Paralajmërimi për tradhtinë e Partisë Demokratike ndaj reformës zgjedhore po bëhet realitet

Nga Përparim Gjeka


SI TA BËJMË PRESIONIN PËR REFORMËN ZGJEDHORE SI BAZA E NDRYSHIMEVE DEMOKRATIKE

Hera e parë dhe e fundit që Kombi ynë zgjodhi në krye me unanimitet si prijës birin e vet më të zotë, ishte më 1444 në Besëlidhjen e Lezhës e kjo përkoi me herën e parë dhe të fundit kur arbërorët dolën fitues dhe më të respektuarit e Europës.

Që prej atëherë kemi kaluar në Kombin më të parespektuar në Europë e  më nuk ka dyshim se rrënja e të gjitha problemeve tona si Komb qëndron se nuk kemi arritur të zgjedhim në krye njerëzit e duhur. Dhe për këtë nuk mund të fajësohet gjithë populli, sepse në fakt nuk i është dhënë asnjeherë mundësia popullit të zgjedhë në menyrë demokratike me votë të lirë. Për të mos folur gjatë mbi marrjen e mbajtjen e pushtetit me “grykën e pushkës”, e caktimit apo mbështetjes së liderve nga të huajt para viteve ’90, po theksojmë vetëm zhvillimet pas rënies së komunizmit.

Lideri i Partisë opozitare me komunizmin u zgjodh S.Berisha jo si personi më i zotë midis shokësh, por caktuar si emër kompromisi nga dy vektorët kryesorë të forcave që përcaktonin ndryshimin atë kohe, diktatori i fundit Alia që po e linte pushtetin dhe superfuqia e vetme e globit Amerika që kishte realizuar “wind of change” në Europën Lindore. Kurse opozita rrjedhimisht ishte po ish partia komuniste e cila veçse ndryshoi emrin, pra dhe kjo e caktuar.

Ngjarjet më vonë vazhdojnë edhe më të zeza; nga PD përjashtohen me radhë thuajse gjithë themeluesit e  protagonistët e ndryshimit, thua se të gjithë këta ishin gabim dhe etaloni i së vërtetës dhe pagabueshmërisë ishte vetëm Berisha, njësoj si Enver Hoxha të cilit i mbijetoi të paktën Pilo Peristeri. Dhe ky fakt vërteton edhe njëhere tezën se në krye është njeriu i gabuar. Njeriu i duhur në një luftë ashtu si Skenderbeu bashkon dhe nuk përjashton, më i zoti nuk ka frikë nga më pak të zotët, se përjashtimi tregon frikë.

Po kështu ndodhi edhe nga krahu i majtë derisa në mungesë të demokracisë e meritokracisë brenda partive të  mëdha me liderë të emëruar; në mungesë edhe të drejtësisë së pavarur (që këta vetë e minuan e  nuk e ngritën asnjëherë të pavarur), në mungesë të një ligji zgjedhor me mundesi të barabarta për të gjithë shtetasit për të zgjedhur e për t’u zgjedhur, pushteti arriti të përqendrohet në një dorë, e tani vuajmë pasojat e kryeministrit më të pazotë ndonjëherë, por paradoksalisht më të fuqishmit ndonjëherë në histori.

Dhe paradoksi tjetër që shumica e shqiptarëve më në fund janë bindur se ky kryeministër duhet rrëzuar sa më parë për të mos pritur zhbërjen e Kombit, por fatkeqësisht nuk kanë në dorë asnjë mekanizëm ligjor apo extra ligjor për ta realizuar ndryshimin. Nuk kemi të drejtë referendumi popullor, nuk kemi opozitë luftarake e parimore, nuk kemi fuqi njerëzore e ushtarake për përmbysje me dhunë …

Ka mbetur vetëm një mundësi që kërkon bashkëpunim dhe bashkërendim të forcave demokratike brenda dhe jashtë territorit të Republikes së Shqipërisë në afatshkurt.

