mbi të gjitha është e rëndësishme të analizojmë se çfarë ka ndodhur gjatë kësaj periudhe. Vlen të analizohet nëse është rritur apo pakësuar mundësia, në kuadrin e të gjitha atyre që thamë si sitemi, kapja oligarkia, e daljes së këtyre partive siç thatë ju si Syriza. Unë jam i tezës që Shqipëria ka pasur më shumë mundësi në kohën kur doli Bojaxhiu dhe këto mundësi tani janë pakësuar, janë dobësuar.

Pse janë dobësuar? Janë dobësuar sepse Shqipëria dora-dorës ka kaluar nga një sistem që unë e kam quajtur pluralizëm oligarkik, (alla-Jelcin krahasuar me Rusinë ku oligarkët kishin një lloj pavarësie, ishin një rrezik për pushtetin ose mbështesin parti të ndryshme) ka kaluar në një sistem alla-Putin ku është rreshtuar e gjithë ekonomia, pra të gjithë oligarkët janë srreshtuar. kjo ka bërë që të pakësohen mundësitë përt të pasur liri ekonomike, meqë përmendët Syriza apo “5 stelle” sepse një nga arsyet që qoftë Greqia, por veçanërisht në Itali që e njoh më mirë, vjen dhe merr pushtetin një parti që nuk ka ekzistuar apo sapo është krijuar lidhet shumë edhe me atë që është një faktor kryesor, ekonomia e lirë.

Prona nuk e bën njeriun më të pasur, por më të lirë nga shteti. Ndërsa në një vend ku shteti ka kapur të gjithë ekonominë atëherë jemi më keq. Ky është një nga faktorët, nuk është i vetmi.  E keni vënë re ju që gjatë kësaj kohe është pakësuar numri i investitorëve të huaj në Shqipëri? Ka pasur një Dhomë Gjermane të Tregtisë mjaft influente, ka pasur një Dhomë Austriake… Një pjesë e mirë e këtyre janë larguar dhe janë zëvendësuar nga shqiptarë. Është një koncentrim i madh i ekonomisë që pakëson edhe liritë e njerëzve.

Elementi tjetër… është një austriak që thotë se “demokracia nuk vjen nga poshtë-lart”. Janë disa nga elitat dhe ofrojnë. Ata fillojnë të shesin mallin për të tërhequr klientë, po e them në mënyrë figurative.  Ai që del dhe konkurron edhe mund të fitojë, por mund të ketë edhe monopole në politikë ashtu siç ka edhe në ekonomi. Shqipëria në vend që të kalonte nga një pluralizëm oligarkik në një pluralizëm demokratik duke u zhvilluar shoqëria civile kaloi në një monizëm oligarkik dhe ne një monopol pothuajse shtetëror të politikës siç kemi arritur sot.

Ky lloj monopoli që u mban njerëzve bukën e gojës të lidhur. Ju kujtohet kur Shoqëria Civile zhvillonte protesta atje tek liqeni për ca pemë në mandatin e parë të Ramës. Protestuam edhe për gjëra më të vogla. Tani po ngrihen gradaçelat dhe askush nuk po pipëtin më. janë blerë intelektualët, shoqëria civile. Ky pushtet në thelb e ka pakësuar mundësinë dhe hapësirat demokratike që të lindin parti të reja. Ky është faktori kryesor. Nëse do të thuash që këtu ka demokraci, por është e konsumuar opozita me Sali Berishën dhe Ilir Metën dhe prandaj fiton Edi Rama ke thënë një gjysmë të vërtetë që nuk qëndron. Nëse do të ishim në demokraci do të dilte Syriza dhe do të kalonin votat shumë shpejt, por përkundrazi këta nuk rriten dot nga kjo arsye”, – tha Lubonja në emisionin “Open” në News 24.

Read Previous

Pse shqiptarët janë më të (pa)lumtur se finlandezët?

Read Next

Belind Këlliçi takim me të rinjtë: Me paratë e inceneratorit, do ishte zgjidhur problemi i transportit