Odiseja e Anxhela Merkel!

Nga Lutfi Dervishi

Vajza e pastorit!

Anxhela Merkel studio për fizikë dhe mund të ishte bërë një shkencëtare shumë e mirë, por bota ka shumë shkencëtarë të mirë dhe shumë pak politikanë të mirë. Ishte fat që Merkel braktisi shkencën dhe hyrin në rrugën e politikës.

Fëmijëria e Anxhela Merkel është lidhur me fshatin Templin në Gjermaninë Lindore në atë kohë nën kontrollin sovjetik.
Lundrimi midis kishës dhe shtetit, mes të menduarit të pavarur dhe dogmës marksiste-leniniste, e stërviti kancelaren e ardhshme në rrugën e kompromisit dhe përshtatjes me situata të vështira.

Më shumë se me murin e ngritur nga sovjetikët në Berlinin Lindor, vajza e pastorit gjithnjë e më shumë ndeshej me kufij të padukshëm, kufinj që do të rrëzoheshin me rënien e murit të Berlinit më 1989.

Babai, pastori Kasner, mund të mos ketë qenë një njeri i butë i, por prej tij Angela mësoi logjikën dhe dhe qartësinë e argumentit.

Në qetësinë e shtëpisë së famullisë teksa lexonte biografitë e shtetarëve dhe studiuesve të mëdhenj evropianë, Angela Merkel gjeti modelin e saj: Marie Curie, gruaja e parë që fitoi jo vetëm një, por dy çmime Nobel.

-A mërzitesh ti kur ende në këtë moshë të thonë: vajza e pastorit?

– Aspak. Vajza e pastorit jam- u përgjigj Anxhela Merkel.
Libri i shkruar nga Katie Marton: Anxhela Merkel, odiseja e mrekullueshme e një kancelareje ofron një pamje të plotë të historisë së vajzës së pastorit që udhëhoqi gjatë 16 viteve jo vetëm Gjermaninë, jo vetëm Europën, por për një kohë ishte edhe “Prijësja e botës së lirë”
– I lexoj librat që janë shkruar për mua, por aty nuk e njoh veten thotë- Anxhela Merkel
Ndoshta për shkak se ajo vetë e ka ruajtur privacinë deri në paranojë. Nuk ka mbajtur ditar. Emalin e përdor vetëm për të dërguar mesazhe shkurt dhe vetëm kur është e nevojshme. Dikush doli menjëherë nga rrethi i miqve të saj vetëm pse nxorri në publik një mesazh të saj me tri fjalë: “Faleminderit për sugjerimin. A.M”
Çdo gjë përtej rolit të saj zyrtar, Merkel e ka bërë të qartë, nuk është punë e botës.

“Jam përpjekur të ruaj një hapësirë ku mund të jem e lumtur apo e trishtuar pa qenë e detyruar të jap shpjegime për publikun”, tha ajo në vitin 2019. “Përndryshe është shumë e vështirë të jesh e lumtur në publik. Unë nuk bëj përjashtim nga ky rregull!.”

Çiltërsia dhe thjeshtësia janë dy cilësi që e bëjnë Anxhela Merkelin një politikane të papërsëritshme.

Kur dëgjojmë protagonistë politikë të flasin për ngjarjet historike, karakteristika kryesore është se e vendosin veten në mos në majë, të paktën në qendër të ngjarjeve. Mënyra se si Anxhela Merkel përshkruan rrëzimin e murit të Berlini është thjesht e paimagjinueshme për realitetin shqiptar.

Merkel u bashkua me turmën në urën Bornholmer, për t’iu drejtuar Perëndimit të ndaluar prej kohësh.