Duke u nisur nga tre vektorët kryesorë që mund të realizojnë ndryshimin aktualisht, gjegjësisht shoqëria e organizuar civile brenda dhe jashtë vendit, faktori nderkombëtar dhe opozita parlamentare, le të analizojmë hapat për ndryshim.

Shoqëria civile: Shoqëria e organizuar civile akoma gjallë brenda vendit duhet të kuptojë se nuk mund të mbrosh kauza pjesore kur nuk mbështetesh me politika nga shteti e aq më keq kur sabotohesh nga ai. Nuk mund te ndryshosh gjendjen e jetimëve kur përkrahja mujore shtetërore për ta kushton sa një pjatë mish keci e deputetit Beqja; nuk mund të mbrosh trashëgiminë kulturore kur teatrin Kombëtar e shemb shteti si shpërblim në natyrë për oligarkun si ta kishin trashëgimi nga baba; nuk mund të luftosh për bashkimin kombëtar kur nuk lufton dot taksimin në rrugën e Kombit, etj. etj.

Për shoqatat e bashkatdhetarëve në Diasporë që predikojnë lidhjet shpirtërore të brezit të ri me atmëmëdheun e të tjera kauza të ngjashme, çfarë kuptimi ka puna juaj kur brezit të ri po u vjen turp në masë të evidentohen si shqiptarë si rezultat i prapambetjes së Shqipërisë e braktisjes edhe nga ata që vazhdojnë të jetojnë atje?

Puna e parë pra, që duhet të bejë shoqeria civile kudo, është të ushtroj presionin maksimal mbi vektorët e tjerë të ndryshimit gjegjësisht faktori ndërkombetar dhe opozita si leva e Arkimedit për të lëvizur qeverinë dhe vendosur demokracinë.  Konkretisht:

I. Presioni mbi faktorin nderkombëtar.

Dikush të marrë iniciativën, të shkruajë tekstin për të kërkuar me çdo kusht rregulla të barabarta e të sigurta loje me anë të një ligji të ri zgjedhor ku të mundësohet zgjedhja e njerëzve më të mirë e më të zotë në poste kyçe shtetërore. Teksti të përfshijë kërkesa të panegociueshme që do ta benin të mundur minimin e bunkerit të tanishëm zgjedhor ku dy forcat politike me liderë të emëruar e të trashëguar nga diktatura komuniste padyshim do humbnin monopolin dhe manipulimin me zgjedhjet si:

1. Reformë zgjedhore që garanton ndarjen e tre pushteteve;  ekzekutiv, legjislativ dhe gjyqesor me anë të zgjedhjeve direkte nga populli.

2. Zgjedhje të reja të përgjithshme direkt pas miratimit të reformës zgjedhore, njekohesisht për Presidentin me qeverine e tij, Kuvendin Popullor, Kryeprokurin e Republikes dhe Kryetarin e Gjykatës Kushtetuese.

2. Administrim jopolitik i procesit zgjedhor, mundesisht entitet ndërkombëtar ose i ngjashëm me Misionin e Monitorimit Ndërkombëtar në reformën në drejtësi.

3. Votë e garantuar e  Diasporës për të mbyllur kapitullin antikushtetues të mohimit të së drejtës së çdo shtetasi për të zgjedhur e për t’u zgjedhur.

4. Garantimi i së drejtës tjetër kushtetuese për të drejtën e bashkimit me të tjerë sipas afërsisë së interesave personale të çdo shtetasi apo grup shtetasish në koalicione zgjedhore para dhe pas zgjedhjeve.

5. Garantimin e barazisë dhe barazvlefshmerisë së votës me anë të një sistemi zgjedhor pa kufizime, shtremberime e pragje elektorale.

6. Garantimin e zgjedhjeve pa ndikimin e qeverisë në detyrë me anë të nje qeverie tranzitore teknike tre muaj para zgjedhjeve.

