Nuk justifikon pasurinë/ Prokurori i Vlorës: Fitova 79 mijë euro në baste

Këtë të mërkurë ka dalë para Komisionit të Pavarur të Kualifikimit Alfred Sali, me funksion prokuror në Prokurorinë e Vlorës.

KPK ka kryer hetim në të trija kriteret, përkatësisht pastërtisë së figurës, aftësive profesionale dhe justifikimin e pasurisë. Sipas KPK ka rezultuar se sa i takon pasurisë, ka kryer deklarim të rremë si dhe janë konstatuar pasaktësi.

Rezulton se Sali në 2014, në deklaratën e pasurisë pretendon se ka fituar në bastet sportive online “Bet 355” me seli në Gilbraltar shumën prej 79 075 euro. Një pjesë të kësaj shume prokurori deklaron se ia ka dhënë hua babait të tij në vlerën e 56 mijë eurove.

Sipas KPK, edhe pse prokurori ka patur likuiditet, ka marrë kredi në mënyrë që nuk është arsyetuar qartë. Shuma e parave e fituar në lojërat e fatit, duket e dyshimtë, pasi nuk vjen në harmoni me deklaratat e pasurisë.

Rezulton se mos deklarimi i shumës prej 56 mijë euro, marrja e një kredie bankare dhe ekzistenca e një tjetër kredie edhe pas fitimit të llotarisë, e cila vazhdonte të paguhej me një kredi tjetër, ngrejnë dyshimin se paratë e përfituara në lojë fati të kenë krijuar një deklarim të rremë.

Nga hetimet e KPK-së, ka rezultuar se ka patur lëvizje bankare mes prokurorit dhe kompanisë së basteve ku evidentohet se ka qenë frekuentues i këtij aktiviteti, duke cënuar figurën dhe integritetin e prokurorit.

Por nga ana e tij, prokurori i tha trupës së vettingut, e përbërë nga Olsi Komici, Valbona Sanxhaktari dhe Xhensila Pine që nuk kishte shkelur ligjin, por nga ana tjetër u zotua se nuk do të frekuentonte më bastet.

Read Previous

Covid/ 1480 raste të reja dhe 1 humbje jete

Read Next

Top Channel ndryshon urgjent artikullin për sulmin kibernetik, pas reagimit të KM