“Takova disa njerëz dhe në një moment, të gjithë e gjetëm veten të ulur në banesën e një familjeje të lumtur gjermanoperëndimore. Të gjithë donin të shkonin në Kurfurstendam, bulevardi më në modë i Berlinit Perëndimor. Por Angela, gjithmonë praktike edhe në mes të ngjarjes së madhe historike vendosi të shkonte në shtëpi. “Më duhej të zgjohesha herët të nesërmen në mëngjes”, thotë ajo. ” Rrëzimi murit të Berlinit ishte ngjarje për gjithë kontinetin. Çdo gjë tashmë ishte ndryshe.

Fakti se tashmë se çdo gjë ishte e mundur, u shfaq së pari në dyqane, bananet papritmas ishin në banaqet e dyqaneve ushqimore të Gjermanisë Lindore!

“Disa ditë pas rënies së murit, shkova në një konferencë shkencore në Poloni. Aty dikush tha se hapi tjetër do të ishte bashkimi gjerman. Kjo më habiti! Nuk e kisha menduar”- thotë Merkel!

E imagjinoni dot sot një politikan shqiptar të mos thotë se ka qenë në ngjarjet e dhjetorit të 1990 edhe pse mund të mos ketë qenë fizikisht edhe pse mund të mos ketë qenë fëmijë edhe pse mund edhe të mos ketë lindur.

Vajza e rritur në Germaninë Lindore, as që e kishte menduar se do të futej në politikë dhe do të vinte një ditë që do të drejtonte Gjermaninë e bashkuar, Europën me 28 vende dhe për një kohë do të pagësohej si Udhëheqësja e Botës së Lirë… !

E rritur në një vend ku një në çdo 63 persona ishte informator dhe ku 40% e njerëzve ishin drejt përdrejtë pjesë e sistemit, Anxhela Merkel kurrë nuk e harroi se nga vinte.

“Ne mund të mësojmë të jemi si ju. Por nuk mund të na kuptoni kurrë. Sepse padroni ynë [ajo përdori fjalën gjermane, Lehrmeister] ka vdekur.” – do të thoshte Merkel sapo u fut në politikën aktive në Gjermaninë Federale!

Kampi socialist, megjithë investimin e madh që Gjermania Lindore që të ishte dritare e socializmit për botën perëndimore, nuk ja arriti dot të rezistonte përballë kapitalizmit.

“Gjermania (lindore) duhet të duket demokratike, por gjithçka duhet të jetë nën kontrollin tonë”,- kjo ishte motoja — Walter Ulbricht, sekretar i parë i Partisë Socialiste të Gjermanisë Lindore, nga viti 1950 deri në 1971.

Dëshira e gjermano-lindorëve për të shkuar në Perëndim u ndal vetëm nga ngritja e murit të Berlinit.

Shtatë vjet para se muri i brendshëm i kufirit gjerman të ndalte më në fund hemorragjinë, 331,000 gjermano-lindorë braktisën shtëpitë dhe gjithçka kishin dhe u nisën për në Perëndim.

Mu në këtë kohë një familje gjermane zgjodhi të udhëtonte në drejtim të kundërt. Familja e kancelares së ardhshme të Gjermanisë.

Anxhela Merkel, në fakt ka lindur në Perëndim, në Hamburg, por vendimi i babait të saj pastor për të shërbyer aty ku kishte më nevojë i dha një kuptim tjetër 35 viteve të para të jetës së kancelares së ardhshme.

Shembja e murit solli përballë dy botë krejt të ndryshme.

“Ne ishim refugjatë,” thotë Michael Schindhelm, “pa ikur nga vendi ynë”. Gjermano lindorëve iu kërkua të pranonin një kaskadë praktikash dhe prioritetesh të panjohura për ta, nga kujdesi shëndetësor (që nuk ofrohet më nga shteti dhe falas), deri te arsimimi (bazuar në konkurrencë dhe merita, jo përkushtim ndaj marksizëm-leninizmit dhe proletariatit”).