7. Rregulla të brendshme demokratike për funksionimin e partive politike dhe ligj financimi transparent për to.

Kjo promemorje të shpërndahet për njohje, miratim dhe firmosje nga shumica e organizatave të shoqërisë civile brenda dhe jashte vendit dhe të dërgohet në secilen nga kancelarite euro-atlantike, veçanërisht në BE ku mund të kushtëzohen fondet për Shqipërinë, Washington dhe Berlin si dhe në ambasadat e tyre në Tiranë. Lobimi me takime dhe mjete të tjera institucionale dhe personale nga perfaqësues të shoqërisë civile e personaliteteve të spikatura shqiptare në botë të shoqërohen edhe me tubime para këtyre kancelarive dhe ambasadave. Presioni të jetë i gjithanshëm dhe i përqendruar.

II. Presioni mbi opozitën parlamentare

Reforma zgjedhore nuk mund të bëhet pa miratimin e opozitës qoftë në vota, qoftë në frymë. Gjoja Reforma Zgjedhore e vitit të kaluar u tradhtua nga opozita e L. Bashës dhe u masakrua në ligj dhe në zbatim nga administrata Rama. Nuk ka asnje siguri se këto rregulla zgjedhore të duhura demokratike do të mbrohen nga kjo opozitë fasade, provuar në tetë vjet si e interesuar vetëm për pushtet dhe interesa kaste. Në këto kushte ka tre mekanizma presioni të cilat mund e duhet të përdoren përveç presionit ndërkombëtar mbi të.

1. Të lobohet direkt mbi parlamentarë të cilët shquhen si me integritet personal e profesional dhe mund përqafojnë kauzën e votës demokratike.

2. Të merret kontakt e te bisedohet institucionalisht me Opoziten dhe t’u bëhet e qartë se nëse nuk përfaqësojnë dhe mbrojnë reformën zgjedhore reale, do të thotë se nuk përfaqësojnë vullnetin e shumicës së popullit dhe për rrjedhojë një përfaqësi e shoqerisë civile do të duhet të marre pjesë në tryezen e reformës zgjedhore me të drejtë vetoje.

3. Të merret kontakt me Lëvizjen e Sali Berishës e të tjera sensibilitete brenda PD për ta orientuar atë në kauza më të larta se sa fati politik i një lideri partiak, por në kauzën kombëtare të votës së lirë dhe meritrokracisë jo vetëm në parti, por edhe në shkallë vendi. Atë që nuk e bëri dot Ramiz Alia në vitin 1991, ndoshta edhe Berisha në ikje ka akoma fuqinë ta bëjë në 2021, të punojë për rregulla të drejta loje e meritokraci brenda opozitës me qëllim që ajo të zgjedhë njerëzit më të mirë sipas meritës sot në parti e nesër në qeveri.

Shkrimi i mësipërm është shkruar më datë 19 shtator. Autori e risjell në vëmendje të publikut në tetor, një muaj më vonë, pas lëvizjeve që po bën PD – PS për reformën zgjedhore, me shënimin:

“Paralajmërimi për tradhtinë e Partisë Demokratike ndaj reformës zgjedhore po bëhet realitet. Asnjë pikë nga ato thelbësoret të radhitura në këtë shkrim të muajit të kaluar përveç lejimit të koalicioneve nuk po merret parasysh.

Iu bëj thirrje deputetëve me integritet të Kuvendit të Shqipërisë të mos e bëjnë përsëri antidemokratik, bunker për të tjerët e kostum për dy partitë e mëdha parlamentare ligjin zgjedhor me anë ndërhyrjesh pa thelb ndryshimi në Kushtetutë.

Përkundrazi do mbani përgjegjësi historike para shqiptarëve.

Në vëmendje të deputetëve të qarkut të Fierit që kanë marrë edhe votën e shumë njerëzve të mi.

Enkelejd Alibeaj Luan Baçi.”

Read Previous

Fshati me vajin e ullirit më të mirë në botë? Nuk është as në Itali, as në Spanjë.

Read Next

Si të reduktojmë sheqerin e shtuar nga dieta ushqimore?