“Nikolla, pula e Kuvendit, përdoret për nevoja personale të Ramës”

Ilir Meta, drejtues i Partisë së Lirisë, ka dalë në një konferencë shtypi ku ka adresuar aludimet se ai ka qenë bashkëpunëtor i sigurimit të shtetit, sipas deklaratave të fundit të Autoritetit të Dosjeve dhe Lindita Nikollës.

Meta tha se ky është një manipulim. Gjithashtu ai shtoi se ka patur shumë persona me inicialet I.M në shkollën e tij dhe se ka shumë persona me të njëjtin emër si ai.

Meta hodhi akuza të forta ndaj autoritetit të dosjeve, duke thënë se i shërbejnë interesave personale të Edi Ramës.

Po kështu ai ishte mjaft i ashpër me Lindita Nikollën, duke deklaruar se e përdor Rama për “nevojat personale”.

“Del ajo pula e Kuvendit, me mesatare 5.8 thotë do të zbulojmë I.M!”, tha ndër të tjera Meta.

Pjesë nga deklarata e Metës: 

“Nuk ka shqiptar që nuk e kupton që me këtë akt vetëvrasës, sepse Autoriteti i Dosjeve para se të jetë autoritet ligjor, është autoritet moral.

Është për të ardhur keq për autoritetin e manipulimit dhe kriminalizimit të dosjeve.

Ata e dinë më mirë se kushdo, se cfarë ka, cfarë nuk ka, sa e vërtetë dhe sa e manipuluar është në ato dosje,

Me një email elektronik, kur të bëhet publik do të gajaseni të gjithë. Na qenka zbuluar që qenka një I.M, që pas 30 e ca vjetësh, qënka ky njeri që që në mars 1992 është bërë deputet dhe i është nënshtruar të gjithë filtrave.

Cfarë i kushtonte Autoritetit të thërriste I.M, nëse do të kishte dyshime?

Unë jam Ilir Rexhep Metaj, që ka baba dhe mbiemër.

Nuk jam as president, as deputet, përse u dashka bërë ligj i posaçëm për këtë I.M?

A ka njeri që e beson këtë gjë?

Patjetër u ngrit parlamenti në këmbë. Po cili parlament? Parlamenti me në krye zonjën Nikolla, apo Lindita e Ramës në parlament që përdoret për nevojat personale të tij, siç është urgjenca për të spostuar vëmendjen nga afera më e zezë, ajo e inceneratorëve ku do të përvëlohen të gjithë si minjtë në furrën e drejtësisë dhe nga aferat e tjera të zeza, përfshirë edhe çështjen e detit, për të cilën i kam çuar një letër parlamentit. Për atë nuk mblidhet parlamenti, nuk e ka si shqetësim.

Të verifikojnë se sa I.M kanë qenë në fakultetine ekonomisë dhe në klasën ku kam qenë unë.

Njoh nja 40-50 Ilir Metaj. Ju e dini që njëri ka qenë edhe deputet. Në klasën time ka patur dy Ilir Metaj.

Autoriteti i manipulimit të dosjeve, ka përgjegjësi të madhe, sepse për nevoja personale të Ramës shkatërron besimin e publikut. Ky është problem dhe përgjegjësi e autoritetit të dosjeve. Ti kërkojmë përgjegjësi Ramës, do të thotë të jemi të sëmurë nga mendtë.

Ai ka marrë peng popullin, sepse është i marrë peng nga tjetër kush”, tha ndër të tjera Meta.

Read Previous

Ahmetajn e shkarkoi Veliaj, Rama e firmosi

Read Next

Meta publikon drejtuesit e parë të Partisë së Lirisë, Tedi Blushi Sekretar i Përgjithshëm…