Realiteti nuk mund të përputhej me katër dekada ëndrrash për lirinë dhe Perëndimin. Zakonet e bindjes, mosbesimit, kursimit dhe humbjes së iniciativës personale nuk u flakën lehtësisht. Aktet e tradhtisë, si ato të parëndësishme ashtu edhe ato me pasoja – shërbime të fshehta në këmbim të pranimit në universitet, një apartament ose një punë – dëmtuan pjesën më të madhe të popullsisë dhe ndotën ndërgjegjen e saj.

Jeta në Lindje e përgatiti Anxhelën për përballjen me Perëndimin dhe krizat e shumta që shoqëruan kancelaren gjermane dhe madje ishin krizat që “e detyruan” të qëndronte përkundër dëshirës së saj 4 mandate në pushtet.

“Anxhela mësoi që të lundronte mes botëve- në një anë këndonte himnin luterian në kishë dhe recitimin e poezive për Leninin në shkollë. “
Besimi ishte një nga shtyllat ku Anxhela Merkel gjente qetësinë edhe kur përballej me kriza të mëdha edhe kur përballej me rutinën e ditës.

“Nëse do të isha ateiste do ta kisha shumë më të vështirë” thotë ajo .

“Besoj se kjo botë e ka një fund, por ka diçka përtej, … mund ta quash Zot ose diçka tjetër, por e gjej shumë qetësuese faktin që ekziston diçka si Kisha. Fakti që mund të mëkatosh dhe të falesh është një çlirim. Përndryshe do të çmendeshe”.

Anxhela Merkel, politikane

Si ministrja më e re e Gjermanisë në histori, në moshën vetëm tridhjetë e gjashtë vjeç – dhe një grua që vinte nga Lindja, Merkel e dinte mirë se të gjithë sytë ishin drejtuar tek ajo.
Një nga tiparet e saj dalluese si politikane është durimi. Dhe këtë mësim e mori nga mentori i saj Helmut Kohl. “ndonjëherë politika më e mirë është të presësh”
Si politikane, Merkel gjeti një mënyrë efikase për të neutralizuar kundërshtarët: në fillim kërkimi i një gjuhe të përbashkët, më pas marrja e më të mirës nga programi i kundërshtarit dhe zbatimi i tyre deri në atë masë sa t’i “grabisësh” mbështetësit kundërshtarëve.

Një pjesë e suksesit të saj politik vjen në marrjen e ideve të mira ngado që ata e kanë origjinën. “Ajo ka vënë në zbatim programet e partive të saj rivale për energjinë, për kujdesin ndaj fëmijëve, për barazinë martesore dhe të drejtat e grave,” thotë Michael Naumann, ish-ministri i Kulturës i Partisë Social Demokrate (SPD).
Me këtë mënyrë me një gur ka vrarë gjithmonë dy zogj. Ka zbatuar një ide të mirë dhe ka neutralizuar kundërshtarët e mundshëm.

Ndryshe nga ‘zonja e hekurt Theçer”, që akuzat se kishte zhvilluar një fushatë të egër zgjedhor i konsideronte si kompliment, Merkel e përdori dhe e përdor fjalën me shumë kujdes. Në kërkim të kompromisit dhe të mesmes së artë dhe jo të ballafaqimit dhe përplasjes,
ajo shmangu insinuatat në politikë dhe kurrë nuk u angazhua në “atentatet politike ndaj kundërshtarëve”
Thjesht nuk i luajti lojërat e tyre dhe tregoi në mënyrë të përsëritur se sa shumë mund të bëjë një lider në heshtje, pa u mburrur me arritjet e saj.

