NGA ISHULLI I PROVERBAVE

Tregim nga Sami Milloshi

Se si ndodhi nuk e mora vesh as vetë , por unë për t’i vënë kapak bisedës i thashë Laurës një nga ato proverbat që më janë rrënjosur në kokë qëkurse isha fëmijë i mitur.

– Koka që falet, nuk pritet.- i thashë unë Laurës.

Në fillim Laura mbeti e habitur sepse edhe unë bëra një budallallëk të hatashëm : ia përktheva fjalë për fjalë në Anglishte proverbin.

Domosdo, Laura nuk mori vesh gjë, sepse Laura nuk ishte me mua ta dëgjonte proverbin gjashtëdhjetë vjet më parë kur ime amë e pati shqiptuar për mua, kërthiun miturak. Le që , Laura atëhere as që kishte ardhur në këtë Botë ende.

Laura është mikesha ime. E ka a nuk e ka një gjysëm shekulli jetë . Çerekun e shekullit e kaloi ne Japoni ku edhe u martua. Pastaj u kthye prapë në Amerikë.Tashmë me burrin japonez dhe dy fëmijë që në gjithshka ngjajnë si japonezë.

Një ditë prej ditësh Laura u shfaq tepër e gëzuar. Më tha se qe divorcuar nga i shoqi dhe se kjo ishte një prej ditëve më të gëzuara të jetës së saj.

Në të vërtetë gëzimi i dukej në çdo por të fytyrës.
Për mua gëzimi i Laurës ishte shumë i mjegullt, por prej drojes se mos i thyeja ndonjë vazo të bukur brenda shpirtit të saj , nuk guxoja ta pyesja se ku ishte burimi i atij gëzimi , çka e kishte bërë madje jo vetëm më të qeshur ,por edhe më të bukur. Shto këtu që unë jam rritur me proverba dhe megjithse kam parë botë, përseri , kur vjen puna për t’u marrë vesh me miqtë e mij, unë harrohem se ku jam; ose më saktë ngujohem në ishullin tim të proverbave.
Kjo më jep një lidhje hyjnore me mëmën dhe më bën të sigurtë në bisedë me miqtë. Ose, së paku , kështu më duket mua…

Laura më tha se po i kushtohej vetes së saj që e kishte harruar. Sipas saj, Laura, vetëm tani kishte filluar të zbulonte se çfar mrekullie na qenkej të zbuloje dashurinë për veten.

I dhashë të drejtë, sepse edhe vetë kisha filluar të ndjej sa mirë do të kishte qenë edhe për mua të kisha filluar pakëz më herët ta doja më shumë veten. Së paku ,ta kisha lënë duhanin nja tre dekada më parë , jo tani që doktori më këshillon të bëj tomografinë e gjoksit…

Pikërisht kur edhe unë po bëhesha gati t’i rrëfeja se , unë po ashtu kisha filluar të kisha më shumë mëshirë për veten , Laura plasi bombën.

-Tani as që dua t’ia shoh fytyrën tim shoqi. Në ferr dua ta shoh …- tha Laura.

Më trembi. Nuk e kisha parë kurrë aq të mllefosur.Një damar mavi gjaku iu ravijëzua mbi ballë.
Thashë me vete se pikërisht tani ishte çasti që unë ta korregjoja atë budallallëkun që kisha bërë kur proverbin ” Koka e falur nuk pritet” ia kisha përkthyer Laurës fjalë për fjalë.

– Dëgjo Laura – I thashë unë.- Unë nuk jam kurioz të dij pse u divorcove ti me Yoshin,tët shoq. Por një proverb që ma ka thënë mua mëma kur isha fëmijë, thotë se kur ia fal gabimin dikujt që të ka lënduar shpirtin tënd ,nuk është mirë ta ndëshkosh më shumë. ..

– Ti këtë që po më thua, e ke eksperiencë nga vetja , apo , thjesht po më thua një nga ato proverbat e tua të pambarimta …

Më la pa gojë,Laura. ..©kumtari.al

Read Previous

Dyshimet/ Firmat e Damian Gjiknurit “lehtësuan” aferën gjigande të inceneratorëve (Dokumenta)

Read Next

Meta: Opozita do të jetë në çdo rrugë e rrugicë të shqipërisë