“Një marrëveshje është arritur”, politikania boshnjake deklaratë të fortë: Palmer kishte dijeni për ndarjen e Kosovës; si lidhet me ‘rastin Berisha’

Politikania boshnjake Sabina Cudic dhe nënkryetarja e partisë Nasa stranka ka bërë një deklaratë të fortë sa i përket shkëmbimit të territoreve Kosovë-Serbi. Përmes një statusi të gjatë në rrjetet sociale ajo tregon bisedën me të dërguarin e posaçëm të SHBA-së në Ballkanin Perëndimor Matthew Palmer në prill të vitit 2019 në Uashington.

Cudic shton se bisedës i ishte bashkuar dhe kryetari asokohe i Komunës së Prishtinës Shpend Ahmeti dhe ambasadorja e Kosovës në Uashington Vlora Çitaku.

Ajo thotë se biseda u bë e pakëndshme kur e pyeti Palmerin nëse “ishte në dijeni të implikimeve të mbështetjes së tij (potencialisht autorësisë) për idenë e shkëmbimit të territorit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”.  Gjithashtu shton se po atë ditë një zyrtar serb në SHBA i tha se “një marrëveshje është arritur”.

“Më herët atë ditë, një zyrtar i ambasadës serbe në Washington, duke supozuar se dija më shumë sesa dija në atë kohë, më tha se ishte arritur një marrëveshje dhe se po kërkohej një moment adekuat dhe i favorshëm për administratën Trump për të paraqitur marrëveshje si historike”, shkruan politikania boshnjake.

Kjo e fundit shton se plani për shkëmbimin e territorit ndërmjet Serbisë dhe Kosovës u ndal nga opozita kosovare në vitin 2019. Cudic thekson se nuk ka asnjë dyshim që idetë e Palmer janë të rrezikshme dhe për Bosnje-Hercegovinën.

Në këto kushte ajo i bën thirrje administratës së Joe Biden që të distancohet nga objektivat Palmer, duke theksuar se Ballkani është në rrezik.

Por si lidhet deklarata e politikanës boshnjake me rastin Berisha. Ky i fundit u shpall “non grata” nga DASH në maj të këtij viti. Berisha hodhi akuza se ky vendim i Departamentit Amerikan të Shtetit lidhet me qëndrimin që ai ka mbajtur kundër shkëmbimit të territoreve Kosovë-Serbi.

Berisha ka akuzuar filantropistin George Soros si projektuesin e ndryshimit të kufijëve në Ballkan. Teksa kërkoi të jepnin prova për vendimin “non grata”, Berisha u shpreh se moslejimi për të shkuar në SHBA është hakmarrje për qëndrimin e tij lidhur me shkëmbimin e territoreve.

“Po, ishte i papritur. Ma çoi dikush në Twitter. Para dy vitesh ka qenë ajo që këtë do ta shpallim non grata, do e blacklistojmë se ka akuzën e konspiracionit ndaj politikës amerikane sepse kundërshtoja ndryshimin e kufijve të Kosovës. Unë nuk e kam nga burime amerikane, por nga burime më të larta shqiptare. Të tjerë nxorën këtë, i kundërshtimit tim haptazi të kufijve të Kosovës”, deklaroi Berisha pas shpalles “non grata”.

Ndërkohë Palmer komentoi vendimin e DASH-it duke thënë se, “Berisha abuzoi me pozitën e besimit të publikut për të pasuruar veten, për të pasuruar anëtarët e familjes së tij, për të pasuruar aleatët politikë dhe mbështetësit. Shtetet e Bashkuara e marrin çështjen e korrupsionit publik shumë seriozisht“./Politico

Read Previous

Shënohet 40 vjetori i inagurimit të Muzeut Historik Kombëtar

Read Next

Rasti “Kavala”, çfarë fshihet pas dëbimit të 10 ambasadorëve nga Erdogan