Betejën më të vështirë politike Angela Merkel nuk e pati me kundërshtarët, por brenda familjes së saj politike, me vet mentorin mbështetësin dhe “babain” e saj – Helmut Kohlin, njeriu që drejtoi prej 25 vjetësh CDU-në, dhe për 16 vjet si kancelar i Gjermanisë! Helmut Kohl njihet si “babai” bashkimit të dy gjermanive. Ishte e pa imagjinueshme për shumëkënd, për Kohlin në radhë të parë, se si e “përkëdhelura” e tij do t’i kthehej një ditë me gur, në një “betejë’ që të kujton përballjen e Davidit me Goliathin.
Çështja e financimeve ilegale të CDU-së u kthye në një makth jo vetëm për CDU-në. Megjithëse Kohl nuk ishte më kancelar, qëndrimi i tij për ndaj këtij skandal ishte kokëfortë. Nuk pranoi kurrë të bëj publik emrat e donatorëve pasi e konsideronte këtë një “çështje nderi”.
Askush në parti nuk pipëtiu. Befas një ditë një editorial i shkruar nga Anxhela Merkelit u kthye në ngjarje kombëtare. “Me veprimet e tij Kohl ka dëmtuar partinë”
Merkel e bëri të qartë se besnikëria e saj nuk ishte ndaj një individi, por ndaj të ardhmes së e partisë.
“Partia duhet të mësojë të ecë, duhet të guxojë të përballet me kundërshtarët e saj politikë pa kalin e saj të vjetër të luftës”
Askush tjetër në parti nuk kishte pasur guximin të rrëzonte “Kalin e vjetër të betejës”
Pse duhet të kem frikë prej tij? Ne kemi punuar së bashku për tetë vjet.”
Mesazhi i saj: mes nesh nuk ka gjigantë, ka vetëm politikanë.
Për Merkelin, shkrimi i artikullit ishte një akt i domosdoshëm i çlirimit personal dhe politik. Kur më vonë u pyet për motivet, ajo u tregua e sinqertë: “Para së gjithash, doja të dilja nga robëria, doja të krijoja hapësirë ​​për veten time.
E çliruar nga Kohl, Merkel ishte bërë, për herë të parë, zotëruese e fatit të saj politik.
U deshën të kalonin 7 vite që Kohl të qetësohej dhe në nëntor të 2005 të shprehte mbështetjen publike për kancelaren e parë grua të Gjermanisë. Pas 4 vitesh Merkel i shkon për vizitë në shtëpi dhe pas 5 vitesh, më 2014, kur kancelarja mbushi 60 vjeç, Kohl i dërgon “vajzës së tij” një përshëndetje dykuptimshme.
“Kur hedh shikimin pas sot, duhet të jesh e sigurtë se i ke kapur mundësitë e larmishme që të ka ofruar jeta”
Për Merkelin, borxhi ndaj Kohl ishte një borxh politik, jo personal!
Borxhi më i madh i Merkelit ishte ndaj vendit që, tashmë i bashkuar, i dha asaj një shans të dytë.
Më 22 nëntor 2005, Angela Merkel bëri histori: – një grua, një shkencëtare dhe një gjermane nga Lindja – u betua si kancelarja e parë grua e Gjermanisë dhe portreti i saj u vendos së bashku me 8 paraardhësit e saj ne hollin e kancelarisë!
Çfarë e shtyu Angela Merkelin në rrugëtimin e saj politik?
“Macht, macht, macht” (“pushteti, pushteti, pushteti”), tha një herë mentori i saj, Helmut Kohl.
“Pushteti në vetvete nuk është asgjë e keqe. Është i nevojshëm. Pushtet është “të bësh” – të bësh diçka. Nëse dua të bëj diçka, më duhen mjetet e duhura; dmth mbështetja e një grupi… E kundërta e pushtetit është pafuqia, pa mundësia”

Por mënyra se si Merkel e ushtroi pushtetin është unike.
Arroganca, sugjeron sjellja e Merkelit, është një dobësi mashkullore. Një grua në pushtet ka punë të rëndësishme se kujdesja për egon e saj

E pyetur një herë se kush ishte modeli i saj në jetë, Merkel u përgjigj: “Vetja dhe sa më shpesh të jetë e mundur”.

