Paloka: Është vota dhe jo vula ajo që vendos si zgjidhet ky ngërç në PD.

Kreu i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, Edi Paloka ka folur për krizën ku gjendet kjo parti.

Për sa i përket thirrjes së dy Kuvendeve Paloka tha se i përket shumicës të vendosë se kush është më legjitimi.

Paloka theksoi se është vota dhe jo vula ajo që vendos si zgjidhet ky ngërç në PD.

“PD nuk janë ato zyra që kemi ne, as ato karrige, as vula, por janë ata qindra e mijëra demokratë, militantë, që janë anëtarë të PD që nga 11 dhjetori i 1990, janë përleshur dhe burgosur, janë prej 8 vitesh rrugëve nën dhunën e një qeverie që më antishqiptare nuk mund të bëhet, këta janë PD-ja. Nëse dikush për një moment për interesa të tij mendon, pra një pakicë, se mund të largojë shumicën dhe të mbajë karriget dhe zyrat vetë, kjo nëse do të ishte e vërtetë, sepse uroj të mos ketë asgjë të vërtetë, do të ishte katastrofë për ata, jo për demokratët. PD është e militantëve, e anëtarëve të saj, e atyre 620 mijë votuesve të PD, nuk është as e Edi Palokës, as e Lulzim Bashës, madje as e Sali Berishës nëse ai do të sillej në këtë mënyrë.

Vendos shumica në PD, vendos anëtarësia dhe unë për këto arsye deri më sot kam këmbëngulur dhe kam kërkuar që palët të gjejnë një zgjidhje mes tyre. Dhe e vetmja zgjidhje ishte vota. Ia kam kërkuar Lulzim Bashës. Sali Berisha natyrshëm ka dalë në këtë zgjidhje, kërkon votën për të zgjidhur këtë çështje. Ia kam kërkuar edhe Lulzim Bashës. Pse kemi arritur në këtë pikë, t’ia lëmë në dorë delegatëve. Le të votohemi të gjithë si dikur. Dikur në PD votohej gjithsecili prej nesh nga kryetari i partisë, kryeministri, presidenti që ishte Sali Berisha, kryeministri ishte Aleksandër Meksi, e deri te i fundit që isha unë gazetar i ‘Rilindjes Demokratike’. Vota vendos, kush është shumicë dhe jo kush mban vulën, zyrën apo karriget. Nëse dikush çmendet dhe mendon se do të dalë si pakicë mbi shumicën, kjo është fatkeqësi për të”-deklaroi Paloka në Syri TV.

Read Previous

Bardhi jep detaje nga mbledhja e Bashës me kryetarët e degëve të PD, mohon lajmin për përjashtime

Read Next

Borxhlinjtë e OSHEE-së, shteti s’paguan dritat edhe biznesi rrit detyrimet, 626 mln euro të pashlyera