Paralajmërimi nga shoqatat e bizneseve: Rënia e euros rrezikon ta kthejë ekonominë në vitin 1992

Njëzëri 7 shoqata eksportuese, prodhuese dhe të sektorit të turizmit ngrenë alarmin për efektet negative nga zhvlerësimi i lartë i monedhës europiane.

Në letrën drejtuar Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë z. Gent Sejko dhe ministres së Financave dhe Ekonomisë znj. Delina Ibrahimaj, shoqatat, si: Proeksport Albania (PEA), Shoqata e Prodhuesve Shqiptarë, Shoqata e Bimëve Mjekësore dhe Aromatike (BMA), Bashkimi i Industrialistëve në Shqipëri (BISH), Albanian Food Industry (AFI), Agrobiznesi Shqiptar dhe Shoqata Shqiptare e Turizmit (ATA) theksojnë se rënia e euros në nivelet më të ulëta të ulëta historike rrezikon kthimi në një ekonomi të pastër importuese të ngjashme me atë të vitit 1992 nën efektet e “terapisë shock”.

Shoqatat e biznesit pohojnë se ky zhvlerësim i monedhës euro, ka dëmtuar shumë rëndë industrinë prodhuese, eksportuese dhe turizmin vendase duke drejtuar shumë subjekte drejt falimentimit.

Bizneset kërkojnë normalizim të situatës nga Banka e Shqipërisë dhe Ministria e Financave.

Që nga fillimi i 2023-t, kursi i euros ka rënë me 2.5%, ndërsa krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë rënia e euros ka arritur në 7.6%. Ditën e martë rënia e euros në kursin e këmbimit me lekun u thellua edhe shumë. Sipas kursit zyrtar të këmbimit të Bankës së Shqipërisë, euro u këmbye me 111.34 lekë, në rënie me 0.47 pikë krahasuar me ditën e hënë dhe duke prekur një minimum të ri historik. Agjentët e tregut të këmbimit valutor dëshmojnë për ofertë shumë të lartë të valutës së huaj dhe sidomos të euros.

Kompanitë eksportuese edhe më parë kanë ngritur shqetësimin për humbjet që po ju shkakton nënçmimi sistematik i euros ndaj lekut, pasi ka çuar në rënie të qëndrueshme në të ardhurat e tyre. Për vitin 2022 humbjet e bizneseve eksportuese nga kursi i këmbimit llogariten në vlerën e 225 mln eurove./MONITOR

Letër drejtuar Guvernator i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko dhe Ministres së Financave dhe Ekonomisë Delina Ibrahimaj

Zhvlerësimi i monedhës Euro dhe pasojat tejet të rënda në ekonomi

Rënia e monedhës euro në raport me monedhën vendase (lek), në nivelet më të ulëta  historike, ka dëmtuar dhe vazhdon të dëmtoje rëndë një pjesë të konsiderueshme të subjekteve të biznesit, gjë e cila shoqërohet me impakte shumë negative në ekonominë e vendit në përgjithësi. Ky fenomen nuk mund të lihet në rënie “të lirë”, me arsyetimin e thjeshtë se çdo gjë e përcakton tregu.

Asnjë qëndrim zyrtar nga Banka e Shqipërisë dhe nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë nuk është përcjellë për publikun e biznesin, lidhur me shkaqet e kësaj anomalie të theksuar, analizën e impaktit në ekonomi dhe për masat që janë marrë apo që mendohet të merren për vënien në kontroll të këtij fenomeni shkatërrues!

Nëse vërtetë mendohet se “duke ulur koston e importeve me pasojë uljen e eksporteve është një zhvillim pozitiv ekonomik dhe tregues i një ekonomie të forte”, atëherë po rrezikohet kthimi mbrapa në një ekonomi të pastër importuese të ngjashme me atë të vitit 1992 nën efektet e “terapisë shock”!

Asnjë ulje të çmimeve të produkteve të importit nuk kanë përfituar konsumatorët shqiptarë. Nga zhvlerësimi i monedhës kanë përfituar vetëm individë importues të veçantë dhe ekskluzive.

Në të kundërt, ky zhvlerësim i monedhës euro, ka dëmtuar shumë rëndë industrinë prodhuese, eksportuese dhe turizmin vendase duke drejtuar shumë subjekte drejt falimentimit. Ky fenomen negativ ju kushton masivisht qytetarëve shqiptarë humbjen e vendeve te punës, reduktimin e mundësive për vende të reja pune dhe në mënyrë të pashmangshme mos rritjen në vazhdim të pagës (veçanërisht për afro 200,000 të punësuarit në ndërmarrje eksportuese).

Sigurisht që kjo gjë do të shoqërohet me reduktim të të ardhurave në arkën e shtetit. Pasojat negative në tregun vendas, do të jenë afatgjata dhe do të jetë e pamundur të kompensohen me disa efekte pozitive të përkohëshme.

Mungesa e transparencës dhe injorimi i makro impakteve ekonomike, lë shteg për dyshime e supozime dhe si të tillë, kërkohet ndërhyrja juaj, për të analizuar, gjetur dhe frenuar këtë trend të rrezikshëm për ekonominë e vendit tonë.

Për sa më sipër, grupet e interesit dhe shoqatat përfaqësuese të sektorëve të ndryshëm eksportues, kërkojnë nga ana juaj:

1.Analizë te detajuar mbi situatën dhe impaktin që po sjell në ekonomi ky fenomen

2.Hetim dhe transparencë për faktorët natyrale dhe jonatyrale që ndikojnë

3.Komunikim më i plotë dhe më i gjere nga Banka e Shqipërisë me publikun dhe grupet e interesit

4.Vendimmarrje nga organet që mund të normalizojnë situatën, siç janë Banka e Shqipërisë dhe Ministria e Financave.

Me shpresën dhe besimin se reagimi i institucioneve që Ju përfaqësoni do jetë i menjëhershëm dhe të hapur edhe për tryeza të mirëfillta teknike me përfaqësuesit tanë, do mund të dalim nga kjo situatë e rrezikshme që ndodhemi.

Read Previous

Denoncimi për Mariglen Qaton dhe inceneratori i Tiranës/ Këlliçi, thirrje SPAK-ut

Read Next

“Rinia me Belon! Lal Fallci humbet thellë!”/ Berisha publikon tjeter sondazh