Pavarësisht dekadave në qendër të dramave në skenën botërore, Merkel nuk e humbi aftësinë për të qenë njeri normal.
Dhe fillesat e saj si kancelare nuk ishin të thjeshta.
Unë kam këto probleme: “ jam grua, nuk kam karizëm dhe nuk jam e mirë në komunikim.” Merkel po kërkonte këshillë më 2005 nga kryeministri britanik Tony Blair se si t’i kompensonte këto mangësi.
Për të fjalët janë armë që duhen përdorur me kujdes
Kur ekspertët e komunikimit u ankuan se Adenauer dukej se kishte një fjalor prej vetëm dyqind fjalësh, mbrojtësit e tij u përgjigjën: “Nëse ai do të dinte më shumë, do të ishte mjaft i zgjuar për të mos i përdorur ato”. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për Merkelin.
“Unë nuk jam e zonja të flas. Unë mund të them vetëm të vërtetën”.
Gjermanët donin dikë që të mos shikohej në pasqyrë, por të shikonte problemet e tyre.

Qasja e saj e qetë, analitike, e zhvilluar gjatë viteve të studimit për fizikë, i dha mundësinë asaj të kishte një pikëpamje më të plotë dhe afatgjatë të qeverisjes.
“Ajo që ka rëndësi është ajo që do të arrihet në dy vjet, jo ajo që do të lexojmë nesër në gazeta, ” thotë ajo.

Anxhela Merkel përsosi një stil të politikës ku fokusi nuk është tek ajo dhe ca më pak te pamja e saj e jashtme.
Politikania e re me rroba të vjetra

Ajo mbërriti në zyrë, “siç e kishte bërë Zoti”- tha një ndihmëse e saj. Pa grim, e veshur thjesht dhe gati për punë.
Me Anxhela Merkel si kancelare nisi të qarkullonte edhe një anekdodë.

“Çfarë bën Merkel me rrobat e saj të vjetra?”

-“I vesh çdo ditë.”

“Për një burrë, nuk është aspak problem të vesh një kostum blu të errët njëqind ditë rresht,” u ankua Merkel. “Por nëse e vesh të njëjtën xhaketë katër herë, marr letra nga qytetarët… Një herë një fotograf u shtri nën tavolinë për të bërë një foto me takat e mia të ngrëna”.

Më shumë se pamja e jashtme dhe fjalët e bukura për Merkelin janë veprat që vlejnë.

Presidenti amerikan Obama, një mik me të cilin u zemërua keq vetëm njëherë (momenti kur u bë pulbik fakti se në listën e personave që përgjoheshin nga shërbimet inteligjente amerikane ishte edhe kancelarja gjermane) thoshte shpesh se nëse vendosni gratë në krye, do të zgjidhet gjysma e problemeve të botës. Në fund të fundit, ishin burrat ata që po shkaktonin të gjitha telashet: Putin, Erdogan, Netanyahu dhe, më vonë, Trump. Përballë tyre, dhe për një kohë e vetme, ishte kancelarja e Gjermanisë.

Anxhela Merkel- kancelare
Të jesh kancelare e Gjermanisë nuk është e lehtë. Në Berlin është qendra e pushtetit të një kombi, që nuk është i qetë me historinë e tij dhe nuk ndihet rehat me statusin që ka marrë si fuqi botërore.

“Unë jam shpesh në vijën e zjarrit, nga industria, nga landet, nga Bundestagu dhe, natyrisht, ekonomistët që dinë gjithçka më mirë! Unë kam BE-në, komisionin e monopoleve dhe mbi të gjitha Gjykatën Kushtetuese. Për një palë, rregullat nuk janë të mjaftueshme; për palën tjetër, janë shumë; pala e tretë nuk dëshiron fare rregulla; i katërti i dëshiron të gjitha. Në një situatë të tillë, nuk është e lehtë të ngrihesh me humor të mirë në mëngjes”, tha ajo, duke përmbledhur punën e kancelares.

