Nga Sami Milloshi: Gjithçka në këtë botë, kalon përmes asaj vrimës së vogël të gjilpërës

A close up of the eye of a needle being thread with red thread. The thread gracefully curves across the image as it makes its way in and out of the eye of the needle. It is photographed against a graduated light gray background. Image is shot with a shallow depth of field.

Tregim nga Sami Milloshi

Për herë të parë në jetën time unë e kam mësuar se si zmadhohet diçka, kur nëna m’u lut t’i fusja fillin e bardhë të perit në vrimën e gjilpërës. Ajo, më sa dukej, nuk ishte në gjendje ta shtihte fillin në vrimë ngaqë i qenë lodhur sytë. Syza ende nuk mbante.
Si e ndihmova ta përshkojë atë fill peri në vrimë të gjilpërës, mëmës i ndritën sytë dhe tha: Disa gjëra i bën të mëdha syri yt i ri, por se sa të dua unë ty, nuk ma thonë sytë e mij të lodhur. E di zemra ime…

Që prej asaj kohe, kur unë e pashë nënën se si më qepi kopsën e këputur nga mënga e këmishës, m’u rrënjos në kokë diçka e paharrueshme: zmadhimi vjen për shkak të dashurisë… E gjitha kjo po më kujtohej ndërsa po prisja orën dymbëdhjetë të ditës për t’u lidhur online për mbledhjen e radhës në punë. Kisha zënë një qoshe diku në një holl të bibliotekës së universitetit, larg syve të njerëzve. Pasi hapa celularin, dhashë kodin e lidhjes, e, më në fund, arrita të jem prezent në mbledhje. Fytyrat e vogla të kolegëve më shfaqeshin mikroskopike në ekranin e celularit, aq sa mezi i shihja. Diçka siç i ndodhte mëmës dikur kur përpiqej të përshkonte fillin e perit në vrimë të gjilpërës…

Folën me rradhë Amy, Christina, Doug … Dhe dukej që ishin tepër të merakosur se si do të mund t’ia dilnim mbanë punëve në këtë kohë të pandemisë. Kur më erdhi radha mua të flas, unë i paralajmërova se do t’u tregoja historinë e “zoom in”-t tim të parë me fillin e perit dhe gjilpërën e mëmës… Ca prej tyre, me aq sa dukej në ekranin mikroskopik të celularit tim, vunë buzën në gaz. Që do të thoshte se unë , pak a shumë, po flisja për diçka që nuk kishte lidhje as me situatën, as me pandeminë. Por, shyqyr Zotit, që kryetarja e Këshillit të stafit, Amy, ajo që e drejtonte mbledhjen online tha:

Po mirë thuaje atë histori…

E thashë fill e për pe historinë me mëmën.
Si e mbarova së treguari historinë time, vura re se për një hop ra një heshtje, në daçi quajeni edhe blackout, sepse fytyrat u shfiguruan në ekran, apo ndoshta m’u duk mua ashtu… Aq sa, unë thashë me veten time “Ç’m’u desh që e thashë këtë histori…” Por, lavdi Zotit, Amy, përsëri qe ajo që më nxorri nga ankthi.

Unë zakonisht nuk të marr vesh ty o zotëri- tha ajo. Se ti përkthen për ne atë që ti mendon në Shqip, në gjuhën e mëmës tënde. Por, këtë që the sot e mora vesh sikur mëma jote të ishte edhe e imja…

Thank You, Amy!- ndërhyra unë.

Që prej “zoom in”-it tënd të parë e gjer te ky i sotmi, sendet dhe gjithshka tjetër në këtë botë, kalojnë përmes asaj vrimës së vogël të gjilpërës. Aty ose mund të kalojë gjithë dashuria e globit, ose mund të hyjë padukshëm frika, ajo frikë që dashur pa dashur na ka zhbiriluar diku në skutat e shpirtit… – tha Amy.

Dhe me kaq e shpalli të mbyllur mbledhjen online.
Kur klikova mbylljen e celularit, sikur m’u lehtësuan shpatullat nga nje barrë e rëndë.
Dola nga biblioteka.
Ishte një ditë gushti me qiell të kthjelltë. Ngrita sytë përpjetë….
Fytyra e mëmës m’u shfaq në qiell…

Read Previous

Kriza energjetike, Maqedonia e Veriut në gjendje të jashtëzakonshme

Read Next

Trajneri i Kombëtares: Kemi boksierë shumë më të mirë se Florian Marku