Në punën e përditshme Kancelarja bazohet fort në sondazhet e përjavshme që masin “temperaturën e kombit” për çështjet kryesore. Përtej shifrave të sondazheve, Angela Merkel kishte njerëz në terren që i tregonin asaj çfarë po thonë, çfarë ndiejnë dhe për çfarë shqetësohen qytetarët në North-Rhine Westphalia ose në Bavari.

Kancelarja nuk është një pushtet ekzekutiv shumë i fuqishëm. Pushteti në Republikën Federale – veçanërisht në çështjet e brendshme – shpërndahet qëllimisht midis gjashtëmbëdhjetë Landeve (shtete) pa harruar që Gjermania ka një Gjykate Kushtetuese të fuqishme. Kështu kancelarja ushtron pushtet kryesisht me konsensus dhe bindje. Kancelarja ka më shumë liri veprimi në çështjet e jashtme sesa në politikën e brendshme.

Anxhela Merkeli nuk ishte kancelare vetëm për të mbrojtur interesat e Gjermanisë.

Asnjë vend nuk kishte nevojë për tregun kinez, energjinë ruse dhe garancitë e sigurisë amerikane më shumë se Gjermania. Asnjë vend nuk kishte më pak oreks se Gjermania që bota të kalonte te rivaliteti fuqive të mëdha. BE-ja, për Merkelin, kishte për qëllim të frenonte nacionalizmin shkatërrues.

Jo gjithmonë kancelarja ishte e kënaqur me udhëheqësit e BE-së.

“Dy të tretat e tyre nuk janë vërtet të interesuar për çështjet. Ata as nuk i lexojnë letrat që kanë në dosjet e tyre. Ata nuk e dinë se për çfarë po flasim”, i tha ajo ambasadorit Wolfgang Ischinger, duke iu referuar krerëve të tjerë të shteteve që formojnë Këshillin Evropian.

Ajo arriti të ndërtojë marrëdhënie besimi jo vetëm me Presidentët amerikanë.

Për vizitën e saj të parë në Zyrën Ovale, asaj ju propozua të fliste pa përkthyes. “Ajo protestoi, ‘Anglishtja ime nuk është aq e mirë!’”, kujton Ischinger . “As e Bushit nuk është”, e sigurova. Dhe kështu, duke ndjekur këshillën e Ischinger, ambasadorit të Gjermanisë në Uashington, ajo foli përkthyes – dhe ajo dhe Bush “ngjitën” dhe bashkëpunuan shumë mirë me njëri-tjetrin!

Askush në Perëndim nuk i e njihte më mirë Vladmir Putinin dhe nuk u përball më me efikasitet si Anxhela Merkel.

Gjatë gjithë kohës së saj si kancelare, ajo kurrë nuk kritikoi një kryetar shteti në publik, qoftë Putin, Erdogan, Xi apo edhe Trump, pa u përpjekur më parë të krijojë një marrëdhënie besimi.

Angela Merkel dhe krizat…
Ivan Krastev thotë se Anxhela Merkel do të kishte dhënë dorëheqjen nga politika me kohë, por nuk po e lenë krizat!
Krizat e mëdha nuk e kanë lënë “rehat” Anxhela Merkelin që në mandarin e saj të parë.
Kriza financiare globale, kriza euros, kriza greke, shpërthimi centralit bërthamor në Fukushima, lufta në Ukrainë, ardhja e 1 milionë refugjatëve, Brexit etj.
Një nga krizat e para që u ndesh Merkel ishte kriza e Euros.
Ajo përfundimisht e shpëtoi euron (€) – monedhën e përbashkët, që nga viti 2002, për 19 vende në të ashtuquajturën eurozonë – duke qetësuar zonën e saj konservatore dhe duke çimentuar statusin e saj si kancelare e Evropës. Siç shkruante kolumnisti i New York Times, Roger Cohen: “Dikur Henry Kissinger pyeti në mënyrë të famshme se cili është numri i telefonit të Evropës?. Tani Henri Kisinger e di: është telefoni i Angela Merkel.
Vizita e fundit e Angela Merkel në Greqi rikthen në kujtesë krizën e madhe greke të 2008.

Kancelarja donte që të tjerët të ndiqnin modelin gjerman të masave shtrënguese, shkurtimit të shpenzimeve dhe rrënjosjes së zakoneve të shëndosha të qytetarëve që të paguanin taksat e tyre – siç nuk e kishin bërë në mënyrë spektakolare në Greqi, për të mos folur për nevojën për të spastruar një klasë politike që gënjeu popullin e vet për gjendjen e vërtetë të ekonomisë së vendit.
Nëse të gjithë marrin fshesën dhe fshijnë jashtë derës së tyre, i gjithë fshati do të jetë i pastër, ” citonte shpesh Merkel Gëten.
Produkti i kësaj periudhe është lindja e partisë së parë të djathtës ekstreme në Gjermani pas Luftës së Dytë Botërore- Alternativa për Gjermaninë. Kjo parti u themelua si kundërshtim ndaj ndihmës së BE-së për Greqinë.

Vizioni i Merkelit për një Evropë të bashkuar, ku vendi më i pasur (Gjermania) i jep dorën e ndihmës më të dobëtit, përplasej me frikën se kjo ndihmë do të krijonte një kulturë varësie në Greqi dhe do të krijonte një precedent të rrezikshëm për vendet e tjera. Kjo ishte dilema e saj më e madhe.

Hajde Angela, ti je mbretëresha e Evropës! Ti mund ta bësh!” – thoshte Presidenti francez Sarkozi. “Më quajnë mbretëresha e kursimit”- përgjigjej hidhur Merkel.

Bota e Merkelit dukej shumë ndryshe nga koha kur ajo mori postin e kancelarit në 2005. Ajo u përball me një Rusi të zemëruar dhe agresive, një Kinë gjithnjë e më autoritare dhe ekspansioniste dhe “demokratët joliberalë” në lindjen e BE-së, ndërsa Erdogan i Turqisë shkatërroi shpresat e Merkelit për një të patur një republike islamike demokratike të moderuar në pragun e Evropës. Në Lindjen e Mesme, princi i kurorës i ri i Arabisë Saudite në dukje përparimtar, Mohammed bin Salman, u tregua që nuk kishte asnjë lidhje me moderimin.
Në qasjen ndaj gjithë krizave dhe veçanërisht ndaj krizës në Ukrainë Merkel shpesh na kujtonte: ‘Unë jam shkencëtare. Më pëlqen t’i zbërthej problemet në pjesët e tyre më të vogla dhe më të menaxhueshme. Dhe nuk i lejoj emocionet të pengojnë. Ajo që ka rëndësi është gjetja e zgjidhjeve”
Njerëzit me probleme më të vogla mund ta kenë luksin të zemërohen, unë nuk mundem ”
Ishte Merkel që e para nuhati se rreziqet e luftës së sotme janë krejt tjera nga lufta me tanke dhe avionë.

“Kam frikë nga një luftë joushtarake, hibride, e cila minon demokracitë tona, infiltron mediat tona dhe formëson opinionin tonë publik,” tha ajo në Konferencën e Sigurisë në Mynih në 2015.

Në vitin 2015, vendimi i Angela Merkel për të trajtuar krizën në rritje të refugjatëve në Evropë do ta shndërronte Gjermaninë në qendrën morale të botës. Vendimi famshëm për të pritur 1 milionë refugjatë!

Kissinger ra dakord. “Të strehosh një refugjat është një akt humanitar,” këshilloi ai mbështetësen e saj të dikurshme: “por të lejosh një milion të huaj të hyjnë do të rrezikosh qytetërimin gjerman”. Për të cilën Merkel u përgjigj: “Nuk kisha zgjidhje tjetër”

Ndryshe nga viti 1989, kur Angela shkonte në sauna, këtë herë Merkel ishte në krye të punëve. Ajo nuk urdhëroi mbylljen e kufijve të Gjermanisë kur vinin deri në shtatë mijë refugjatë çdo natë gjatë shtatorit dhe tetorit. Nga fundi i vjeshtës, (2015) dyqind mijë refugjatë kishin aplikuar për azil dhe rreth tetëqind mijë kishin mbërritur në Gjermani.
Të gjithë të ardhurve u kërkohej të mësonin gjermanisht, të ndiqnin shkollat ​​nëse ishin në moshë shkollore dhe nuk mund të zgjidhnin se ju do të rrinin në Gjermani. Merkel ishte e vendosur të shmangte përqendrimet e dendura të emigrantëve që rrethojnë qytetet në Francë dhe Britani të Madhe. Ajo nuk dëshironte getoizimin e refugjatëve. Dhe ja doli.

Ajo e shndërroi Gjermaninë në lider të Evropës – jo vetëm një lider ekonomik, por edhe moral – dhe në një komb emigrant duke pranuar dhe integruar një milionë nrefugjatë nga Lindja e Mesme.

Në një moment tronditje globale politike dhe shoqërore, asnjë lider në skenën botërore nuk e ka mbrojtur rendin liberal demokratik të pas Luftës së Dytë Botërore aq vendosmërisht sa Anxhela Merkel.

 

Jeta përtej politikës..

Liria e shprehjes dhe e lëvizjes janë më shumë se fraza klishe për një politikane që i kaloi tridhjetë e pesë vitet e para duke i munguar edhe liria e shprehjes edhe liria e lëvizjes.

Asnjë skandal personal nuk ka përshkruar 16 vitet e kancelares. Ajo vendosi vetë të largohej nga politika me bindjen se koha është më e vlefshme se çdo pasuri tjetër. Dhe kohën ajo e kërkon për të jetuar dhe shijuar jetën jashtë vëmendjes së publikut. Pas një jete në shërbim të tjerëve vajza e pastorit kërkon t’i shërbejë vetes.

E pyetur nga studentët në Harvard se si do të ishte një ditë e saj kur të mos ishte më kancelare ajo thotë:

“Do të fle gjatë, do të ha një mëngjes të relaksuar. Pastaj do të dal për pak ajër të pastër, do të flas me burrin tim ose me miqtë. Mund të shkoj në teatër, në opera ose të dëgjoj një koncert. Nëse do të kem pushuar, mund të lexoj një libër të mirë. Dhe unë do të gatuaj vetë darkë. Me pëlqen të gatuaj!”

Këto janë ëndrrat e një personi që nuk kishte qenë vërtet i lirë për gjashtëmbëdhjetë vitet e fundit. Ndonëse nuk është më e re, Merkel kërkon të shijojë kënaqësitë e zakonshme që të ofron përditshmëria.

Kur u pyet një herë se çfarë donte të thoshin librat e historisë për të, ajo u përgjigj: “Ajo u përpoq”.

Të tjerë, gra dhe burra, do të ndjekin trasenë që ka lënë hapur Anxhela Merkel. Asnjë, megjithatë, nuk do të përsërisë odisenë e saj të veçantë. E vetëdijshme se sa i jashtëzakonshëm ka qenë udhëtimi i saj – nga fshati Templin brenda Gjermanisë Lindore të kontrolluar nga sovjetikët, në qendrën e skenës globale – Merkel mund të ketë pak keqardhje për odisenë e jashtëzakoshme që ka bërë.

Gjermanët, dhe jo vetëm ato, kanë 30 vjet që nuk janë lodhur nga imazhi, zëri dhe personaliteti i saj. Sepse gjatë 30 viteve Merkel më shumë se sa duket, nuk duket!

Read Previous

Plagosje me thikë te shkolla “Fan Noli” në Tiranë

Read Next

Avokati kryesor braktis Hashim Thaçin